KOREJA E VERIUT- Koreja e Veriut ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh sociale për fëmijët me paaftësi mendore dhe fizike për të thyer hendekun e madh që vendoset shpesh mes tyre dhe njerëzve normalë.
 
Në këtë video tregohen këta fëmijë duke mësuar si të këndojnë, kërcejnë apo si të luajnë tenis në Pallatin për fëmijë të Penianit.
 
Një prej përgjegjësve të Shoqatës së Artit Korean për të Paaftët, Jon Kyong Sim, i cili po u mëson kërcim fëmijëve më aftësi të kufizuar prej dy vjetësh thotë se qëllimi i kësaj shoqate është që t’i ndihmojnë këta fëmijë të kenë një jetë normale.
 
“Misioni i shoqatës tonë është të ndihmojmë fëmijët me probleme që të integrohen në shoqëri me njerëzit normalë dhe të mësojnë kërcim dhe këndim për të patur një jetë kulturore sa më aktive” është shprehur Jon.
 
Një prej fëmijëve të qendrës, një lojtare tenisi, e quajtur Song Kum Jong tregon se jeta e saj ka ndryshuar pasi nisi të luajë këtë sport. “Fakti që unë jam me probleme më bënte të isha e turpshme përballë njerëzve të tjerë të zakonshëm. Por kjo ndodhte më parë, tani unë ndihem shumë më me vetëvlerësim dhe e lumtur prej lojës sime të tenisit” thotë Song.
 
Disa prej përgjegjësve të qendrës thanë se vendi nuk tregohet shumë bujar me njerëzit me aftësi të kufizuara, madje në 2006 një fizikant kishte deklaruar se ata në shumicën e rasteve vriten menjëherë pasi lindin.
 
Disa aktivistë kundër Koresë së Veriut thonë se këto aktivitete organizohen vetëm për të përfituar sa më shumë ndihma nga ndërkombëtarët.

Redaksia Online
(Suada Bajraktari/e.s/shqiptarja.com)