Korrektesa gjermane, Merkel 
strikte në çdo orar të vizitës

Korrektesa gjermane, Merkel <br />strikte në çdo orar të vizitës
TIRANE - Përpara se kancelaria e vendit më të fuqishëm të Evropës të mbërrinte në aeroportin e Rinasit, fluturimi i helikopterit të ushtrisë mbi kryeqytet dhe rrethimi i kryeministrisë nga qentë antieksploziv, ishin dëshmitarë se kjo nuk ishte një pritje e zakonshme në selinë e Qeverisë. Nga aeroporti “Nënë Tereza” që prej vitesh menaxhohet nga bashkëkombësit e saj, Angela Merkel udhëtoi drejt Tiranës me një eskortë të fortë, në përputhje me peshën politike botërore të kësaj lidereje.

Një helikopter që e shoqëronte nga ajri, 20 makina, përfshi 2 ambulanca dhe 5 motorë e shoqëruan atë deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kancelaria gjermane është pritur ngrohtë në Shqipëri nga qindra qytetarë që kishin dalë me shpresën për ta parë e për ta përshëndetur që në Laprakë. Një numër i madh qytetarësh ishin grumbulluar përpara Kryeministrisë një orë përpara se Merkel të mbërrinte. Me përpikërinë e një gjermaneje, ashtu siç ishte parashikuar, në  14.15 Merkel zbriti nga makina e saj në hyrjen e sapo restauruar të kryeministrisë.

Brohoritjeve të qytetarëve ajo iu përgjigj përpara se Rama t’i shtrëngonte dorën e mirëseardhjes. Teksa dëgjonte turmën e qytetarëve që e përshëndeste pak metra larg saj në respekt të perimetrit të sigurisë, me thirrjet “Rroftë Merkel”, “Të duam Merkel”, “Gjermania, Gjermania”, ajo u kthye drejt tyre duke i përshëndetur, dhe më pas i dha dorën kryeministrit shqiptar. Teksa u ekzekutuan himnet kombëtare përkatëse, dhe u zhvillua Ceremonia Zyrtare e Mirëseardhjes, u vërejt veshja elegante e dy kryeministrave, vendet e të cilëve historia i ka bashkuar disa herë, jo vetëm për mirë.

Merkel, kishte zgjedhur një xhaketë rozë të mbërthyer dhe pantallona të bardha. Pa larmi ngjyrash e bizhuteri, me hijen një gruaje të fortë, që më shumë sesa pamja, i peshon çdo fjalë që thotë. Edhe Rama kishte zgjedhur një kostum gri, dhe si çdo ditë, kollarja e tij ishte e veçantë. Pas takimit kokë më kokë me Ramën dhe atë mes dy delegacioneve, Merkel zbriti në konferencën e përbashkët për shtyp. Ajo qe e vëmendshme gjatë fjalës së Ramës dhe e direkte gjatë fjalës së saj.

Konferenca nisi pak minuta më vonë nga ora e përcaktuar, 15.40 dhe kur ora e përfundimit 16.10 kishte kaluar, nuk ishte konsumuar as gjysma e pyetjeve të parashikuara nga gazetarët.  Ndaj Merkel ju drejtua drejtorit të komunikimit të kryeministrit, për t’i kërkuar ndërprerjen e konferencës. Qytetarja e parë e Gjermanisë nuk mund t’ia lejonte vetes të vonohej në takimin me presidentin Nishani. Ndaj ajo nuk e pranoi pyetjen e fundit, që në fakt ishte programuar për një prej gazetarëve gjermanë.

Nga nxitimi ajo harroi të shtrëngonte dorën me homologun Rama, por shefi i saj i protokollit, e ndihmoi menjëherë dhe Merkel shtrëngoi dorën me kryeministrin shqiptar dhe buzëqeshi në shenjë përmbylljeje të një takimi produktiv. 
 
Pa ujë...
Nga pakujdesia mikpritësit kishin harruar të vendosnin ujë në podiumin e Merkelit ujë. Por kancelaria gjermane nuk ngurroi të kërkonte nga stafi i kryeministrit ujë dhe pasi ja sollën, filloi të përgjigjej për pyetjen e bërë nga gazetarët.

Foto Antonio Cakshiri/Shqiptarja.com
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)