Një tjetër person vdiq në Wuhan, në Kinë këtë javë nga koronavirusi i ri që shkaktoi një epidemi të pneumonisë në rajon.
Ai është një 69-vjeçar dhe ishte konstatuar i prekur me virusin vrastar më 31 dhjetor kurse gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar dy javë më parë, me tuberkuloz pulmonar dhe dëmtim të funksioneve të organeve të ndryshme.
Ndërsa deri tani janë infektuar 1700 persona, autoritetet kineze të shëndetësisë kanë bërë të ditur epidemia ka goditur edhe përtej kufijve, në veçanti në Tajlandë dhe Japoni.
Alarmi tashmë është i lartë.
Disa aeroporte nëpër botë kanë filluar kontrollimin e pasagjerëve me frikën e shpërthimit të epidemisë.
Rreth njëqind ekspertë nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve janë dërguar në aeroportin JFK në New York dhe në aeroportet e Los Angeles dhe San Francisco.
Më 30 dhjetor, Kina raportoi për koronavirusin e ri dhe shqetësimi është rritur ndjeshëm pasi është një koronavirus i ri dhe një sëmundje që nuk është parë kurrë më parë.
Shumica e personave të prekur mendohet se janë infektuar nga virusi në një treg me shumicë peshku në Kinë.
Virusi i frikshëm
Koronaviruset mund të shkaktojnë ftohje të zakonshme, por edhe sëmundje serioze të frymëmarrjes, siç janë sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (SARS) dhe sindroma e frymëmarrjes e Lindjes së Mesme (MERS).
SARS - që ka origjinën në Foshan, Kinë, në fund të 2002 transmetohet si nga ajri ashtu edhe nga kontakti dhe ka një periudhë inkubacioni nga dy deri në dhjetë ditë; në raste të rënda mund të jetë vdekjeprurëse. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), midis 2002 dhe 2003, ajo shkaktoi 813 vdekje dhe 8,437 infeksione në tridhjetë vende, midis tyre edhe në Europë