TIRANË, 14 Dhjetor/ATSH- I. Vata/-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dëgjuar nga afër shqetësimet e fermerëve ne Pojan, Zvezdë, Zëmblak, Tvoran, në qarkun e Korçës, të cilët sipas tij, po përballen me një situate tepër të vështirë.
Basha ka dëgjuar qytetarët, ku sipas tyre mijëra tonë prodhime bujqësore, si patate, qepe, fasule, molle etj, po u kalben nëpër magazina. Çmimi i naftës, i plehrave, i farërave dhe i pesticideve janë rritur, kostot e prodhimit janë më të larta se kurrë, ndërsa fuqia blerëse ka rënë. Fermerët shprehën shqetësimin për favorizimin që iu bëhet kompanive importuese të produkteve bujqësore. Në të gjithë qarkun e Korçës, theksuan ata, janë shpërndarë subvencione për katër personat te cilët merren me shitblerje tokash".
Basha nga Korça i ka bërë thirrje qeverisë të reflektojë pa humbur kohë, të mbajë premtimet që dha për bujqësinë. Njerëzve u ka ardhur laku në fyt, tha zoti Basha, ndërsa qeveria ia doli që në një vit t'i kthejë fermerët 10 vite pas. Fermerët janë në krizë, bujqësia është para kolapsit, theksoi kryetari i opozitës. /a.ke/