KORÇE - Parku i Bozdovecit i shpallur park kombëtar në vitin 1968, pas dhjetë ditësh nën flakë sot të ofron një pamje krejt ndryshe.

Televizioni A1Report ka udhëtuar sërish drejt këtij parku, ku tashmë gjelbërimi dhe ajri i freskët janë zëvendësuar me sipërfaqen e hirtë dhe pemët e djegura.

Albert Qiraxhiu, dëshmitar okular i ditëve të zjarrit në Bozdovec, tregon se si flakët përpinë “mushkërinë” dhe perlën e qytetit të Korçës dhe zhdukën florën dhe faunën e tij. “Këtu nuk ishte flakë por një vullkan i vërtet që shkatërroi këtë perlë natyrore, e cila ishte edhe mushkëria e qytetit. Kurorat e bredhave digjeshin pa fund, e tërë Korça ndriçohej nga flakët e zjarrit të Bozdovecit”.

Sipas tij, “për atë pjesë që shpëtoi pa u djegur në këtë park ishte meritë e ushtarëve dhe punonjësve [të Shërbimit Pyjor] që punuan për shuarjen e flakëve. Flora dhe fauna u shkatërrua totalisht, punonjësit më thanë së dëgjuan zërin e arinjve që ulërinin pasi ishin të rrethuar nga flakët. Sorkadhja derri dhe macja e egër ikin, u zhduken , kjo është një masakër e vërtetë natyrore”, u shpreh Albert Qiraxhiu.