Tregtarët e tregut maqedonas në Korçë janë përballur këtë të martë me kontrolle dhe gjoba nga Policia Bashkiake, pas përfundimit të afatit për heqjen e tendave në ambientet e tregut.

Në terren kanë zbritur inspektorët dhe efektivët e policisë bashkiake, të cilët kanë vendosur masa administrative ndaj tregtarëve që nuk kishin zbatuar urdhrin.

Shumë prej tregtarëve janë shprehur të revoltuar, duke deklaruar se gjobat prej 50 mijë lekësh janë të papërballueshme për ta, sidomos në kushtet e vështirësive ekonomike dhe problemeve shëndetësore.

“Kemi marrë gjoba për tendën. Ku t’i gjej unë 50 mijë lekë. Sot ishte afati i fundit, derisa erdhi punëtori të hiqte tendën e vendosën gjobën”, tha tregtar.

Tregtarët thonë se prej vitesh përballen me kërkesa të vazhdueshme nga bashkia lidhur me mënyrën e sistemimit të tregut. Ata deklarojnë se fillimisht u është kërkuar të heqin llamarinat, më pas të vendosin tenda, ndërsa tani po u kërkohet që tendat të jenë sipas një projekti të caktuar dhe me ngjyrë të kuqe.

“Kemi 10 vite që merremi më të njëjtën muhabet, vendosni tenda të kuqe, hiqni të tjerat. Sot na kanë vendosur gjoba”, tha një tregtare.

Sipas tyre, kostot për realizimin e projekteve me arkitekt janë të papërballueshme, ndërsa kërkojnë që bashkia të marrë përsipër investimin nëse ka kërkesa specifike për standardizimin e tregut.

“Sot mora gjoba për tendën, erdhën tre policë. Unë nuk e heq tendën, po të duan le ta mbyllim dhe të ikim në shtëpi. Kam 24 vite këtu”, tha një tregtare tjetër.

Një tjetër tregtar tregoi se ishte gjobitur me 50 mijë lekë jo vetëm për tendën, por edhe për reklamimin e mallrave jashtë hapësirës së lejuar. Ai tha se nuk kishte mundur as ta kuptonte procesverbalin në momentin kur iu vendos masa administrative.

Mes tensioneve dhe pakënaqësive, tregtarët paralajmërojnë se situata po i çon drejt mbylljes së aktivitetit, ndërsa kërkojnë dialog dhe zgjidhje nga institucionet vendore.