KORÇË - Një protestë homazh është zhvilluar mesditën e sotme në Korëë për Brunilda Mekën, gruan 52-vjeçare e cila dy ditë më parë vrau vetën duke nxjerrë si arsye, transferimin nga vendi i punës.

Protesta u organizua nga Shoqata e të larguarve nga puna ka nisur para prefekturës së Korçës dhe ka vijuar me një marshim sensibilizues në bulevardin “Republika”, për t’u ndalur para Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë kryer homazhe.
 
Protestuesit kanë vendosur një fotografi të 52-vjeçares në hyrje të këtij institucioni, kanë ndezur qirinj dhe më pas kanë apeluar për t’i thënë ndal, spastrimeve masive të administratës nga Qeveria. Nertila Qafzezi, Kryetare e Shoqatës së të larguarve nga puna deklaroi:

“Për të gjithë të larguarit nga puna sot është një ditë e zezë. Brunës prej kohësh i është bërë presion për t’u larguar nga puna, ashtu si dhe shumë të tjerave. Largimi i Brunës ishte një padrejtësi. Ajo kishtë 20 vjet në këtë pozicion dhe i bënë presione nga më të ndryshmet për ta larguar. Kur nuk ia dolën, i thanë së do ta transferonin në fshatin Mollas të Ersekës,  duke e ditur se kjo është një padrejtësi,  pasi Bruna nuk mund t’i linte fëmijët dhe burrin e paralizuar për të shkuar në atë fshat”.
 brunilda meka
brunilda meka


Ish-punonjësja e ISSH-së Brunilda Meka, nënë e dy fëmijëve, helmoi veten dy ditë më parë në banesën e saj në kushtet e tronditjes si pasojë e transferimit nga pozicioni i punës që mbante. Bashkëshorti i saj bëri përgjegjës për vdekjen, kreun e IISH-së në Korçë.

Për rastin në fjalë, Prokuroria është ende duke hetuar, ndërkohë që Partia Demokratike ka deklaruar se ky rast është pasojë e spastrimit të administratës nga Qeveria, ndërkohë që Partia Socialiste nga ana e saj sqaroi se znj.Meka ishte transferuar në detyrë dhe jo pushuar dhe vetëvrasja e saj po përdorej për qëllime politike.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)