Koronavirusi 12 viktima në Itali/ Infektohen të miturit, shërohet gruaja në Romë! Conte: Jo panik! Di Maio kundër lajmeve të rreme (VIDEO)

"Eshtë koha për të zbutur tonet dhe të ndalet paniku", - ishin këto fjalët që theksoi më shumë kryeministri italian Giuseppe Conte në selinë e Mbrojtjes Civile në Romë bashkë me komisarin përgjegjës për emergjencën e koronavirusit, Angelo Borrelli dhe gjithë ministrat gjatë një video konference me guvernatorët e rajoneve të Italisë.

Conte tha se paniku, shtoi kësaj edhe emergjencën shëndetësore, janë pasojat e frikës së pakontrolluar në vend aq sa RAI-t iu kërkua të ndalojë alarmet e kota kurse Ministri i Jashtëm Luigi di Maio ka përgatitur një plan kundër lajmeve të rreme për Italinë në pjesën tjetër të botës

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga izolimi i vendosur në zonat e prekura dhe masat paraprake të shtrira në të gjithë Italinë (anulimi i konferencave, panaireve, ngjarjeve publike, udhëtimeve shkollore), tani për tani janë të vështira për t'u llogaritur. Por të kombinuar me dëmet e masave të pajustifikuara të vendosura nga shtetet e tjera, dhe fryrjen e frikës në jetën e përditshme të miliona qytetarëve, mund ta ulnin vendin në gjunjë, duke e bërë edhe më të ndërlikuar menaxhimin e krizës.

Raportet ekonomike që kanë mbërritur në tryezën e qeverisë janë shqetësuese po të kemi parasysh se provincat e prekura (Pavia, Lodi, Kremona dhe Milano) kanë vlerë 12% të PBB-së italiane dhe 2% të asaj të Eurozonës.

Vetëm në 'zonën e kuqe'  ka 63 kompani të mesme dhe të mëdha, duke mos llogaritur dyqane dhe biznese, me mbi 4000 të punësuar dhe 1.7 miliard euro në qarkullim në vitin 2019. Sipas kryeministrit italian, "Ndërhyrja në  mënyrë drastike ishte thelbësore, por duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që të gjitha masat të jenë proporcionale dhe jo kundërproduktive ".

Guvernatori lombard Attilio Fontana dje e përcaktoi koronavirusin si "pak më shumë të rrezikshëm se gripi normal" kurse Walter Ricciardi, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetit, dhe tani këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë për virusin, tha se "Nga 100 njerëz të sëmurë, 80 shërohen spontanisht, 15 paraqesin probleme serioze por të menaxhueshme në mjedisin e kujdesit shëndetësor, 5% shumë seriozë dhe vetëm 3% e tyre vdesin ”, duke shtuar se "të gjithë 12 viktimat e koronavirusit ishin në kushte të rënda shëndetësore edhe si pasojë e sëmundjeve të tjera të mbartura ndër vite".

Për qeverinë italiane shqetësimi kryesorë është shëndeti i popullatës, por pikërisht për këtë arsye informacioni për rrezikun e epidemisë duhet të jepet si duhet, pa alarme dhe tone të larta paniku dhe frike. Ministri i jashtëm Di Maio tha se "Ka shumë lajme të rreme të përhapura në vendet e tjera në lidhje me emergjencën e epidemisë në Itali", se " zonat e prekura nga koronavirusi janë të limituara" dhe se ai do ti kërkojë të gjitha vendeve të mos zbatojnë masa joproporcionale ndaj Italisë.

Teksa në pesë vende europiane, dhjetë shtetas italianë apo shtetas të huaj të kthyer nga Lombardia janë identifikuar të infektuar, histeria kolektive ka përfshirë shtetet fqinje me Italinë dhe jo vetëm të cilët nuk janë menduar dy herë për të vendosur masa kufizuese apo dhe karantinore nga frika e infeksionit.

Në lidhje me çështjen Kryeministri Conte e quajti të padenjë sjelljen e këtyre vendeve duke shtuar se qeveria italiane nuk mund t'i pranojë këto veprime. Por, të paktën nga vendet e BE kryeministri ka marrë garancinë se nuk do të ketë mbyllje të kufijve. Conte tha se për shërbimi Kombëtar i Shëndetit, mjekët dhe shkencëtarët italianë konsiderohen të jenë të nivelit më të lartë në Europë dhe gëzojne besimin e të gjithëve, pavarësisht se Franca u ka kërkuar qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimet në zonat e infektimit.
Ndërsa epidemia e Coronavirus në Itali ka alarmuar popullsinë dhe ka vënë në provë të vështirë politikën, për Brukselin nuk do të preket Zona Shengen, gjë e cila u rikonfirmua edhe njëherë sot Komisarja Europiane e Shëndetit  Stella Kyriakides.

Gjithsesi, pavarësisht masave të menjëhershme të ndërmarra që në momentin e parë të shpërthimit të epidemisë, alarmi i koronavirusit mbetet i lartë në veri të Italisë, ku pikat e kontrollit që kontrollojnë zonat e ashtuquajtura të 'kuqe' të prekur nga emergjenca janë rritur nga 15 në 35 ndërkohë që numri i viktimave është 11, të gjithë të moshës së tretë dhe mbi 80 vjeç, me probleme të mëparshme shëndetsore, kurse të infektuarit e identifikuar janë mbi 300.

Giovanni Rezza, drejtor i departamentit të sëmundjeve infektive të Istitutit Superiorë të Shëndetit,  tha në një konferencë për shtyp se "Në Itali ka një një numër të madh të të moshuarve mbi 75 vjeç dhe kjo shpjegon  shkallën e vdekshmërisë 2-3%. Për kreun e mbrojtjes civile italiane, Angelo Borrelli, situata është nën kontroll pas ndërhyrjes me masa të rënda të cilat besohet se kanë nisur të japin efektet e para.

Deri tani numri i personave të infektuar nga koronavirusi në Itali është 374 kurse numri i viktimave ka shkuar në 12, të gjithë të moshës së tretë dhe me sëmundje të tjera të mbartura.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:35
Koronavirusi, gazetari spanjoll që 'shkatërroi' për publikun spanjoll gjithë alarmizmin e Milanos

U desh një gazetar spanjoll, veterani Lorenzo Milá, për t'i ulur të gjithë me këmbë në tokë, edhe në Itali. I dërguar në Milano për të mbuluar emergjencën e koronavirusit dhe valën në rritje të panikut të shkaktuar nga epidemia, korrespodenti i televizionit kombëtar spanjoll ftoi të gjithë të tregoheshin racional.

Në lidhje të drejtërdrejtë me programin ‘Los Desayunos’ dhe prezantuesin Xabier Fortes, Milà shpjegoi me shumë qetësi se ata që vdiqën nga ‘COVID-19’ ishin të moshuar dhe kishin probleme shëndetësore.

"Mjekët këtu nuk lodhen kurrë dhe na thanë që po ballafaqohen me një lloj gripi. E vërtetë, ne nuk kemi memorje virale, nuk ka vaksinë, por shumica e të infektuarve shërohen në shtëpi, sikur të ishte një grip i zakonshëm. Më pak se gjysma janë shtruar në spital dhe vetëm 25 në kujdes intensiv".

Megjithatë, pavarësisht nga indikacionet e komunitetit shkencor, "duket se alarmizmi po përhapet më shumë sesa të dhënat reale," shtoi ai.

Shumë njerëz në Spanjë e kanë falënderuar atë publikisht për raportimin e të vërtetës në lidhje me atë çfarë po ndodh në Itali.

Lorenzo Milá filloi të punojë në televizion në 1986. Ai ka marrë çmime të shumta kombëtare gazetareske. Pas disa vitesh në New York, nga viti 2014 ai është korrespodent në Romë i TV kombëtar spanjoll.

Ora 16:58
Koronavirusi mbërrin në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi, dy gra të infektuara

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, në një konferencë të jashtëzakonshme ka bërë të ditur se një grua e moshës 50-vjeçare ka rezultuar pozitive në testin për koronavirusin.

“Bëhet fjalë për grua, e cila ka qëndruar në Itali tek të afërmit e saj për një muaj. Dy javë të tëra ka qenë e sëmurë dhe është trajtuar në Itali. Ajo ka udhëtuar për në vendin e saj me autobuz dhe për momentin dyshohet të ketë infektuar edhe të tjerë. Gruaja do të qëndrojë në izolim 14 ditor në Klinikën për sëmundje infektive” - tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Virusi vdekjeprurës tanimë ka arritur edhe në Greqi. Autoritetet e atjeshme konfirmuan se një grua e moshës 38 vjeçe ka rezultuar pozitive në testimin e koronavirusit. 

Ora 16:28
Koronavirusi/Itali, Letra e drejtorit të shkollës së mesme ‘Volta’ për studentët e tij, e cila është bërë virale

Mësimi zhvillohej edhe gjatë luftës, në rastin më të mirë në shkollë dhe në rastin më të keq në bunker apo strehimore. Kjo është arsyeja pse vendimi për të mbyllur provizorisht shkollat ​​në Milano bëri shumë përshtypje.

"Dje ishin gjermanët kurse sot koronavirusi -shkruan Domenico Squillace, kalabrez 56 vjeç, drejtor i shkollës së mesme ‘Volta’ në Milano i cili përmes një letre drejtuar nxënësve të tij, e cila është bërë virale, shprehte këshilla dhe sillte në aktualitetin e sotëm grimca historie të shekujve më parë kur si dhe sot, diku dhe dikur mbretëronte ankthi, barbaria dhe ‘gjuetia’ për të zbrazur raftet e supermarketeve si dhe sot dhe të përshkruara me aq realizëm në veprat e Manzoni-t dhe Boccaccio, sidomos ato kushtuar epidemisë së murtajës që goditi Milano në vitin 1630.

"Brenda atyre faqeve ka gjithçka, - shkruan profesori- rreziku nga të huajt, përplasja e dhunshme midis autoriteteve, hulumtime spazmatike nga i ashtuquajturi pacienti zero, përbuzja ndaj ekspertëve, zëra të pakontrolluar, mjete nga më absurdet, bastisja e dyqaneve për nevoja themelore, emergjenca shëndetësore”.

Domenico Squillace fton nxënësit e tij që "të mos mashtrohen nga mashtrimi kolektiv dhe të vazhdojnë jetën normale duke marrë masa paraprake ndaj infeksionit të koronavirusit.

"Bëni shëtitje, lexoni një libër të mirë. Nuk ka pse të qëndroni të mbyllur në shtëpi. Nuk ka asnjë arsye të dyndeni në supermarkete, farmaci, maska ​​që kanë mbetur i lini për ata që janë të sëmurë. Shpejtësia me të cilën lëviz koronavirusi nga njëri skaj i botës në skajin tjetër, është si shpejtësia e vajzës së kohëve moderne, që hidhet nga njëri krah në tjetrin, nuk ka mure që mund ta ndalojnë atë".

Ora 16:14
Koronavirusi, viktima e parë në Paris, OBSH: Vetëm 3% e rasteve jashtë Kinës

Franca njofton për viktimën e pare nga koronavirusi në Paris dhe konfirmon 17 raste të infektuar.

Viktima është një burrë 60 vjeç i shtuar prej disa ditësh në spital në Paris.

Dy rastet e tjera të konfirmuara të infektuar sot në gjendje të rëndë dhe ndodhen nën kujdesin intensiv, njëri në Amiens, në veri të vendit, dhe një 36-vjeçar, i shtruar në Spas në Strasburg.

OBSH: Vetëm 3% e rasteve jashtë Kinës

"Deri më tani ka 80.980 raste të Covid-19 në 33 vende, 13 prej të cilave janë në Rajonin Europian. Mbi 95% të rasteve janë në Kinë, vetëm 3% jashtë saj."

Kjo është ‘fotografia’ e bërë bërë nga drejtori i OBSH-së në Europë, Hans Kluge, në një konferencë për shtyp pas samitit në Ministrinë e Shëndetësisë.  Ai tha gjithashtu se 4 nga 5 persona të infektuar nga koronavirusi kanë simptoma të buta.

Ora 16:05
Koronavirusi, sa do të zgjasë epidemia? Flasin ekspertët italianë dhe amerikanë

Sa do të zgjasë epidemia e koronavirusit? Kjo është pyetja që bëjnë sot qindra milionë njerëz në botë.

“Disa muaj”, - kjo ishte përgjigja që dha Profesor Gianni Rezza gazetarëve që e pyetën.

Bashkëjetesa midis Italisë dhe koronavirusit do të jetë e gjatë. Kemi një numër të vogël rastesh. Kemi arritur gjeneratën e dytë ose të tretë të infeksioneve", shpjegon drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Infektive të Institutit të Lartë të Shëndetit duke u përpjekur të sigurojë se "Përhapja e koronavirusit është e kufizuar. Rastet e reja janë pothuajse të gjitha që i atribuohen epiqendrës së epidemisë në zonën e Lodi dhe dy shpërthimeve më të vogla në Veneto". Por Rezza është edhe realist teksa thotë se "Ende presim një rritje të numrit të të infektuarve dhe masat e marra po japin efektet e pritura".

Virusi jashtë kafazit

Me pak fjalë, koronavirusi është midis nesh. "Tani ai ka dale jashtë kafazit," pranon Guido Silvestri, i cili drejton departamentin e Patologjisë në Universitetin Emory në Atlanta.

"Ne e gjejmë koronavirusin pothuajse kudo. Ai ende do të infektojë shumë njerëz. Fatmirësisht nuk bën shumë dëme, veçanërisht te personat nën moshën 60 vjeç. Të rinjtë do jenë në gjendje të mirë kurse fëmijët edhe më mirë. Rreziku më i madh është për të moshuarit dhe të sëmurët në dializë, me sëmundje të zemrës apo frymëmarrjes”.

“Me koronavirusin do të qëndrojmë bashkë edhe për një kohë të gjatë, por në fund do të jemi në gjendje të thyejmë zinxhirin e infeksioneve" parashikon Massimo Ciccozzi, epidemiolog i kampusit biomjekësor të Romës.

Të presim pranverën

Është e mundur që përhapja e koronavirusit të jetë e lidhur edhe me faktorët mjedisorë- shpjegon Silvestri, - Ndoshta temperature e lartë luan një rol në kufizimin e epidemisë.

Përsa i përket pranverës, duhet të presim gjithashtu për të kuptuar drejtimin që do të marrë epidemia. "Në javët e ardhshme, kur pacientë të shërohen, ne do të shohim nëse infeksionet e reja vazhdojnë", shpjegon Giovanni Maga, virolog dhe drejtor i Institutit CNR të Gjenetikës Molekulare të Pavisë.

Ora 15:28
Koronavirusi/Itali, nga sot testet e tamponit vetëm për personat me simptoma, rezultat negativ në 95% të rasteve

Nga sot testet e tamponit për koronavirus do të kryhen "vetëm te personat me simptoma". Kjo është thënë nga drejtori i Këshillit Suprem të Shëndetësisë për mbrojtjen civile, Franco Locatelli.

Testet e tamponit të realizuar deri më tani kanë dhënë një rezultat negativ në 95% të rasteve, shpjegoi Locatelli, duke konfirmuar se rreziku i infeksionit "është i lartë në subjektet simptomatike ndërsa është dukshëm më i ulët te personat asimptomatikë". 

Parlamenti Europian: Karantina 14-ditore për eurodeputetët 

Parlamenti Europian "këshillon dhe rekomandon" një karantinë 14-ditore për eurodeputetët, të cilët kanë qenë në dy javët e fundit në të katër rajonet italiane të prekura nga koronavirusi (Lombardi, Piemonte, Emilia Romagna dhe Veneto). 

Ndërkohë numri i të infektuarve në Itali është 400 kurse numri i viktimave 12.

Viktima e 12-të është pacienti 70-vjeçar, një qytetar lombard që vuante nga sëmundje të tjera të frymëmarrjes. Ai erdhi nga njëra prej bashkive në ‘zonën e kuqe’ të Lombardisë, dhe u shtruar në një spital në Piacenza dhe më pas u transferua në spitalin e Parma.

Prokurori publik i Lodi ka hapur një hetim faktmbledhës për të rikonstruktuar dinamikën e përhapjes së Koronavirus dhe procedurave të miratuara në spitalet e këtyre komunave.

Ora 12:54
Koronavirusi, Greqia regjistron rastin e parë, në Kinë 52 viktima të reja, rritet numri i të infektuarve në Korenë e Jugut

Është konfirmuar rasti i parë me koronavirus edhe në Greqi. Lajmi bëhet i ditur nga mediet greke, të cilat shkruajnë se mostrat e një pacienti të trajtuar në Spitalin Attica kanë rezultuar pozitive me koronavirus. I infektuari është një burrë nga Pireu, ndërsa nuk jepen më shumë detaje.

Koronavirusi ngadalësohet në Kinë, por rritet në Korenë e Jugut

Në epiqendrën e virusit, në krahinën e Hubei, në Kinë janë regjistruar 52 viktima të reja, numri më i ulët i vdekjeve në tre javë, duke e rritur totalin e vdekjeve në 2.762.

Ndërkohë Brazili ka njoftuar rastin e parë te infektuar që është dhe i pari në Amerikën Latine kurse Koreja e Jugut ka njoftuar për 169 infeksione të reja për një total prej 1146 personash kurse numri i viktimave është rritur në 11.

Ky është niveli më i lartë i të infektuarve në botë jashtë Kinës kontinentale, ku epidemia Covid-19 filloi në muajin dhjetor. Ndërkohë, virusi vazhdon të përhapet jashtë Kinës, ku deri tani është i pranishëm në 37 vende. Iraku, Afganistani, Kuvajti, Oman dhe Bahreini kanë njoftuar rastet e para.

Me Pekinin gati një qytet fantazmë, partnerët tregtarë të Kinës janë gjithnjë e më të shqetësuar për ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit për shkak të koronavirusit. Në fakt, në vitet e fundit, Kina është bërë më pak e varur ekonomikisht nga pjesa tjetër e botës. Por pjesa tjetër e botës është bërë gjithnjë e më shumë e varur nga Kina, eksportuesi më i madh, i ndjekur nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

Nderkohë mbi 80% e kompanive të huaja janë rikthyer në punë në Shanghai kurse autoritetet kineze kanë premtuar financim dhe ndihmë për bizneset për tu rikthyer në ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Ora 12:24
Koronavirusi, regjistrohet viktima e 12-të në Itali, shërohet gruaja, e para e infektuar në Itali 

Në Rajonin e Emilia Romagna, në Lombardi është regjistruar viktima e 12-të nga koronavorusi. Ai është një 69 vjeçar me sëmundje të mëparshme të frymëmarrjes.

Më herët, Këshilltari Rajonal për Shëndetin në Rajonin e Lazios, Alessio D'Amato, ka njoftuar se shtetasja kineze e shtruar në spitalin ‘Spallanzani’ në Romë që prej fundit të muajit janar, është shëruar.

"Gruaja kineze ishte identifikuar bashkë me burrin e saj të infektuar nga koronavirusi, por tani gjendja e saj është e shkëlqyer. Në gjendje shumë të mirë është edhe burri i saj”, - tha D'Amato.

Presidenti i Lombardisë, Attilio Fontana, konfirmoi sot infeksionin e një vajze katër vjeçare nga Castiglione d'Adda, një komunë e vendosur në zonën e kuqe.

Këshilltari për Mirëqenie Giulio Gallera tha se ka patur gjashtë fëmijë pozitivë ndaj testeve të koronavirusit në Lombardi, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet e mirë dhe stabile

Ora 11:34
Koronavirusi në Itali, Vatikani mbyll përkohësisht katakombet. Azhornimet e fundit: 400 të infektuar

Komisioni Papnor për Arkeologjinë i Selisë së Shenjtë ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të të gjitha katakombeve të hapura për publikun duke filluar nga sot. 

Vendim erdhi "për arsye që lidhen me situatën e krujiar nga epidemia e koronavirusit” dhe për shkak të "natyrës fizike të katakombeve, në të cilat ka përqendrim të lartë të lagështisë, ventilim dhe hapësira të kufizuara". 

Katakombet që vizitohen nga publik janë të vendosura në Romë, Lazio, Campania, Siçili, Toskan dhe Sardenjë. 

Bilanci i koronavirusit në Itali është 11 të vdekur dhe 357 të infektuar në nëntë rajone të Italisë: 258 në Lombardi, 71 në Veneto,47 në Emilia - Romagna, 11 në Liguria, 3 në Piemonte, Lazio dhe Siçili; 2 në Toscana dhe një në Bolzano.

Ora 09:44
Koronavirusi, infektimet e para te të miturit, Ministria e Shëndetësisë: 95% e të sëmurëve shërohen

Presidenti i Lombardisë, Attilio Fontana, konfirmoi se gjashtë të mitur janë testuar pozitivë për koronavirusin në Lombardi, dy prej të cilëve ndodhen të shtruar në spital. Ata janë një vajzë 4-vjeçare, dy fëmijë 10-vjeçar dhe një djalë 15-vjeçar kurse edhe tre të tjerë po i nënshtrohen analizave.

Këshilltari i Mirëqenies së Rajonit të Lombardisë, Giulio Gallera, tha se nuk është koha për alarm, duke sqaruar se “Për herë të parë në emergjencën e krijuar janë përfshirë fëmijë dhe te të cilët infeksioni është më i lehtë” dhe se virusi "ka efekte shumë më serioze te të moshuarit që kanë patologji të mëparshme”. Ai siguroi gjithashtu se fëmijët janë në gjendje stabile shëndetësore.

Për momentin, zonat e shpërthimit të infeksionit mbeten ato të Lombardisë dhe Venetos dhe të gjithë të infektuarit kanë pasur kontakte me banorët e ‘zonave të kuqe’, ose kishin qëndruar atje. 
Walter Ricciardi këshilltar i ri i Ministrit të Shëndetësisë, Roberto Speranza, bëri thirrje për "uljen e këtij alarmi të madh. Ai tha se 95 përqind e të sëmurëve shërohen dhe se 11 viktimat e regjistruara deri tani ishin të moshës së tretë dhe kishin sëmundje të mbartura.

Mbyllja e shkollave

"Unë mund t'ju siguroj se nuk ka asnjë rrezik që studentët të humbasin vitin"- tha  Ministrja e Arsimit Lucia Azzolina.
"Shkollat në autonominë e tyre shkollore gjithashtu mund të planifikojnë të zgjasin vitin, por nuk do të jetë e nevojshme sepse ne kemi aktivizuar një grup pune për të siguruar mësimin në distancë," shtoi ajo. 

Ministrja e Administratës Publike, Fabiana Dadone  ka lëshuar një direktivë në lidhje me kontrollimin dhe menaxhimin e emergjencës epidemiologjike nga Covid-19 jashtë komunave të prekura të Venetos dhe Lombardisë. Ajo i ka bërë thirrje administratës publike të praktikojë “metoda fleksibël në punë", duke favorizuar ata me patologji dhe ata që kanë ngarkesë të shtuar kujdesin për fëmijët kurse Instituti i Lartë i Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë kanë lëshuar një manifest me dhjetë pika ku përfshihen edhe indikacione të tilla të higjienës personale si larja e shpeshtë e duarve e deri te mohimi i lajmeve të rreme, duke kujtuar se informacionet e sakta për epideminë janë vetëm ato të shpërndara nga këto dy institucione

Ora 09:25
Koronavirusi, dhjetë këshillat e Ministrisë së Shëndetësisë Italiane për të shmangur infeksionin (VIDEO)

Për sa kohë duhet t'i lajmë duart? Cila është largësia që duhet të kemi nga njerëzit e sëmurë që kolliten? Keni nevojë për maskë? Çfarë duhet të bëni dhe çfarë të mos bëni për të zvogëluar rrezikun e infeksionit. Një seri sugjerimesh të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë Italiane, Instituti i Lartë i Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetit.

-         Lani duart për të paktën 20 sekonda me ujë dhe sapun ose me dezifektantë me bazë alkoli 60%

-         Evitoni kontaktet e afërta. Mbani distancë të paktën 1 metër nga personat që kolliten apo kanë ethe dhe temperaturë

-         Mos prekni sytë, gojën dhe hundën me duar. Duart mund të kenë prekur sipërfaqe të kontaminuara nga koronavirusi

-         Tështini brenda të thelluarës së bërrylit

-         Mos përdorni pa këshillën e mjekut antibiotikë apo antiviral. Antibiotikët nuk kanë efekt kundër viruseve por vetëm kundër baktereve

-         Pastroni sipërfaqet që kontaktoni me dezifektant

-         Përdorni maskë vetëm sipas këshillave të OBSH, vetëm kur jeni të infektuar apo kur kujdeseni për një person të sëmurë

-         Mallrat e ardhura nga Kina nuk iu rrezikojnë nga infeksioni sepse virusi nuk mbijeton gjatë në sipërfaqe

-         Personat që kanë ardhur nga Kina apo kanë patur kontakte me njerëz të kthyer nga Kina dhe kanë shenja të infeksionit si temperaturë e lartë, kollë dhe ethe duhet të telefonojnë në numrin e urgjencës

-         Qentë dhe macet nuk janë përhapës të koronavirusit por gjithsesi pas kontaktit me to duhet të lani duart me sapun apo dezifektant

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot