Koronavirus/ Italia shënon pikun e viktimave, 969 të vdekur në 24 orë! Johnson pozitiv! SHBA e para në botë për të infektuarit

Në botë numri i të infektuarve nga koronavirusi është rreth 533 mijë kurse numri i viktimave është rritur në mbi 24 mijë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i parë në botë për numrin e infeksioneve nga koronavirusi teksa në vend janë regjistruar në total rreth 86 mijë të testuar pozitiv nga Covid-19 kurse numri I vdekjeve është rritur në mbi 1300. Me këto shifra SHBA janë bërë vendi i parë në botë për rastet e prekura nga koronavirusi duke tejkaluar Kinën, Italinë dhe Spanjën.

Sipas një studimi të bërë nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Washingtonit, pandemia mund të vrasë më shumë se 81,000 njerëz në SHBA në katër muajt e ardhshëm dhe mund të mos dobësohet deri në muajin qershor. Numrin e madh të të infektuarve Presidenti Donald Trump e ka justifikuar me numrin e madh të testeve të tampon që janë kryer në vend.

Dje në mbrëmje, Trump pati edhe një telefonatë me presidentin kinez Xi Jinping pas së cilës Trump tha se me presidentin kinez kishte dikutuar me detaje për koronavirusin që “po shkatërron planetin tonë" dhe tha gjithashtu se "Kina ka shumë përvojë dhe ka njohuri të mëdha për virusin. “Ne- tha Trump- do punojmë ngushtë së bashku me Kinën”.

Numri i vdekjeve nga komplikimet që lidhen me Covid-19 në qytetin e New York është të paktën 365. ‘Ky është vetëm fillimi”- paralajmëroi kryetari i bashkisë së New York-ut, duke vlerësuar se gjysmë milioni njerëz në mega qytetin amerikan do të humbasin punën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:42
Italia shënon pikun e viktimave, 969 të vdekur në 24 orë. Ulet numri i të infektuarve, rritet ai i të shëruarve

Italia ka shënuar sot pikën më të lartë të viktimave që nga shpërthimi i koronavirusit kur në 24 orë janë shënuar 969 të vdekur, ndërsa numri i të infektuarve ka shënuar një ulje të lehtë, ku gjatë të dhënave më të fundit janë shënuar 4 401 persona nga 4 492 që ishte një ditë më parë. Në total të infektuarit janë 66 414 persona.

Edhe numri i të shëruar është rritur ndjeshëm me 589 persona më shumë se një ditë më parë dhe në total numri i tyre ka shkuar në 10 950 njerëz.

Italia shënon gjithsej 9 134 viktima, ndërsa sot ka shënuar ditën e saj më të zezë, ku 969 persona humbën jetën me koronavirus.

Ora 17:13
Koronavirusi, në ashensor vetëm me maskë kirurgjikale dhe doreza

Në ashensor është e vështirë për të ruajtur distancën prej të pakën 1m, si masë  sigurie për të shmangur infeksionin.

Po si duhet të veprojmë në këtë rast? A rrezikojmë? Po kur kthehemi në shtëpi pasi kemi ecur në rrugë, si duhet të veprojmë?

Gloria Taliani, profesore e sëmundjeve infektive në Universitetin La Sapienza të Romës, në Itali thotë se "Në të gjitha mjediset e vogla, siç është ashensori, nëse personi që hyri para nesh është asimptomatik, por pozitiv, ai mund të na kontaminojë edhe përmes panelit të butonave dhe dyerve, pareteve të ashensorti dhe pasqyrës por jo përmes ambientit të brendshëm pasi ky virus nuk mbetet pezull në ajër por

bie në sipërfaqen e bazamentit të ashensorit. Pra rreziku I atyre që përdorin ashensorin është prekja me duar e butonave, pasqyrës dhe pareteve. Kjo është arsyeja pse duhet të përdorni doreza dhe paskësaj duhet ti hidhni ato në një kosh dhe ta mbyllni dhe paskësa të lani duart

Nëse në ashensor të gjithë përdoruesit përdorin maska kirurgjikale nuk ka asnjë rrezik që ne të infektohemi.

Kur ktheheni nga jashtë – brenda në shtëpi është praktikë e mirë që të ndryshojmë rrobat dhe të veshim rroba të tjera kurse ato qe hoqëm është mirë që ti nxjerrim në ajër të pastër në dritare apo ballkon. Sigurisht që rrobat nuk duhet të përdoren më shumë se dy ditë të veshura dhe paskësaj ato duhet të lahen.

Ora 16:52
Askush nuk është i pathyeshëm. Në Francë koronavirusi vret 16 vjeçaren

Deri më tani, koronavirusi ka vrarë më shumë se 23,000 njerëz në të gjithë botën, përfshirë dy të tretat në Europë, ku viktima më e re ishte sot në Francë, Julie A një vajzë 16 vjeçare i ka dhënë lamumirë jetës.

Sipas raportimeve nga gazetat franceze ajo ishte një prej nxënëseve më të dashura në shkollë, pa shenja klinike dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Julie A. u shtrua në një prej spitaleve të Parisit, këtë të mërkurë, pas një kolle të lehtë dhe të thatë që i kish filluar 1 javë më parë.

Motra e saj, mes lotëve deklaroi për një television francez se “Nuk duhet besuar se koronavirusi vret vetëm të moshuarit. Askush nuk është i pathyeshëm kundër këtij virusi”.

Në Francë numri i të infektuarve është mbi 29 500 kurse numri i viktimave ka shkuar në rreth 1700.

Franca dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me vendet e tjera do të fillojnë "një iniciativë të re të fortë në ditët në vijim" në përgjigje të pandemisë Covid-19.

Kjo u njoftua përmes Twitterit nga Presidenti francez Emmanuel Macron, duke thënë gjithashtu se ai kishte "diskutim të shkëlqyeshëm" me Donald Trump për krizën e koronavirusit. Lideri transalpin nuk zbuloi detaje të mëtejshme mbi telefonatën dhe dakordësinë me homologun e tij amerikan.

Ora 16:37
Koronavirusi, Hungaria në shtetrrethim. Qeveria shpall masa kufizuese

Shtetrrethim në Hungari për tu përballur me koronavirusin. Pas dekretit të shpallur nga qeveria hugareze e kryeministrit Viktor Urban parlamenti i vendit pezullon, ndalohen gjithë aktivitetet tregtare, baret dhe restorantet, mbyllen kinematë dhe teatorit, njerëzit që do lejohen të dalin në rrugë do jenë vetëm ata që do të shkojnë në punë si dhe ata që përmes autorizimit do dalin për të blerë ushqime dhe ilaçe.

Autoritetet shëndetësore kanë urdhëruar stopimin e transportit publik: metro, autobusë, tramvaje dhe trenat.

Në Hungari numri i të infektuarve është 300 por numri i vdekjeve është i lartë, më shumë se dhjetë.

Në Turqi të infektuarit e identifikuar me Covid-19 është 3629 kurse numri I viktimave ka shkuar në 75

Në Kroaci të prekurit nga koronavirusi numërohen në 551 kurse viktimat janë vetëm 3.

Ora 16:06
Koronavirusi, në Spanjë 769 viktima në 24 orë. Autoritetet: Shkalla e infeksioneve të reja po stabilizohet

Sipas autoriteteve të shëndetit në Spanjë, vendi ka parë një rritje të mprehtë të numrit të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi por shkalla e infeksioneve të reja po stabilizohet.

Rastet e konfirmuara të Covid-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi, u rritën në 64.059, një rritje prej 14% nga 18% një ditë më parë dhe 20% të mërkurën.

Në 24 orët e fundit numri i viktimave ishte 769 njerëz vdiqën duke e çuar totalin në e viktimave në 4,858. Numri më i madh i atyre që kanë humbur jetën i përket të moshuarve me problem të mbartura shëndetësore.

Ditët e fundit ushtria është dislokuar në përgatitjen e spitaleve fushorë dhe në 900 azile të moshuarish ku të paktën u raportuan 1.517 vdekje.

Spitalet e vendit janë në prag të shembjes nën peshën e pandemisë. Nga tejmbushja e tyre me të sëmurë, pacientë të intubuar janë vendosur nëpër korridore që janë kthyer në minipavion të terapisë intensive.

Ora 15:52
Koronavirusi, duke filluar nga nesër Rusia mbyll bare dhe restorante. Bilanci: 1036 të infektuar dhe tre viktima

 

Duke filluar nga dita e nesërme, Qeveria ruse ka urdhëruar mbylljen e të gjitha bareve dhe restoranteve për një javë për të luftuar përhapjen e koronavirusit në vend.

Përjashtohen nga shërbimet e furnizimit publik dhe dërgesat e tyre nëpër shtëpi.

Pas një momenti të parë kur Kremlini hezitoi të shpallte masa të veçanta për të frenuar përhapjen e epidemisë dje ai vendosi të vepronte si dhe të gjitha vendet e prekura nga Covid-19.

Deri tani në Rusi numërohen mbi 1000 raste të identifikuar me koronavirus kurse numri I viktimave ka shkuar në tre.

Ora 14:50
Coronavirus-Itali, autorizohet trajtimi i të infektuarve me ilaçe antimalarie

Ilaçet antimalarie me bazë kloruri dhe hidroksilokine nga sot janë autorizuar të përdoren në Itali nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit për trajtimin e pacientëve me infeksion Sars-CoV2.

Agjensia Italiane e Barnave (Aifa) ka autorizuar për përdorim kombinimet e ilaçeve anti-SIDA lopinavir / ritonavir, danuravir / cobicistat, darunavir, ritonavir, gjithashtu për të njëjtin përdorim.

Në Itali dhe jashtë saj, ka shumë ilaçe që janë testuar për të luftuar epideminë Covid 19, pasi ende nuk është gjetur një kurë.

Terapitë e autorizuar mund të përdorin për të trajtuar pacientët italianë edhe me removivir Covid-19, antivirali eksperimental i prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

Ilaçi, i përdorur fillimisht për të trajtuar rastet e Ebolës, ka marrë autorizim nga Komiteti Teknik-Shkencor i Agjencisë Italiane të Ilaçeve dhe nga Komiteti i Etikës i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive Spallanzani dhe mund të përdoret në të gjithë territorin kombëtar.

Para pak ditësh edhe ilaçi tolicizumab kundër artritit reumatoid është testuar në Spitalin Pascale në Napoli.

Edhe Avigan, i testuar fillimisht në Veneto dhe Piemonte ka marrë OK nga autoritetet e shëndetit në Itali, ndërsa një tjetër ilaç anti-HIV, i provuar në Kinë, u refuzua.

Ora 14:30
Guvernatori i Lombardisë: Nga sot kurba e infeksionit në zbritje! Teste tamponi edhe me vetëm një simptomë

Në Itali, Guvernatori i Lombardisë Attilio Fontana u shpreh sot se 'kurba e infeksionit në Rajon nuk po rritet dhe se do fillojë të zbresë'. Ai tha se "Mesa duket nga shifrat e sotme ka një ulje të numrit të infeksioneve".

Guvenratori Fontana tha se duke filluar nga sot, në Lombardi mund ti nënshtrohet testit të tamponit edhe personat që ikanë vetëm një simptomë (ose ethe ose ftohje ose kollë).

Nga ana tjetër, Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetësisë në Itali, Silvio Brusaferro tha se nga 20 Marsi, kurba e infeksioneve ka filluar ngadalësimin i cili po vazhdon edhe sot. 

Brusaferro tha se "ne duhet të mashtrojmë veten se ngadalësimi do sillte detyrimisht lehtësimin e masave të emergjencës që janë miratuar".

Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetësisë tha se në Itali ka realitete të ndryshme. "Lombardia dhe zonat fqinje kanë qarkullim shumë të fortë të infeksionit ndërsa në zona të tjera ka ende një qarkullim të kufizuar, dhe sfida e autoriteteve është që ato të mos kthehen në zona të kuqe".

Ora 12:24
Kryeministri Johnson dhe Ministri i shëndetësisë Hancock pozitiv me koronavirus: Johnson: Do të punoj nga shtëpia! Së bashku do ta mundim virusin (VIDEO)

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson dhe ministri anglez i Shëndetësisë, Matt Hancock kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. 

Në një video të postuar në Twitter, kryeministri konfirmoi se kishte simptoma të lehta, temperaturë dhe kollë të vazhdueshme gjatë 24 orëve të fundit dhe me këshillin e mjekut, atij iu mor tamponi, ku pas përgjigjes së testit, rezultoi povitiv me COVID-19.

Johnson tha se është i vetëkarantinuar dhe se do të vazhdojë punën nga shtëpia e tij.

"Gjatë 24 orëve të fundit kam pasur simptoma të  lehta dhe rezultova pozitiv me koronavirus. Tani jam i izoluar, por do të vazhdoj të punoj përmes video-konferencave, ndërsa luftojmë kundër këtij virusi. Së bashku do ta mundim", u shpreh kryeministri britanik.

Johnson, 55-vjeçar tha se falë teknologjisë moderne ai do të vazhdojë të udhëheqëluftën kombëtare kundër virusit. Ai përsëriti se qëndrimi në shtëpi ishte thelbësor për të ndaluar përhapjen e virusit. 

Ora 12:22
Koronavirusi/ Në Singapor përfundon në burg nëse qëndron më pak se 1 metër afër një personi tjetër

Njerëzit në Singapor mund të përfundojnë në burg për gjashtë muaj nëse qëndrojnë afër me njëri-tjetrin.

Rregullat e reja strikte erdhën në kuadër të përpjekjeve të vendit për të mbajtur nën kontroll epideminë e shkaktuar nga koronavirusi.

Vendi ka njoftuar masa të reja shtrënguese për të luftuar virusin, përfshirë këtu mbylljen e bareve dhe kinemave si dhe pezullimin e eventeve që kërkojnë pjesëmarrje të madhe njerëzish.

Sipas rregullave mund të përfundosh në burg nëse qëndron më pak se një metër afër me persona të tjerë.

Ata që thyejnë rregullat do të përballen me burg deri në gjashtë muaj dhe me gjobë maksimale prej 7,000 dollarësh.

Sipas të dhënave në ëorldmeters, numri i personave të infektuar me koronavirus në Singapor është 683, ndërsa deri më tani kanë ndërruar jetë dy persona.

Ora 10:58
Koronavirusi-Itali, Rrugë dhe sheshe të shkretë. Qyteti i Torinos 'i ngrirë' nga izolimi (VIDEO)

Rrugët e shkreta dhe një heshtje e ndërprerë vetëm nga klithmat e sorrave dhe pwllumbave, këto janë pamjet e Torinos gjatë këtyre ditëve të izolimit të marra nga një dron.

Rrugët dhe sheshet, dikur të mbushura me turistë dhe biznesmenë, tani janë bosh.

Kështu paraqitet kryeqyteti gjatë kufizimeve të vendosura nga qeveria për t'u përballur me emergjencën e koronavirusit.

Ora 10:49
KoronavirusI, OBSH: Në Itali të shtohen shërbimet në familje. Më shumë teste tamponi mjekëve dhe infermierëve

Ranieri Guerra, zv/drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit tha se "Qeveria italiane duhet të shtojë masat e kontrollit dhe mesazhet dhe mbështetjen drejtuar popullatës”.

Në situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit, sipas OBSH, "Popullsia ka nevojë për diçka më shumë, duhet të garantohen shërbimet në shtëpi për moshat e treta, madje edhe nga psikologë.

Në Kinë, shpejtësia e uljes së kurbës erdhi si rezultat i izolimit social. Jam i mahnitur nga pranimi i masave dragoniane nga ana e popullsisë. Italianët po vuajnë por duhen shmangur dezertimet në planin afatgjatë,"- shtoi Ranieri Guerra.

Ai tha gjithashtu se "Është e nevojshme të mbrohen punonjësit e shëndetit duke iu nënshtruar herë pas here testit të tamponit”.

Zëvendësdrejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit komentoi më pas nevojën për të siguruar masa adekuate të mbrojtjes për të gjithë punonjësit e shëndetit në Itali.

"Në lidhje me mbrojtjen për punonjësit e kujdesit shëndetësor, nivelet e infeksionit janë të larta. Kjo do të thotë që personeli ka qenë i ekspozuar ndaj infeksionit. Këta njerëz duhet të mbrohen, jo vetëm me pajisje dhe maska ​​ad-hoc. Atyre gjithashtu duhet tju garantohen teste tamponi”.

Ora 10:26
Koronavirusi, në Britani çdo 13 minuta një viktimë. Gjermani, ‘qetësi para stuhisë’

Numri i vdekjeve si pasojë e koronavirusit në Britani ka shkuar në 578, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan 113 vdekje. Kjo ishte dita më e errët në Britaninë e madhe dhe sipas autoriteteve shëndetësore u regjistrua një viktimë çdo 13 minuta.

Zyrtarët shëndetësorë njoftuan gjithashtu se më shumë se 2.100 pacientë të ishin testuar pozitivë me COVID 19, duke e çuar në rreth 12 mijë numrin e të infektuarve.

Ndërkohë, spitalet në Londër tashmë janë duke luftuar me një "shpërthim" të spitalimeve të lidhura me infeksionin e Covid-19 ndërsa 'tsunami' i madh pritet ndoshta pas dy javësh kur të jetë dhe piku i pandemisë.

Gjermani rastet pozitive u rritën në mbi 47 mijë, më shumë se 6 mijë në 24 orët e fundit. Sidoqoftë, viktimat janë mbi 280, një numër që sinjalizon një hendek të thellë me shkallën e vdekshmërisë krahasuar me vende të tjera si Italia dhe Spanja, një ndryshim që nga ana e profesionistëve shpjegohet me 500 mijë teste tamponi që bëhën mesatarisht në javë.

 “Arsyeja pse kemi kaq pak vdekje në Gjermani në krahasim me numrin e të infektuarve shpjegohet me faktin se ne bëjmë një sasi të madhe të testeve laboratorike”, tha Christian Drosten, virolog në Spitalin Charite të Berlinit. “Por është ende një qetësi para stuhisë”, tha Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn në Berlin.

Ora 10:12
Koronavirusi-Itali, piku i epidemisë ndoshta këto dy ditë. Lombardi, Më shumë teste tamponi, më shumë pozitivë (VIDEO)

Ndoshta për Italinë dy ditët e fundjavës mund të jenë piku i epidemisë nga koronavirusi teksa pas 4 ditësh me numra në rend zbritës përsa i përket të prekurve dhe viktimave nga infeksioni i Covid-19, shifrat e djshme ishin shumë për të shpresuar për një përmbysje të kurbës së pandemisë, e cila u ngjit përsëri në shpatet grafike të pesë ditëve më parë.

Por për autoritetet edhe nëse të dhënat e fundit kanë pësuar rritje kjo nuk do të thotë që ka një përshpejtim të epidemisë. Sipas tyre e rëndësishme është se ka një ngadalësim të kurbës dhe se nuk mund të pritet uje e menjëhershme dhe drastike e shifrave.

Ditë pas dite po rritet lista e mjekëve që kthehen në viktima nga Covid-19 teksa sot në mëngjes humbi jetën nga infeksioni një mjeke në Lecco duke e rritur numrin e bluzave të bardha viktima në 43.

Raste të reja infeksioni në Codogno

Në Codogno, një nga epiqendrat fillestare të infeksionit nga koronavirusi janë evidentuar gjshtë raste të reja të prekur.

Më shumë teste tamponi, më shumë pozitivë në Lombardi

Rritja e numrit të të infektuarve në Lombardi, rajoni më i prekur nga epidemia, "është e lidhur me faktin se janë bërë më shumë teste tamponi", tha këshilltarja rajonale për arsim dhe mjeksi, Melania Rizzoli. Vetëm dje u kryen 6.050 teste. "Të gjithë kemi pasur një emocion të fortë dje duke parë të dhënat e fundit, por numrat duhet të interpretohen. Është rritje e numrit të testeve të tamponëve të realizuar gjë që ka bërë që të rritet numri i pozitivëve në Lombardi ".

Një autokolonë ushtarake me 22 automjete e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse ka mbërritur në Bergamo. Nga sot ajo bëhet selia e shtabit të përgjithshëm italo-ruse për luftën kundër koronavirusit. Përveç 104 mjekëve, autokolona ka sjellë një laborator të analizave dhe diagnostikimeve, pajisje të dekontaminimit dhe higjenizimit. Ekipi rus do të punojë në spitalin fushor që po ndërtojnë trupat alpine.

Ora 09:58
OBSH: Katër trajtimet më premtuese kundër COVID-19 do të testohen në shkallë globale

OBSH ka vendosur që katër trajtimet më premtuese kundër COVID-19 do të testohen në një shkallë globale, me një sistem të mbledhjes së të dhënave në kohë reale për të verifikuar efektivitetin e tyre.

Pandemia e koronavirusit po çon në një nga provat më të mëdha klinike globale që janë provuar ndonjëherë. Nisma quhet SOLIDARITET dhe përfshin ilaçe ekzistuese dhe të përdorura për shembull  kundër HIV dhe Ebola, dhe mund të kryhen në mijëra spitale në të gjithë botën, pa komplikime të veçanta për personelin mjekësor që po përballet me krizën më të madhe shëndetësore të kësaj shekull.

Në 80 përqind të rasteve, koronavirusi shkakton simptoma të buta të cilat nuk e bëjnë të domosdoshëm shtrimin në spital, por për rastet e mbetura me simptoma më shqetësuese ose të rënda, shtrimi në spital ndonjëherë është i pashmangshëm. Pacientët më të rrezikuar mund të zhvillojnë pneumoni të rrezikshme, e cila duhet të trajtohet në njësitë e kujdesit intensiv, shpesh duke përdorur intubimin për të lehtësuar frymëmarrjen. Trajtimet kërkojnë kohë, duke pritur që sistemi imunitar të mposht sëmundjen.

Një shtrim në spital pra mund të zgjasë disa javë, dhe kjo ndërlikon menaxhimin e shumë pacientëve, sepse ka pak vende në repartet e ndihmës së shpejtë. Ilaçet më efektive në trajtimin e COVID-19 mund të kontribuojnë jashtëzakonisht shumë në uljen e kohës së shtrimit në spital, duke lejuar profesionistët e kujdesit shëndetësor të trajtojnë shumë më shumë pacientë, duke shmangur mbingarkesën në spitale.

Që nga fillimi i epidemisë së koronavirusit, mjekët dhe studiuesit kanë vlerësuar dhe eksperimentuar në një shkallë të vogël me dhjetëra ilaçe të ndryshme, tashmë të disponueshme dhe të zhvilluara për sëmundje të tjera. Disa teste doli të jenë të pasuksesshme, të tjerët pak më premtuese.  Prandaj OBSH dëshiron të përqendrojë vëmendjen në katër trajtime dhe t'u ofrojë mjekëve një platformë në internet ku ata mund të ndajnë përvojat e tyre, në mënyrë që të mbledhin të dhënat sa më shpejt që të jetë e mundur.

Clorochina e idrossiclorochina janë dy ilaçe që janë përdorur për gati një shekull për të parandaluar dhe trajtuar malarien. Disa teste laboratorike  kanë treguar njëfarë efekti të këtyre ilaçeve, por dozat e nevojshme për të marrë rezultate të konsiderueshme janë të larta dhe kjo mund të çojë në toksicitet.

Një tjetër ilaç është Kaletra. Një hulumtim - i kryer në Kinë mbi 199 pacientë dhe i botuar në revistën shkencore NEJM - shpjegon se nuk zbuloi ndonjë dallim të veçantë në trajtimin e pacientëve me këtë ilaç. Sidoqoftë, studimi specifikon që ilaçi ishte përdorur në një fazë të përparuar të COVID-19, kur pacientët kishin zhvilluar simptoma shumë serioze.

Një tjetër trajtim përfshin përdorimin e lopinavir dhe ritonavir me interferon beta. Një trajtim i ngjashëm është provuar tashmë kundër MERS. Sidoqoftë, përdorimi i interferonit beta është i rrezikshëm në pacientët me COVID-19, sepse mund të zvogëlojë aftësinë e sistemit imunitar për të kundërshtuar përhapjen e koronavirusit në trup.

Remdesivir është zhvilluar nga kompania farmaceutike Gilead kundër Ebola, por pa qenë aq efektive sa shpresohej në testet në terren gjithsesi ai mbetet ende inkurajues.
Ashtu si me ilaçet e tjera të ngjashme, remdesivir mund të jetë efektiv veçanërisht nëse administrohet pas shfaqjes së simptomave të para, duke zvogëluar rrezikun e përkeqësimit.

OBSH do të monitorojë të dhënat, pasi arrijnë përmes portalit, dhe do të ndërhyjë për të rafinuar kërkimet, mundësisht të përjashtojë një nga katër trajtimet ose të shtojë ilaçe të reja eksperimentale. Sa më shumë mjekë, spitale dhe institucione do të marrin pjesë duke shkëmbyer përvoja mbi mijëra pacientë, aq më shumë sistemi do të jetë i dobishëm për të kuptuar se te cilat zgjidhje duhet të përqendrohen.

Ora 09:56
Përplasja Itali-BE mbi masat financiare kundër koronavirusit. Refuzohet drafti fillestar. Merkel: Jemi kundër ‘koronabondit’

U deshën gjashtë orë diskutime të nxehta për të gjetur një zgjidhje kompromisi, në tentativë për të aprovuar një dokument të përbashkët, në planin ekonomik dhe financiar, nga 27 vendet anëtare të BE në lidhje me emergjencën shëndetësore nga Covid-19

Pas përplasjeve të forta të shteteve anëtare u vendos që Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të paraqesin të tjera propozime afatgjata brenda dy javësh.

Kontraditat kishin të bënin me ngadalësinë e Evropës dhe taktikat e përdorura financiare, në një kohë kur duhen reagime të shpejta dhe të përbashkëta ndaj koronavirusit dhe pasojave të tij, veçanërisht nga pikëpamja ekonomike.

Samiti i liderëve të BE-së u realizua përmes një telekonference. Pas kundërshtimeve të forta që pati Italia dhe Spanja të cilat hodhën poshtë draftin fillestar.
Në dokumentin e ri thuhet se Këshilli "merr parasysh përparimin e bërë nga Eurogroupi" dhe "në këtë fazë" fton ministrat e financave të zonës euro "të paraqesin propozime brenda dy javësh".

Gjithashtu në dokument thuhet se “Përgjigja e BE do të intensifikohet, nëse është e nevojshme, me veprime të mëtejshme dhe mënyrë gjithëpërfshirëse, në dritën e zhvillimeve më të fundit për ti dhënë një përgjigjë globale emergjencës.

Presidenti i Këshillit Evropian tha se ‘Kjo ishte një mundësi për një shkëmbim politik të pikpamjeve, ditë jashtëzakonisht intensive por dhe me cilësi për të planifikuar masa të reja në javët dhe muajt e ardhshëm”

Kryeministri italian Giuseppe Conte sulmoi disa prej udhëheqësve të Evropës Veriore, Gjermaninë në rradhë të parë, duke thënë se "Nëse dikush do të mendonte për mekanizma mbrojtës të personalizuar, mund t'i mbajë ato për vete: Italia nuk ka nevojë për to”. Edhe Franca dhe Spanja ishin në të njëjtin pozicion si Italia.

Gjatë video konferencës me liderët evropianë, Giuseppe Conte sqaroi se askush nuk mendon për "një ndarje të borxhit publik. Secili vend i përgjigjet borxhit të vet publik dhe do të vazhdojë t'i përgjigjet". Italia - shpjegoi Conte - " i ka kredencialet për financat publike. Ne- tha ai e mbyllëm vitin 2019 me një raport deficit / BPV prej 1.6 në vend të 2.2 siç ishte planifikuar”. Prandaj, Italia hodhi poshtë projektin e propozuar në diskutimin në tryezën e Këshillit Evropian mbi mjetet që duhen për t'u marrë me krizën ekonomike të lidhur me koronavirusin.

Po, si erdhi kjo përplasje e paparë në momentin më të keq për Europën?

Italia dhe Spanja e kishin konsideruar qasjen e BE si "të pamjaftueshme" përsa i përket përdorimit të instrumenteve të rinj financiarë. Në tryezë ishte propozimi për një Koronabond, një ide e refuzuar nga Gjermania dhe fronti Nordik Europian.

Ora 09:19
Koronavirusi, rreth 4500 viktima në Spanjë. Sistemi shëndetësor në prag të kolapsit

Teksa numri i përgjithshëm i viktimave në Spanjë është rreth 4500 dhe të infektuarit nga Covid-19 janë rritur në 58 mijë, sistemi shëndetësor spanjoll është në prag të kolapsit

Epidemia e koronavirusit po nxjerr në pah mangësitë e këtij sistemi, mangësi si rezultat i viteve shkurtimesh buxhetore.

Spitalet e vendit janë në prag të shembjes nën peshën e pandemisë. Nga tejmbushja e tyre me të sëmurë, pacientë të intubuar janë vendosur nëpër korridore që janë kthyer në minipavion të terapisë intensive.

Ka patur raportime se shumë mjekë dhe infermierë nuk duan të shkojnë më në spitale pasi aty mungojne mjetet mbrojtëse, mungojnë respiratorët dhe se në shumë raste janë të detyruar tjua heqin ato personave mbi 65 vjeç për tjua dhënë më të rinjve.

Një nga problemet që kanë Spanja dhe vendet e tjera europiane në parandalimin e përhapjes së koronavirusit është edhe mungesa e paketave të testeve të zbulimit të shpejtë.

Qeveria spanjolle ka njoftuar blerjen e 5.5 milion prej këtyre kompleteve por u zbulua se më shumë se 9 mijë prej tyre ishin të dëmtuar.

Nga ana e saj, ambasada kineze në Spanjë sqaroi në Twitter, se këto produkte të dëmtuara janë furnizuar nga një kompania Shenzhen Bioeasy Bioteknologji - e cila nuk ka një licencë zyrtare nga autoritetet kompetente kineze.

Ora 08:58
OBSH: Nëse e lejojmë virusi mund të na shkatërrojë, të mbetemi të bashkuar

"Ne jemi në luftë kundër një virusi që po kërcënon të na shkatërrojë nëse e lejojmë atë." Ky është mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus drejtuesve të G20.

Kreu i OBSH gjithashtu përshëndeti angazhimin e udhëheqësve të G20-tës për të bërë "gjithçka të nevojshme për të kapërcyer pandeminë" dhe bëri thirrje për një luftë të përbashkët.

Në Kinë 55 raste të reja të importuara, vetëm një rast i brendshëm

Siç nuk kishte ndodhur për 3 ditë me rradhe, Kina ka zbuluar një infeksion të ri të brendshëm të koronavirusit. Dje kishte vetëm 67 raste të reja në vend, të gjitha të importuara. Sipas raporteve nga autoritetet shëndetësore kineze, infeksioni lokal u zbulua në provincën Zhejiang. Numri i përgjithshëm i infeksioneve në Kinë u rrit në 81.782 dhe ai i të vdekurve në 3,292, pesë më shumë se një ditë më parë.

Në Korenë e Jugut 91 raste të reja dhe 13 raste të importuara 

Koreja e Jugut regjistroi 91 raste të reja të koronavirusit, nga 104 që një ditë më parë. Numri total i të prekurve nga Covid-19 është 9.332 kurse numri i viktimave ka shkuar në 139 (+8). 

Ora 08:50
Macron: Me SHBA e vendet e tjera nismë e fortë kundër pandemisë! Në Francë rreth 1700 viktima

Franca dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me vendet e tjera do të fillojnë "një iniciativë të re të fortë në ditët në vijim" në përgjigje të pandemisë Covid-19.

Kjo u njoftua përmes Twitterit nga Presidenti francez Emmanuel Macron, duke thënë gjithashtu se ai kishte "diskutim të shkëlqyeshëm" me Donald Trump për krizën e koronavirusit. Lideri transalpin nuk zbuloi detaje të mëtejshme mbi telefonatën dhe dakordësinë me homologun e tij amerikan.

Në Francë deri tani numri i të infektuarve ka shkuar në rreth 30 000 kurse numri i viktimave është rritur në 1700. Në llogarinë ditore të personave të infektuar me Coronavirus të komunikuar në të dhënat e shtupave pozitive, Franca nga sot shton edhe të dhënat që vijnë nga vlerësimi i mjekëve të përgjithshëm në kontakt me pacientët.

Ora 08:40
Koronavirusi, Bill Gates: Fundi i majit, ndoshta koha për t’u rihapur SHBA

"SHBA ndoshta do të duhet të qendrojnë të mbyllura deri në fund të muajit maj për të shmangur një rritje eksponenciale të infeksioneve nga koronavirusi: - tha thotë Bill Gates, themeluesi i Microsoft dhe filantropist i cili në 2015 kishte paralajmëruar njerëzimin për rreziqet e një pandemie të mundshme dhe që do të vriste më shumë njerëz se në luftë.

Për CNN, Gates tha se "ne nuk kemi arritur kulmin, mbase do të jetë në fund të prillit, por edhe pas asaj do të jetë shumë herët për të rihapur Amerikën". Për të rihapur SHBA, shtoi ai, "do të duhen rreth dhjetë javë ose më pak". SHBA "duhet të bëjë atë që është bërë në disa pjesë të Kinës", tha babai i Microsoft, duke e quajtur mundësinë e rifillimit të gjithçkaje në muajin prill si joreale,(e hipotezuar nga Presidenti Donald Trump).

Gates tha se “nëse mbyllja e Amerikës nuk do të ishte e gjatë dhe e rreptë, rastet e infeksioneve dhe vdekjeve do të vazhdojnë të rriten me 33% në ditë, izolimi social është i dhimbshëm, ka shumë dëme ekonomike, por shumë vdekje mund të shmangen".

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 27/03/2020 18:40

    Thojini pallës Tramp se virusi nuk po shkaterron planetin por njeriun. Mbase I erdhi fundi njerzimit sido qe të jetë, organik virusi apo I bere në laborator dhe i hedhur sepse në fund të fundit Nëna Natyre mer hak te njeriu për të gjitha padrejtesitë qe ai, njeriu u bën gjith Krijesave të Urta e Shpirtmira të Saj. Kush perpiqet te vrasë e të zhduke Florën dhe Faunën në shkallë globale do të ndeshkohet rëndë! Koha erdhi!

    Përgjigju
  • Lui: 27/03/2020 14:06

    Mister Johnson, mund tu thuash familjareve te tu se mund te humbasin ndonje prej te dashurve tani.. ( uroj qe jo gjths)

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut