Koronavirusi, 345 viktima të tjera në Itali. Kina si feniksi-rihapen disa shkolla. Macron: Jemi në luftë! Gjermania bllokon gjithçka, Spanja në alarm nga epidemia

"Jemi në luftë". Në orën tetë në mbrëmje, në TV live, presidenti francez Emmanuel Macron përdori fjalë të të forta për të përshkruar emergjencën shëndetësore nga koronavirusi.

Një ditë pasi vendosi, pavarësisht gjithçkaje, për t’i mbajtur të hapura kutitë e votimit për zgjedhjet bashkiake, me turmat pariziane që shëtisnin përgjatë brigjeve të lumit Seine, presidenti francez e kuptoi më në fund se ajo që po luftohet prej ditësh në Itali dhe, më shumë së fundmi në Spanjë, nuk është një betejë vetëm kombëtare, por një luftë që përfshin të gjithë Europën. Dhe kështu ai vendosi të urdhërojë bashkëqytetarët e tij të qëndrojnë Brenda në shtëpi pasi vetëm bllokimi i bar-kafeneve nuk ishte më i mjaftueshëm.

Si dhe në shumë vende europiane presidenti Macron ftoi francezët të dalin nga shtëpitë vetëm për arsye shëndetësore dhe për furnizime me ushqime.

Sipas masave qeveritare francize, ushtria do të vëzhgojë lëvizjet e qytetarëve në rajonin e Ile de France dhe në Grand Est.

Një vendim ky i ardhur pas masave dragoniane të Romës zyrtare dhe Madridit. Edhe Brukseli mori vendimin për të ndaluar të gjithë qytetarët që jetojnë jashtë BE të hyjnë në territorin e Unionit, vendim i cili u mor presionin e Emmanuel Macron.

Panik në Francë.

Stacionet hekurudhore në Paris u sulmuan sot në mëngjes nga ata që duan të largohen nga qyteti në funksion të afatit prej 12 orësh të caktuar nga qeveria si pjesë e masave radikale të ndërmarra në tentative për tu përballur me përhapjen e epidemisë nga koronavirusi

Koronavirusi në Wuhan

Në 24 orët e fundit Kina ka regjistruar vetëm një rast të ri infektimi në Ëuhan, epiqendra e shpërthimit të epidemisë.
Sipas azhornimeve nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC), dje janë regjstruar 13 viktima nga Covid-19, përfshirë 12 në provincën e Hubei, ku Ëuhan është kryeqyteti, dhe një në atë të Shaanxi.
Gjithashtu në gjithë territorin ka patur edhe 142 raste të rikthimit të infeksionit.
Koreja e Jugut ka miratuar masa të reja shtrënguese për tu përballur me përhapjen e epidemisë teksa në vend në 24 orët e fundit janë regjistruar 84 raste të reja të koronavirusit që e kanë rritur totalin e të prekurve në 8320 kurse numri i viktimave është rritur me 81. Gjithsesi prej rreth një jave tendenca e numrit të vdekjeve është nën 100.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:53
Koronavirusi, Virologët: Humbja e perceptimit  të aromës dhe shijes, shenja se mund të jesh i infektuar

Humbja e perceptimit të aromës dhe shijes mund të jetë një nga simptomat që shfaqet te të infektuarit nga koronavirusi.

Sipas virologut gjerman, Dr. Hendrik Streeck i cili është duke koordinuar masat e marra nga qeveria gjermane në përpjekje për të frenuar epideminë e koronavirusit në zonën e Heinsberg, qyteti në North Rhine-Westphalia, ku është edhe epiqendra e përhapjes së epidemisë në Gjermani, pasi janë intervistuar të gjithë personat e infektuar ka rezultuar se dy të tretat e tyre kanë patur humbje të ndjesisë së aromës dhe shijes për disa ditë.  Kjo ishte aq e fortë sa një nënë nuk ishte në gjendje të perceptonte erën e pelenës së pistë të foshnjës së saj.

Diarre e zakonshme 

Ndër simptomat e tjera të identifikuara, përveç kollës së thatë dhe etheve, Dr Streeck shpjegon se ka vërtetuar një incidencë të konsiderueshme diarreje, e cila ishte e pranishme në 30% të personave të infektuar, gjë që tregon se  virusi mund të sulmojë edhe traktin gastrointestinal.

Edhe Massimo Galli, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Milanos dhe shef i departamentit të Sëmundjeve infektive në spitalin Sacco i pohon konstatimet e kolegut gjerman. "Në pacientët tanë ne shpesh shohim simptomat e anosmisë (ndryshimi i erës) dhe dysgeusia (ndryshimi i shijes) - konfirmon Massimo Galli.

Humbja e shijes dhe erës mund të shfaqet edhe në infeksione të tjera të traktit respirator, por në Covid-19 ato shfaqen më të shpeshta dhe më të rënda.

Galli thotë gjithashtu se "Për momentin nuk e dimë nëse shqetësimi është kalimtar, domethënë nëse me shërimin ndjeshmëria mund të rikuperohet plotësisht. Mund të them me siguri - përfundon Galli - se është një simptomë që shfaqet drejt fundit të infeksionit, kur pacienti po shërohet dhe nuk është një shenjë në fillesat e infeksionit.

Ora 18:33
Koronavirusi/Itali, 26.062 të infektuar, 2.941 të shëruar dhe 2503 viktima nga virusi i Wuhan

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane numri i përgjithshëm i të infektuarve është 26.062. (2989 më shumë se dje).  

Numri i pacientëve të shëruar është rritur në 2.941, (195 më shumë se dje).

Numri total i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 2503 teksa sot numri i viktimave ishte 345.

Të hënën në Itali u regjistruan afro 2.500 raste të reja të koronavirusit, një shifër e lartë por më e ulët se 2863 të regjistruar të dielën.

Kurba e uljes së infeksionit është ajo që mezi presin të gjithë në Itali, sepse edhe nëse spitalet në Lombardi janë në luftë, edhe pse ka shumë viktima që largohen nga kjo jetë çdo ditë, infeksioni mund të frenohet.

Këto ditë pritet të shikohen edhe efektet e masave karantinë të ndërmarra nga qeveria e kryeministrit Conte. Gjasat janë që efektet të jenë të prekshme po të kihen parasysh numrat e të infektuarve në zonën e kuqe të Lodit ku thuajse nuk ka të infektuar të rinj.

Ndërkohë, qeveria italiane ka forcuar masat shtrënguese duke futur krimin e "epidemisë" në rastet që parashikojnë deri edhe burgim nga 3 deri 12 vjet për ata që shkelin karantinën.

Ora 14:55
Koronavirusi/ Zvicra tani teston vetëm pacientët me rrezik të lartë

1582786868_koronavirusi.jpg

Autoritetet shëndetësore në Zvicër kanë vendosur të aplikojnë testet e koronavirusit vetëm tek personat mbi 65 vjeç ose ata me probleme shëndetësore ekzistuese, që kanë një rrezik më të lartë për një rezultat vdekjeprurës.

Lista e problemeve ekzistuese shëndetësore përfshin hipertension, diabet, sëmundje të zemrës, sëmundje kronike të frymëmarrjes, një sistem imunitar të dobësuar ose kancer.

Në praktikë, kjo ka të ngjarë të thotë që shumica e popullsisë do të kalojë pa testuar.

Duke shkuar përpara, numri i rasteve të infeksionit koronavirus në Zvicër ka të ngjarë të tejkalojë ndjeshëm numrin e rasteve të regjistruara.

Për të shmangur mbingarkesën e sistemit shëndetësor, ata me simptoma koronavirusi që nuk kualifikohen për testim u kërkohet të izolohen.

Nëse simptomat e tyre përkeqësohen ose sjellin vështirësi serioze në frymëmarrje, duhet të telefonojnë mjekun ose shërbimin shëndetësor.

“Nëse jetoni me njerëz të tjerë, duhet të kufizoheni në një dhomë të vetme, mbyllni derën dhe hani të gjitha ushqimet në atë dhomë”, ky ka qenë udhëzimi i autoriteteve shëndetësore.

Detyrimi i izolimit përfundon 24 orë pasi të zhduken simptomat, sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH).

Gazetat "Tribune de Genève" dhe "24 Heures" të dyja i referohen një direktive të lëshuar nga FOPH për politikën e re të testimit.

Kantoni i Vaudit ka krijuar një faqe kontrolluese të koronavirusit që vlerëson nëse një individ ka të drejtë për një test apo jo.

Atyre që kualifikohen do t’u dërgohen me email udhëzime se si të testohen.

Ora 13:19
Koronavirusi, transmetuesit ‘fantazmë’ kanë shkaktuar dy të tretat e infeksioneve në mbarë botën

Duke parë shifrat e vdekjeve dhe infeksioneve në botë tw shkaktuara nga infeksioni I koronavirusit, vihen re dallime thelbësore midis vendeve të ndryshme.

Në Spanjë, për shembull, përballë 9 mijë infeksioneve, gati një mijë më shumë sesa në Korenë e Jugut, vdekjet janë katër herë më shumë se në vendin aziatik. Gjermania ka më shumë raste të identifikuar pozitiv ndaj Covid-19 krahasuar me Francën, (7,272 përkundrejt 6.633) por numri I vdekjeve është thelbësisht i ndryshëm. Edhe pse Gjermania ka më tepër të prekur se Franca, ka vetëm 17 viktima përkundrejt 148 në vendin transalpine.

Sipas Giovanni Maga, virologe e Institutit CNR të Gjenetikës Molekulare në Itali, kjo është një pyetje e vështirë për t'u përgjigjur. ‘Fotografia’ e vdekjeve, për shembull, varet shumë nga përparimi i sëmundjes në vende të ndryshme, nga segmentet e popullsisë të prekur, nga grupimet e përhapjes së infeksionit dhe nga "kriteret për njoftimin e numrit të vdekjeve dhe rasteve të infektuar”.

Ilaria Capua, virologe e shquar italiane i ka kërkuar BE-së "udhëzime të harmonizuara të regjistrimit të çështjeve të koronacirusit" pasi secili vend europian i mat rastet e infeksioni dhe vdekjeve sipas kritereve të ndryshme. Për shembull, ka disa vende europiane që vdekjen e një personi të infektuar nga koronavirusi por që ka të mbartura disa patologji para ekzistuese si psh sëmundje kardiovaskulare apo diabet, nuk e regjistrojnë si viktimë prej infeksionit.

Sipas Giovanni Maga, përsa i përket numrit të infeksioneve, ato shpesh janë shumë të nënvlerësuara në vende të ndryshme. “Epidemiologët pajtohen që rastet e regjistruara "janë të paktën një e treta ose e pesta e totalit të rasteve", shton Maga. Ajo thotë gjithashtu se analizimi i të dhënave nga tre shtete si Koreja e Jugut, Gjermania dhe Italia na çon në një përfundim: Numrat e të infektuarve në vende të ndryshme nuk na tregojnë të vërtetën e gjithë përhapjes së epidemisë

Testet e tamponit

Polemika ka lindur të tilla si Spanja, për numrin e testeve të kryera të cilat konsiderohen shumë të kufizuara. Italia deri më tani ka realizuar mbi 137 mijë teste tamponi, Mbretëria e Bashkuar 44 mijë; Gjermania dhe Spanja nuk e japin numrin e provave të kryera; Franca thotë se ka kryer më shumë se 1.200 në vetëm një ditë.

Por, përtej numrave (testeve të tamponit, rasteve të konfirmuara të infektuar, numrti të vdekjeve) dhe polemikave të brendshme, ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është metodologjia e ndjekur në përpjekjen për të frenuar Covid-19.

Sipas ekspertëve, strategjia duhet të jetë agresive dhe të ndjekë tre parime themelore:

diagnozën e hershme;

izolimin;

trajtimin.

Sipas një studimi të kryer nga Universiteti Columbia dhe i publikuar vetëm dje, transmetimet "fantazmë" të koronavirusit kanë shkaktuar dy të tretat e infeksioneve në mbarë botën. Pra mesa duket, asimptomatikët janë fajtorët e vërtetë të përhapjes së infeksionit. Jo më kot, dje OBSH kishte si kryefjalë të mesazhit të saj drejtuar vendeve të prekura nga epidemia fjalën TEST, TEST, TEST.

Testo dhe izolo, mënyra më efektive për të thyer zinxhirin e infeksioneve

Kjo është një linjë tjetër nga ajo e ndjekur deri më tani në pjesën më të madhe të Italisë, thekson Susanna Esposito, Presidente e Shoqatës Botërore për Sëmundjet Infektive dhe Imrregullimet Imunologjike (WAidid). Ende në Itali rekomandohet test tampon "vetëm për subjektet simptomatike me një kriter epidemiologjik", domethënë: kollitja / të paturit e etheve dhe të kesh kontakte me një rast pozitiv. Sipas Susanna Esposito, ‘kjo është e gabuar”.

"Ka shumë njerëz që qëndrojnë në shtë pi dhe kanë ethe por askush nuk del për t'I testuar ata me tampon.Atyre që kanë simptoma modeste u thuhet të mos shkojnë në urgjencën spitalore, thotë Esposito.

Numri i ulët i vdekjeve në Gjermani, shton ekspertja, mund të jetë për shkak të një faze të ndryshme të epidemisë, ose të një identifikimi të shpejtë të rasteve të infektuar dhe një fillimi të shpejtë të terapisë.

Shembulli i Hong Kong dhe Koreja e Jugut

Në një qytet-shtet si Hong Kongu me mbi 7 milion banorë me një madhësi relativisht të vogël dhe një fluks të madh njerëzish, veçanërisht nga Kina kontinentale, ka pasur vetëm 150 raste të infektuar dhe është duartokitur nga OBSH-ja.

Metropoli mesa duket mësoi nga epidemia e SARS e cila vrau 299 perosna në Hong Kong në vitin 2003 kurse sot nga Covid-19 të vdekurit llogariten me gishtat e njërës dorë. Praktikisht të gjithë në Hong Kong kanë një maskë kur janë të detyruar të dalin në rrugë.

Tajvani dhe Singapori - të dyja me lidhje të forta me Kinën - konsiderohen të jenë dy qasje modelesh të tjera në luftën kundër Covid-19, ashtu si edhe Koreja e Jugut. (Teste për të gjithë njerëzit me simptoma të gripit, intervista të rrepta - madje edhe me ndërhyrjen e policisë - për të kuptuar me kë kanë rënë në kontakt dhe me karantinë të menjëhershme).

Ora 12:37
Koronavirusi, Kina si feniks po përpiqet të rilindë nga hiri i saj, rihapen disa shkolla

Asgjë nuk do të jetë si koha para infeksionit të koronavirusit, por Kina si feniks po përpiqet të rilindë nga hiri i saj, ngadalë.

Mbi 3.500 mjekë tashmë janë larguar nga rajoni i Hubei, teksa në qytetin e Wuhan sot u regjistrua vetëm një rast i ri i infektuar. Mes mijëra masave paraprake të kujdesit, sot në Wuhan disa shkolla hapën dyert e tyre për fëmijët.

Edhe në Guizhou, në juglindje të vendit, janë rihapur shkollat e të gjitha niveleve.

Si masë emergjence epidemike numri i studentëve dhe nxënësve në klasa është reduktuar si dhe janë vendosur në koridoret e shkollave termometra me rreze infra të kuqe për të kontrolluar temperaturën e nxënësve.

Çdo nxënës është i detyruar të vendosë deri dy maska gjatë orarit të shkollës, duke i alternuar çdo tre orë.

Të gjitha klasat dhe terrotori I shkollave dezinfektohet çdo ditë. Gjithsesi frika është ende prezente.

Ora 12:22
159 vjetori i unifikimit të Italisë në kohën e koronavirusit. Kryeministri Conte: Të gjithë së bashku për të mposhtur armikun e padukshëm

Sot, më 17 mars 2020 Italia feston 159 vjetorin e bashkimit kombëtar, kur më 17 Mars të vitit 1861, Viktor Emanueli i Dytë i Savojës e shpalli Italinë mbretëri.

Shumëkush kujton festimet madhështore të 9 viteve më parë me rastin e 150 vjetorit të bashkimit të Italisë. Sot, me epideminë e koronavirusit dhe Italinë ‘e mbyllur’ në përpjekje që të përmbajë përhapjen e infeksionit, Roma zyrtare është e kënaqur edhe me vetëm një memorie.

Emergjenca shëndetësore ka rikrijuar një ndjenjë të re të krenarisë komunitare dhe kombëtare, e shprehur me flamuj trengjyrësh që varen në dritare ndërsa kryeministri Italian Giuseppe Conte ka përsëritur në Facebook se "Italia duhet të bashkohet si kurrë më parë. Ne me krenari tundim flamurin tonë. Ne me krenari këndojmë himnin tonë kombëtar. Të bashkuar, të përgjegjshëm, të guximshëm. Të gjithë së bashku për të mposhtur armikun e padukshëm".

Ora 11:21
Koronavirusi, Parisi si Europa, mbushen karrocat e supermarketeve. Solidaritet me të moshuarit dhe të sëmurët në Rumani

Frika nga epidemia ka nxitur në shumë vende të europës sulmet në supermarket por që nga dje ato janë parë edhe në Paris.

Tani për tani, fjalët siguruese të qeverive se ka mjaftueshëm ushqime dhe garancitë se nuk do të ketë krizë, nuk i kanë bindur qytetarët të cilët zbrazin raftet e supermarketeve duke grumbulluar ushqime. Në kryeqytetin francez kanë nisur rradhët e gjata në hyrje të dyqaneve dhe farmacive.

Në Greqi, ku ekzistojnë gjithashtu kufizime të ashpra të ndërmarra nga qeveria në përgjigje të emergjencës shëndetësore, disa dyqane po rregullojnë rrjedhën e blerësve që hyjnë dhe largohen nga ambientet e tyre.

Autoritetet kanë siguruar se nuk ekziston rreziku i mungesës në treg të produkteve ushqimore dhe atyre të nevojave themelore por mesa duket paniku dhe frika janë të mëdha.

Në Itali, hyrjet në supermarket kanë prej më shumë se një javë që janë rregulluar prej pronarëve përmes numrit të reduktuar të njerëzve që lihen të hyjnë njëherësh, rradhëve dhe orarit të përcaktuar vetëm për moshat e treta.

Ndërkohë, manifestime spontane të solidaritetit janë shumëfishuar në të gjithë Europën. Grupe vullnetare në Rumani kanë bërë pazar për të sëmurët dhe të moshuarit që nuk mund të lënë shtëpitë e tyre.

Ora 10:52
Koronavirusi, Spanja i afrohet Italisë, 9000 të infektuar dhe rreth 330 viktima nga Covid-19

Spanja po i afrohet me shpejtësi numrti të të infektuarve në Itali teksa në vend numërohen mbi nëntë mijë raste infeksioni të përqëndruara më shumë se gjysma kryesisht në Madrid.

Ndërsa numri i viktimave nga Covid-19 ka shkuar në 329, qeveria spanjolle ka vulosur mbylljen e kufijve dhe ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme.

Por duket se sistemi shëndetësorë ka hyrë në krizë ndërsa në spitale ka mungesë të theksuar të mjeteve mbrojtëse si maska dhe kostume mjekësorë.

Këtë herë, të kontrolluar nga ushtria dhe policia, qytetarët spanjollë e kanë barrikaduar veten në shtëpi, nga frika e përhapjes së epidemisë si në rastin e Italisë ku pritet që ndoshta këtë javë të jetë edhe piku i emergjencës nga koronavirusi.

Ora 10:35
Koronavirusi, Kanadaja: Të gjithë stop përveç atyre nga Shtetet e Bashkuara

Në izolim, pasi gruaja e tij u testua pozitive në Covid 19, Kryeministri Kanadez Justin Trudeau po punon nga shtëpia për të ndërmarrë masa të rrepta në përgjigje të emergjencës së krijuar nga epidemia e koronavirusit dhe ka vendosur të mbyllë kufijtë për të gjithë të huajt, përveç amerikanëve.

"Ne do tju mohojmë hyrjen në Kanada gjithë atyre që nuk janë shtetas kanadezë ose banorë të përhershëm në Kanada - tha Trudeau - kjo masë do të ketë disa përjashtime, si për shembull për personelin e fluturimeve, diplomatët dhe qytetarët amerikanë”.

Emergjenca e koronavirusit gjithashtu duket se ka shkelur skepticizmin fillestar të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili pranoi mundësinë që pandemia mund ta shtyjë ekonominë në Shtetet e Bashkuara në recesion.

Ora 10:33
Koronvirusi, jo vetëm lajme të këqija. Lajme të mira që vijnë nga bota

-Kina ka mbyllur spitalin e saj të fundit i cili u ngrit për të luftuar koronavirusin pasi nuk ka raste të reja infeksioni. Vetëm një rast të tillë pati sot ish epiqendra e epidemisë, qyteti i Wuhan.

- Mjekët në Indi kanë qenë të suksesshëm në trajtimin e koronavirusit. Ata kanë kombinuar në mjekimin e pacientëve të prekur nga infeksioni barnat Lopinavir, Retonovir, Oseltamivir me klorfenaminë. Këtë kombinim ata do tjua sugjerojnë edhe vendeve të tjera në botë dhe OBSH.

- Studiuesit nga Qendra Mjekësore Erasmus pretendojnë se kanë gjetur një antitrup të koronavirusit.

- Një gjyshe 103-vjeçare kineze është shëruar plotësisht nga COVID-19 pasi është trajtuar për 6 ditë në qytetin e Wuhan, në Kinë.

- Apple rihap të gjitha 42 dyqanet kineze

- Klinika Cleveland ka zhvilluar një test për identifikimin e ‘COVID-19’ që jep rezultate në pak orë dhe jo në disa ditë.

- Lajm i mirë nga Koreja e Jugut, ku numri i rasteve të reja të infeksionit po bie.

- Italia duket se është goditur shumë nga epidemia e koronavirusit vetëm sepse ata kanë popullsinë më të vjetër në Evropë, - thonë ekspertët.

- Shkencëtarët në Izrael ka të ngjarë të njoftojnë për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit.

- 3 pacientë me koronavirus Në Maryland, të SHBA janë kuruar plotësisht dhe janë në gjendje të kthehen në jetën e përditshme.

- Një rrjet i shkencëtarëve kanadezë po bën përparim të shkëlqyeshëm në studimin e ‘Covid-19’.

- Një kompani bioteknike nga San Diego, në SHBA po zhvillon një vaksinë PëR Covid-19 në bashkëpunim me Universitetin Kombëtar të Singaporit.

- Të 7 pacientët e infektuar nga koronavirusi që ishin duke marrë trajtim në spitalin Safdarjung të New Delhi, u shëruan.

- Plazma e pacientëve të kuruar kohët e fundit nga Covid-19 mund të trajtojë me sukses pacientë të tjerë të infektuar me Covid-19.

Pra, nuk janë të gjitha lajme të këqija. Le të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të jemi të përqendruar në sigurinë e njerëzve më të rrezikuar nga infeksioni vrastar.

Ora 10:01
Koronavirusi, Gjermania bllokon gjithçka. Sot takimi i jashtëzakonshëm i KE-së

Edhe Gjermania, pasi mbylli kufijtë e saj europian, kuptoi që duhet të bëhet më shumë në emergjencën e krijuar nga infeksioni i koronavirusit.

Vetëm dje u regjistruan më shumë se një mijë raste infeksioni, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve nga Covid-19 në mbi gjashtë mijë.

Kjo është arsyeja pse Angela Merkel ka ndjekur shembullin e shumë prej kolegëve të saj. Pasi më parë i pati deleguar landeve të drejtën për të ndërmarrë masa emergjence ndaj virusit. Merkel dje ka centralizuar masat dhe ka vendosur të ndalojë gjithçka. Shkolla, teatro, muze, salla koncertesh, bare, disko, terrene lojrash, palestra, pishina, pika bastesh, kisha dhe bordello. Çdo gjë e mbyllur. Hotelet mund të përdoren, por jo për qëllime turizmi por në shërbim të emergjencës shëndetësore.

"Masat si këto nuk kanë qenë kurrë në Gjermani", tha Kancelarja. Por këto janë masa të nevojshme që do të ndryshojnë jetën tonë të përditshme”.

Sot do të ketë një takim të ri të jashtëzakonshëm të Këshillit Europian. Ata do të diskutojnë rreth bllokadës për hyrjen në territorin e BE, një masë e paparë kjo që është edhe më e fortë se ajo e miratuar ditët e fundit nga Shtetet e Bashkuara, e cila kishte vendosur të ndalonte të gjitha fluturimet nga zona e Shengenit. Brukseli e kishte kritikuar ashpër këtë veprim, por tani ka vendosur të shkojë edhe një hap më tej. Të gjitha udhëtimet "jo thelbësore" në BE dhe vendet e tjera të Shengenit (Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni) janë të ndaluara.

Çështja e kufijve ishte në fokus të një takimi midis të gjithë ministrave të Brendshëm dhe Shëndetësisë të 27 vendeve të BE. Komisioni vuri në dukje se "mbyllja e kufijve nuk është mënyra më e mirë për të përmbajtur epideminë" dhe se efektet anësore ka të ngjarë të jenë shkatërruese sepse do të krijohen km pafund rradhë me mjete transporti të bllokuara.  Kjo është arsyeja pse Brukseli ofron korsi të shpejtë për transportin e ilaçeve, pajisjeve mjekësore, ushqimeve dhe shërbimeve thelbësore.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat