FILIPINE - Qindra shtëpi janë shkatërruar, linja elektrike janë rrëzuar e ndërsa mbi 10 mijë njerëz kanë braktisur banesat e tyre pasi tajfuni Koppu goditi veriun e Filipineve. 

Tajfuni i cili goditi fillimisht qytetin Casiguran solli erëra me fuqi 200 km për orë. Për tre ditë reshjet e dendura të shiut nuk kanë pushuar duke shkaktuar përmbytje të mëdha në shumë zona. Fluturimet dhe shërbime në veri të vendit janë anuluar. 

Sipas autoriteteve filipinase dëmet janë të shumta, por deri tani nuk ka njoftime për viktima. 

Të premten, presidenti Benigno Aquino bëri një paralajmërim televiziv, e ndërsa kjo është hera e dytë që bën këtë paralajmërim pas super tajfunit Haiyan në vitin 2013, i cili vrau më shumë se 6.300 persona. Presidenti iu kërkoi banorëve të kenë kujdes si dhe të jenë gati për të evakuuar nga shtëpitë e tyre nëse është e nevojshme. 

Presidenti Benigno Aquino tha se autoritetet janë të vendosura që tajfuni të mos shkaktojë asnjë viktimë. Tajfuni Koppu nuk pritet të largohet nga Filipinet deri të martën, kur pritet të godasë Tajvanin.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)