KORCE - Gjykata e faktit në Korçë ka dhënë masën e sigurisë “Burg pa afat” për 28 vjeçarin Romeo Babani, i cili dhunoi ish bashkëshorten e tij Eriselda Elmazi, duke e hedhur më pas pranë një kontenieri mbeturinash. Seanca gjyqësore u zhvillua pa praninë e kamerave, ndërkohë që gjatë zhvillimit të saj 28 vjeçari ndërsa pranoi krimin, deklaroi se ushtroi dhunë fizike ndaj ish- bashkëshortes për shkak të një konflikti familjar.

“Kisha konflikte me vjehrrën, i thashë kësaj të fundit të sqaroheshim, por ajo nuk pranoi, prandaj godita Eriseldën”, deklaroi në gjyq 28 vjeçari, Romeo Babani. Ndërkohë nga ana e saj prokuroria bëri të ditur se ekspertiza vërtetoi që 25 vjeçarja Eriselda Elmazi, nënë e dy fëmijëve u qëllua disa herë me thikë në bark dhe më pas në kokë me mjete të forta.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në 16 shtator, kur trupi i dhunuar dhe i mbuluar në gjak i 25 vjeçares u gjet rreth orës 04:00, nga punëtorët e pastrimit, të cilët lajmëruan më pas uniformat blu. Eriselda u dërgua menjëherë në spitalin ushtarak në Tiranë, ku mësohet se ndodhet në gjendje kome.

Menjëherë pas ngjarjes Romeo Babani u largua në drejtim të paditur, duke u arrestuar vetëm pas disa ditësh nga policia. Lidhur me këtë ngjarje në një intervistë dhënë për Tv A1 Report, nëna e Eriselda deklaroi se nuk ishte hera e parë që 28 vjeçari ushtronte dhunë ndaj vajzës së saj. Sipas Dallëndyshe Rizvanit ata grindeshin vazhdimisht për probleme ekonomike dhe xhelozi. Ajo pohoi gjithashtu se shkak i dhunës së ushtruar këtë herë ka qenë një borxh prej 80 mijë lek të vjetra që çifti kishte në një dyqan.

(Gre.M/Shqiptarja.com)