KORÇË- Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në fshatin Polenë ku një 45-vjeçar i identifikuar si Artan Pishtari ka humbur jetën. Teksa po drejtonte një mjet tip “Nissan”, ai ka humbur kontrollin e për pasojë ka dalë nga ura dhe ka rënë në lumë, ndërsa mësohet se shkak të jetë bërë lagështia në rrugë.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për të nxjerrë trupin e pajetë. Mësohet se në momentin e aksidentit nuk ka pasur persona të tjerë brenda në mjet.
Trupi i 45-vjeçarit, u dërgua në morgun e spitalit Korçë, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidentit.
Nuk është hera e parë që ndodhin aksidente në këtë vend. Është një aks tepër problematik kjo për shkak të mungesës së sinjalistikës, trafik-ndarëses si dhe ndriçimit.