Koronavirusi/Ulen shifrat e viktimave dhe të infektuarve në Itali në 24 orët e fundit! Shënohet dita e parë pozitive në Lombardi! 14 700 viktima në botë (VIDEO)

Ndërsa në botë numërohen mbi 14 700 viktima dhe 340 mijë të infektuar, ku më shumë se gjysma janë në Europë, me më shumë se 35 mijë raste pozitive të koronavirusit, Shtetet e Bashkuara kanë kapërcyer Spanjën duke u bërë vendi i tretë nga numri i të infektuarve, pas Kinës dhe Italisë teksa numri i viktimave në Amerikë është më shumë se 470 ku qytetet më të prekur janë New York, Washington dhe California.

Me vetëm rreth 40 infeksione të reja, edhe këto të identifikuara te të ardhurit nga jashtë Kinës, dragoi i Azisë po mundohet të marrë frymë pa maskë

Punonjës shëndetësorë që edhën për të ndihmuar qytetin e Wuhan, tani po kthehen në shtëpitë e tyre të origjinës, të përcjellë me duartrokitje. Gati 200 muze në të gjithë Kinën kanë rihapur dyert e tyre për publikun, ndërsa epidemia duket se vazhdon të zhytet, edhe pse jo pa masa të rrepta sigurie. Muzetë gjithashtu kanë modernizuar sistemet e ventilimit dhe stafi i dezinfekton rregullisht objektet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:31
Itali/ Shërohet 95-vjeçarja, pacientja më e vjetër që mposht koronavirusin

1584995527_itali2.jpg

Një 95-vjeçare, e cila u diagnostikua me koronavirus këtë muaj është shëruar plotësisht, duke u kthyer në pacienten më të vjetër në botë që arrin ta mposhtë.

Alma Clara Corsini, nga Fanano, u shtrua në një spital në provincën veriore të qytetit të Pavullo më 5 mars pasi shfaqi shenja të virusit.

Stafi mjekësor tani ka konfirmuar se trupi i të moshuarës ka reaguar ndaj medikmnteve dhe është shëruar plotësisht.

 “Po, po, jam mirë. Ata ishin njerëz të mirë që kujdeseshin për mua dhe tani do të më dërgojnë në shtëpi për pak”, ka thënë Corsini për mediat italiane.

Mjekët thanë se 95-vjeçarja arriti të shërohej pa terapi antivirale, ilaçe që përdoren për pacientët të cilët janë të prekur nga Covid-19.

Sipas mediave italiane e moshuara u kthye në ‘krenarinë e stafit‘ gjatë qëndrimit në spital.

Ora 19:06
Pandemia nga koronavirusi, OBSH: Ritmi i përhapjes, shumë shqetësues

Pandemia po përshpejton ritmet, deklaroi sot drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus. Sipas tij, shifra e të infektuarve në të gjithë botën ka arritur në 350.000, ndërkohë që 100.000 janë të shëruarit. Por shumë më shqetësues është ritmi i përhapjes së sëmundjes. Kreu i OBSH tha se për të arritur në numrin e 100 mijë të sëmurëve kaluan 67 ditë, por kalimi nga 100 mijë deri në 200 mijë u krye në vetëm 11 ditë. Ndërkohë, për të kapur shifrën e 300 mijë vetëve u deshën vetëm katër ditë, shtoi Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ora 19:02
Ulen shifrat e viktimave dhe të infektuarve në Itali në 24 orët e fundit! Shënohet dita e parë pozitive në Lombardi

Për të dytën ditë radhazi në Itali numri i viktimave dhe të infektuarve shënon ulje në Itali, edhe pse shifrat mbeten ende të larta. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 602 të vdekur dhe 408 të shëruar, ndërsa të infektuar të rinj me Covid 19 janë 3 780 persona duke shënuar ulje krahasuar me ditën e djeshme. Ky ritëm ulje vijon prej dy ditësh dhe shpresojmë që kjo të jetë dhe koha kur epidemia ka arritur pikun dhe po vjen drejt uljes dhe vënies nën kontroll.

Gjithashtu edhe Lombardia, zona më e prekur dhe vatra e epidemisë ne Itali ka shënuar sot ditën e parë pozitive me ulje të numrit të vikamave dhe rasteve të infektuara gjatë 24 orëve të fundit. Gjatë kësaj kohet në luftë me koronavirusin, në Lombardi kanë humbur jetën 24 mjekë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Mbrojtja Civile në Itali aktualisht janë 50.418 njerëz të infektuar, 6.077 viktima dhe 7,432 të shëruar. Ndërsa në botë ka mbi 350 mijë të infektuar nga koronavirusi dhe 100 mijë të shëruar. 

Ora 16:21
Koronavirusi-Ballkan, i gjithë rajoni me viktima nga pendemia

Në Maqedoninë e Veriut, viktimat e koronavirusit janë dy. Një pacient me COVID 19 ndërroi jetë në klinikën për sëmundje infektive në Shkup. Bëhet fjalë për një 63 vjeçar nga Dibra. Ai ishte shtruar në spital më 17 mars, pa temperaturë të lartë trupore. Por gjatë natës, gjendja e tij është përkeqësuar papritur dhe pacienti ka humbur jetën. Një ditë më parë, ishte regjistruar po ashtu viktima e parë nga virusi korona, një 57 vjeçare nga Kumanova.

Në Greqi ndërkohë, numri i viktimave ka shkuar në 17. Viktima e fundit, e regjistruar mëngjesin e të hënës, ishte një 78 vjeçar. Në këtë vend, numërohen aktualisht 624 të prekur. Policia është vënë ndërkohë në pika kyçe për të verifikuar respektimin e kufizimit të lëvizjeve, që hyri në fuqi nga ora gjashtë e mëngjesit të së hënës. Ata që shkelin urdhërin për të qëndruar në shtëpi, përballen me një gjobë prej 150 eurosh.

Edhe Kosova shënoi vdekjen e parë nga koronavirusi të dielën, një 82 vjeçar nga Podujeva. Në total 567 persona janë testuar për koronavirus në Kosovë dhe 31 persona kanë rezultuar pozitivë.

Të dielën, viktima e parë me koronavirus u shënua edhe në malin e zi, vendin e fundit ballkanik që u prek nga Covid 19 dhe që për momentin është edhe më pak i prekuri. Viktima ishte një 65 vjeçar, me probleme në mushkëri. Ai kishte qenë në fillim të marsit në serbi ku edhe dyshohet se e kishte marrë koronavirusin. Numri i të prekurve në mal të zi, është aktualisht 21 të prekur. Në serbi ndërkohë, numri i rasteve është 171 dhe po ashtu është regjistruar një viktimë. Vendi shpalli gjendjen e emergjencës të dielën duke kufizuar lëvizjen për të gjithë ata që janë mbi moshën 65 vjeç ndërsa nga e mërkura u vendos edhe ndalimi i qarkullimit gjatë natës.

Ora 14:21
Koronavirusi, dy reanimatorë italianë krijojnë dopio ventilatorin që i jep jetë dy pacientëve njëherazi

Kur krijimtaria, shkathtësia dhe mençuria e italianëve mblidhen bashkë për të përballuar një problem serioz, lindin zgjidhje të cilat, edhe në krizën më të madhe të pas periudhës së pasluftës si ajo që po përjeton Italia, mund të japin frymë dhe lehtësim, për pacientët dhe mjekët që po përballen me  mungesën e respiratorëve për shkak të numrit të madh të të infektuarve nga infeksioni i koronavirusit.

Në Itali, dy profesorë reanimatorë të shkencave Mjekësore të Universitetit të Bolonjës kanë krijuar një qark, i aftë të për të lidhur një respirator në dy pacientë në vend të një dhe brenda 48 orësh kompania Mirandola e realizojë atë dhe furnizoi spitalin e qytetit me modelin mekanik të prototipit të parë, të testuar me sukses në spitalin e Sant’Orsola në Bolonjë.

Respiratori mekanik për të furnizuar dy pacientë tani ka hyrë në prodhim dhe do të dërgohen në provincat më të prekura nga infeksioni i koronavirusit.

Komisioneri për emergjencën e Koronavirusit, Sergio Venturi është shprehur se kjo u realizua fal bashkëpunimit të suksesshëm mes mjeksisë dhe industrisë, gjë e cila do të  vërë në dispozicion të sistemit shëndetësor një pajisje shumë të çmuar, e aftë të dyfishojë vendet në kujdesin intensiv.

Protagonisti kryesorë i mekanizmit është Profesori Marco Ranieri, drejtor i Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intensiv në spitalin e Sant’Orsola si dhe profesori Antonio Pesenti që duke u këshilluar edhe me kolegë të tjerë, krijuan qarkun që shpëton jetë.

Porosia e bërë te kompania Mirandola është për rreth 1000 copë të cilat fillimisht do të shpërndahen në Emilia-Romagna dhe Lombardi ku nevoja është edhe më e madhe

Sidoqoftë, ka situata në Emilia-Romagna të cilat përkundër përpjekjeve të bëra janë në kufijtë e fundit përsa i takon numrit të shtretërve në kujdesin intensiv. Plani i Rajonit është për të rritur numrin e shtretërve shtesë për pacientët me Covid-19. Në Parma numri i tyre është shtuar me 3.023 vende nga të cilat 416 në kujdes intensiv. Konkretisht, në Piacenza ka 578 shtretër (nga të cilët 40 për kujdes intensiv), 675 në Parma (58 kujdes intensiv), 550 në Reggio Emiglia (48 kujdes intensiv), 280 në Modena (74 kujdes intensiv), 453 në zonën metropolitane të Bologna dhe Imola (105 në kujdesin intensive), 58 në Ferrara (22 në kujdesin intensive) etj etj.

Strukturat private të akredituara

Edhe spitale private kanë vënë në dispozicion të Ministrisë së Shendetësisë shtretërit e tyre që tashmë janë pjesë e rrjetit të spitaleve dhe reparteve për pacientët me Covid. Në Piacenza, zona më e prekur nga koronavirusi, ushtria dhe Mbrojtja Civile po përfundojnë ndërtimin e një spitali në terren, ku personeli mjekësor ushtarak do të punësohet dhe do të ketë 40 shtretër shtesë. Gjithashtu në Piacenza do të punësohen mjekë dhe infermierë shtesë, përfshirë ata që do diplomohen në javët e fundit dhe që kanë shprehur gadishmërinë e tyre për t'u thirrur në shërbim.

Ora 13:19
Koronavirusi-Kryeministri italian Conte: Na presin ditë të vështira. Autoritetet e shëndetit: Në dy javë masat e marra japin efekte të prekshme (VIDEO)

Kryeministri italian Giuseppe Conte tha se: Këto do të jenë ditët më të vështira më të vështira pasi ende nuk është arritur faza më akute dhe numrat e pandemisë edhe mund të rriten, duke shtuar se megjithatë situata e pritshme varet shumë nga sjellja e përgjegjshme e secilit. Conte tha gjithashtu se italianët duhet të bëjnë pjesën e tyre në këtë luftë në mënyrë që të ulen dëmet nga ky test i vështirë.

Te autoritetet e shëndetit megjithatë vihen re shenja të një entuziazmi të kontrolluar dhe besojnë se në dy javët e ardhshme masat e marra do japin efekte të prekshme.

Gjithsesi, sipas tyre, është thelbësore të mbahen dhe të rritet vigjilenca ndaj zbatimit të masave të rrepta sa më gjatë që të jetë e mundur, përndryshe rrezikohet përhapja e koronavirusit në gjithë Italinë, nga veriu në jug.

Ora 10:44
Koronavirusi, CNN: Italia i kërkon ndihmë pentagonit. Teste tamponi te të gjithë profesionistët dhe punonjësit e shëndetit

Ndërsa pritet me padurim informacioni i sotëm i Mbrojtes Civile Italiane mbi numrin e të infektuarve dhe vdekjet nga koronavirusi, pas informacioneve shpresëdhënësve të ditës së djeshme, ndërkohë, janë regjistruar të dhëna alarmante për të prekurit me Covid-19 në rradhët e punonjësve të kujdesit shëndetësor në Itali - 4824, dy herë më shumë se në Kinë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i epidemisë, janë infektuar 4,824 profesionistë shëndetësorë, shifër e barabartë me 9% të numrit të përgjithshëm të personave të infektuar, një përqindje më shumë se dyfishi i të njëjtave raste në Kinë. Në këtë situatë autoritetet e shëndetit kanë vendosur të kryejnë testin e tamponit te të gjithë profesionistët dhe punonjësit e shëndetit si dhe sigurimin e sasive të domosdoshme të mjeteve mbrojtëse.

Sipas CNN, Qeveria italiane i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë kreut të Pentagonit, Mark Esper, për të marrë ndihma në pajisje mjekësore të tilla si maska dhe respiratorë kundër koronavirusit.

Po sipas CNN, ekzekutivi italian i ka kërkuar gjithashtu personelit ushtarak amerikan të vendosur në Itali të ndihmojë me personel mjekësor dhe spitale fushore në mbështetje të përpjekjeve qeveritare.

Ora 09:50
Koronavirusi - Londra drejt izolimit me forcë të të infektuarve. Gjermania ndalon kontaktet fizike. Franca optimiste për rihapjen e shkollave

Ndërsa Kina duket se po del gjithnjë e më shumë nga tuneli i pandemisë dhe për të pestën ditë me rradhë nuk ka regjistruar raste pozitiv nga Covid-19, në luftën kundër koronavirusit, Europa tani duket se është shkundur nga letargjia.

Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria e Boris Johnson ka kërcënuar me arrestim dhe izolim të detyruar të gjithë rastet e konstatuara të prekur nga infeksioni, nëse ata nuk zbatojnë rregullat e përcaktuara në emergjencën shëndetësore.

Me më shumë se 7000 infeksione dhe njëqind viktima, autoritetet në Zvicër po mendojnë të nxjerrin rreth 8000 ushtarë rezervistë në rrugë për të ushtruar presion mbi qytetarët e pabindur në zbatimin e masave shtrënguese.

france-lockdown-police.jpg" style="height:492px; width:700px" />

Edhe në Francën me 670 viktima, autoritetet kanë mobilizuar ushtrinë në mbështetje të forcave në terren. Ndërkohë, Ministria e Arsimit është treguar optimiste teksa parashikon një rihapje të shkollave më 4 maj.

Gjermani, masat kufizuese që synojnë të shpëtojnë jetë do zgjasin për të paktën dy javë dhe ligji i ri parashikon gjoba të majme për shkelësit e tyre. Kufizimet e nxjerra nga qeveria parashikojnë grumbullimin e më shumë se dy personave, kontaktin fizik të kufizuar, ruajtjen e distancës minimalisht prej 1.5 metra, mbylljen e bareve dhe restoranteve, grupet vullnetare do u shërbejnë ushqim në shtëpi moshave të treta.

Ora 09:04
Koronavirusi - Spanja e gjunjëzuar nga pandemia. Gjermania ndihmon Francën. Europa Lindore me masa radikale ndaj infeksionit

E ulur në gjunjë nga koronavirusi dhe me spitalet e saj afër kolapsit, teksa numërohen rreth 29 000 të infektuar dhe numri i viktimave është rritur në mbi 1770 Spanja ndodhet në momentin kur duhet të zgjedhë kë do kurojë dhe kë do lerë të vdesë. Preferohet ata që kanë më shumë gjasa të mbijetojnë gjatë trajtimit. Autoritetet bëjnë rreth 1500 teste tampon në ditë, deri tani për një total prej 355 mijë. Situatë tejet dramatike po përjeton Madridi ku janë regjistruar më shumë se një e treat e të gjithë numrit të të prekurve nga Covid-19. Ndërsa spitalet po numërojnë shtrëtërit e fundit në kujdesin intensive deri tani dy hotele janë shndërruar me sforco në spitale ndërkoh që Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa, paralajmëroi se më e keqja ende nuk ka mbërritur.

Kancelarja gjermane Angela Merkel është futur në karantinë vullnetare pasi u takua me një mjek i cili më vonë u testua pozitiv nga koronavirusi. Lajmi u publikua nga zëdhënësi i Merkel menjëherë pas për masa kufizuese në të gjithë vendin. Në Gjermani disa Lande tshmë kanë përshtatur masa të njejta frenuese ndaj pandemisë. Me rreth 25 mijë të infektuar dhe 95 viktima, Qeveria gjermane ka urdhëruar zbatimin e masave sociale si ruajtja e distancës fizike kudo në vend, për dy javë është e ndaluar të takosh më shumë se një person në ditë që nuk i përket familjes tuaj dhe në vendet publike është shpallur e të mbahen të paktën një metër e gjysmë largësi mes njerëzve. 

Në situatën e krijuar nga Pandemia, Gjermania i ka ofruar ndihmë Francës teksa një avion ushtarak me disa pacientë të infektuar nga koronavirusi u transportuan nga qyteti francez Bordo për në spitalet e rajonit gjerman të Baden. Franca gjithashtu ka dërguar prej qyteteve Marsejë dhe Toulon pacientë për tu trajtuar në Zvicër.

Ndërsa Parisi zyrtar numëron mbi 16 mijëtë infektuar dhe rreth 680 viktima, sipas specialistëve të shëndetit gjysma e pacientëve të shtruar në spital në kushte serioze, janë më pak se 60 vjeç. Franca që ka zgjedhur të bëjë teste vetëm në rastet më serioze dhe për personelin shëndetësor numëron deri tani një total prej gati 40,000 prova tampon.

Në Belgjikë, Kryeministri Sophie Wilmès mbajti një ceremoni në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të vitit 2016 me shumë pak njerëz për shkak të epidemisë teksa në vend numërohen më shumë se 3400 të infektuar dhe 75 viktima.

Në Britaninë e Madhe kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se nëse qytetarët nuk bëjnë një përpjëkje kolektive sistemi shëndetësorë mund të kolapsohet dhe se ditë të vështira si në Itali do vijnë pas 2-3 javësh. Shteti ishullor numëron deri tani rreth 580 të testuar pozitiv me C0vid-19 dhe mbi 280 viktima.

Edhe Austria, me 3600 të infektuar dhe 16 vdekje të regjistruara, po përjeton qetësinë e panatyrshme të imponuar nga masat kufizuese në përgjigje të situatës së krijuar nga pandemia. Ndërsa qeveria ka vendosur orare të reduktuara lëvizje në disa zona, gjithashtu ka deklaruar se shkelqsit e këtyre masave dëniohen me deri 3,600 € gjobë. Përgjatë lumit Danub, forcat policore kontrollojnë çdo 30 minuta nëse ruhet distanca e sigurisë mes njerëzve. Në vend numri i të infektuarve ka tejkaluar shifrën 3000 ku rajoni më i prekur është Tyrol i cili do të jetë në karantinë deri më 13 prill.

Qeveria hungareze ka lajmëruar për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për një kohë të pacaktuar si dhe ka deklaruar se do të dënohen deri me 5 vite ata që përhapin informacione të rreme në lidhje me pandeminë ndërsa në vend ka 167 pozitiv me koronavirus dhe 7 vdekje.

Polonia duket se po adopton modelin Korean me kontrolle të befasishëm në shtëpi për të vërtetuar nëse njerëzit ndodhen në karantinë. Autoritetet deri tani kanë deklaruar 634 të prekur nga virusi dhe 7 raste vdekje.

Kroaci, pas rritjes dramatike të numrit të te infektuarve në 254 dhe një vdekje, qeveria e Zagrebit ka urdhëruar pezullimin e funksionimit të transportit publik në të gjithë vendin për një afat një mujor. Masa shtrënguese parashikon ndalimin e plotë të lëvizjes së tramvajeve dhe autobusëve si dhe ndërprerjen e trafikut hekurudhor kurse trafiku detar u lejohet vetëm mjeteve të transportit të furnizimeve.

Në Serbi ku të infektuarit janë 222 dhe numri i viktimave është 2, autoritetet në përpjëkjë për të frenuar epideminë, për njërëzit mbi 60 vjeç është caktuar një orar i veçantë për të kryer shërbimet e nevojshme në farmaci apo supermarkete dhe paskësaj e kanë rreptësisht për të dalë nga shtëpia. Edhe Beogradi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka reduktuar në vetëm 8 orë lirinë e lëvizjes.

Turqia me rreth 1250 raste infeksioni dhe 30 vdekje, ka kufizuar qarkullimin e personave mbi 60 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike si pjesë e masave të marra nga qeveria e Ankarasë për të përmbajtur epideminë e koronavirusit. Kufizimet kanë të bëjnë me ndalimin për ta që të shkojnë në parqe, kopshte publike dhe vende të hapura.

Në Greqinë fqinje numri I viktimave është rritur në 15 kurse të prekurit nga Covid-19 është rreth 630. Nga sot është shpallur ndalim qarkullimi. Drejtuesit e makinave si dhe këmbësorët që dalin nga shtëpia duhet të kenë një formular që tregon arsyen e daljes nga shtëpia, orarin e fillimit dhe mbarimit të punës, adresën e shtëpisë si dhe  leje të aprovuar kur duhet të shkojnë në farmaci apo supermarket. Për shkelësit e rregullave dënimi është me gjobë.

Ora 08:58
Koronavirusi-Itali, faza 2 në Rajonin e Veneto-s, testime në rrugë për të zbuluar rastet me infeksion

"Modeli Veneto" i kontrollit të infeksionit ka startuar në fazën 2. Guvernatori Luca Zaia ka mbështetur dy nisma që mendohet se do të frenojnë përhapjen e infeksionit, e para: testimi i popullatës, në rrugë dhe në baza vullnetare, me një pajisje antitrupash, për të identifikuar kush e ka patur koronavirusin në formë asimptomatike dhe e ka kaluar atë dhe e dyta: një fushatë paralele masive, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të mikrobiologut Andrea Crisanti (i njëjti që propozoi marrjen e mostrave të të gjithë banorëve të Vo '), për t'i nënshtruar kategoritë më të ndjeshme ndaj infeksionit për të kryer testin e tamponit, përfshi gjithë ata që kanë për shkak të punës kanë kontakte me publikun si psh 54 mijë punonjësit e shëndetit publik, oficerët e zbatimit të ligjit, punonjësit e supermarketeve apo dhe shoferët e autobusëve. Mendohet se numri i testeve që mund të kryen brenda një jave do jetë rreth 13 000. 

 "Nëse në Veneto ka shumë raste infeksioni kjo është për shkak se ne e kërkojmë koronavirusin” – tha Zaia.

Autoritetet në Veneto gjithashtu do të testojnë edhe Avigan, ilaçin kundër gripit i përdorur në Japoni dhe që mendohet se është  një antiviral efektiv kundër koronavirusit nëse ai përdoret te të infektuarit që në simptomat e para, por Agjensia Italiane e Barnave, ka deklaruar se për Avigan "Nuk ka prova që funksionon".

Nga sot në Itali ka hyrë në fuqi masa më e fundit qeveritare në përpjekje për të frenuar rritjen e numrit të rasteve me infeksion prej pandemisë nga koronavirusi. Qeveria ka urdhëruar mbylljen e të gjitha aktiviteteve jo-thelbësore të prodhimit, por supermarketet dhe farmacitë do të qëndrojnë të hapura, si dhe do vazhdojnë të garantohen shërbimet thelbësore si ato bankare, postare dhe transporti.

Masa më e fundit drastike do të ngadalësojë motorin prodhues të vendit, por të paktën nuk do ta ndalojë atë, një sakrificë ekonomike për të garantuar atq që është më e shtrenjtë, jetën. Pas një të shtune tejet dramatike përsa i përket numrit të viktimave dhe rasteve të reja të infektuar, dje Këshilltari për Shëndetin në Rajonin e Lombardisë, Giulio Gallera tha se në dy ditët e fundit fluksi nëpër spitale i personave të sëmurë është ulur ndjeshëm dhe se rënia e infeksioneve është një sinjal që duhet kuptuar, pa entuziazëm dhe mbivlerësim. Por sinjalet positive po vijnë në të njëjtën kohë që edhe autoritetet presin të shohin shenja të prekshme të efektivitetit të masave të ndërmarra

Franco Locatelli, drejtor i Këshillit të Lartë të Shëndetit tha se “Masat e para të rrepta qeveritare janë marrë në 11 Mars, kështu që pritet të shohim rezultate këto 2-3 javë. Kështu që java e ardhshme do të jetë absolutisht thelbësore nga ky këndvështrim dhe ne presim të shohim një sinjal përmbysjeje kurbe të infeksionit”.

Locatelli tha se është thelbësore të mbahen dhe të rritet vigjilenca ndaj zbatimit të masave të rrepta sa më gjatë që të jetë e mundur, përndryshe rrezikohet përhapja e koronavirusit në gjithë Italinë, nga veriu në jug.

Lajmi i mirë përfshin gjithashtu mbërritjen e ndihmave nga Rusia që përfshijnë kamionë për dezinfektim, spitale në terren, 100 ventilator polmonarë dhe 500 mijë maska.
Ndihma është shoqëruar edhe nga rreth 100 mjekë me përvojë ndërkombëtare në raste epidemish.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Perradha: 23/03/2020 18:12

    Ku Jane Fabrikat e Prodhimit. ! Pse nuk fuksionojne te prodhojne ,,, Fabrikat e Metaleve punojne kudo,, atehere lind. Pyetja ? Pse Fabrikat e Aspiratoreve nuk eshte ne prishim.per te shpezuar Jete Njerezish kudo. ? Ketu mbase ka ndonje Liste dhe Plan...se sa do vdesin dhe kush do vdesi. ??

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan