TIRANE – Informaliteti në sektorin ekonomik është një nga hallkat më shqetësuese të korrupsionit në Shqipëri, pas asaj të gjykatësit të korruptuar. Këtë qëndrim ka shprehur ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu në ceremoninë e dhënies së cmimeve për skicat e punuara nga nxënësit në kuadër të fushatës sensibilizuese “Kundërshtoj korrupsionin”.

“Më vjen keq ta them por pas 3 vjetësh të mia këtu, hallka më e dobët në sistemin gjyqësor janë gjykatësit e koprruptuar. Më shqetëson më shumë shtrirja e informalitetit në sektorin ekonomik në Shqipëri. Nuk është thjesht që i paguan një rryshfet një zyrtari, por është mungesa e llogaridhënies. Ka disa shprehje: asete pasuri të ardhura, kupon tatimor. Janë struktura formale që nëse përdoren reduktojnë informalitetin. Ajo që më ka bërë përshtypje për shqiptarët është bujaria e tyre, gjithmonë të ofrojnë një kafe, duan të jenë mikpritës. Por sfida është se ku ndalon mikpritja dhe zemra bujare dhe ku fillon zhvillimi i biznesit në mënyrë formale. Eshtë dicka të thuash që kafen po e qëras unë sot, dhe ndryshe të thuash që ju po konsumoni shumë energji elektrike dhe s’ka nevojë të paguash. Kur është dita e pagës dhe punëdhënësi të thotë e di që sot ke ditën pasi do ju paguajmë më vonë kur gjërat të përmirësohen, kjo është e gabuar…ne s’jemi në kohën e Ali Pashës”, u shpreh Arvizu.

Ndërkaq preceptimet e të rinjëve për korrupsionin përcjellë nëpërmjet pikturave për kreun e Akuzës Adriatik Llalla janë një shtysë e fortë për ta luftuar këtë plagë të shoqërisë në çdo hallk të saj.Kryeprokurori Adriatik Llalla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve në luftën ndaj korrupsionit, duke denoncuar rastet abuzive.

“Të gjithë ne duhet të bashkohemi për të përballuar këtë sfidë të vështirë të shoqërisë shqiptare, luftën ndaj korrupsionit. Falënderoj të gjithë ata që u angazhuan në këtë fushatë sensibiluzese, dhe të rinjtë që morën pjesë duke shprehur talentin e tyre. Ne të gjithë duhet të fokusohemi në luftën ndaj korrupsionit. Falënderoj ambasadën amerikane në Tiranë për mbështetjen e ofruar Shqipërisë në përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Ambasadori Arvizu dhe partnerët Amerikanë u angazhuan në këtë fushatë. Gjatë kësaj periudhe u përgatitën postera që u shpërndanë në qytetet të ndryshme për t’i drejtuar ata se ku mund të bëjnë denoncimet e ndryshme që kanë të bëjnë me korrupsionin. Qytetarëve iu kërkua të denoncojnë korrupsionin. Përpjekjet tona për ndërtimin e urave të komunikimit me qytetarët do të jenë efektive”, tha Llalla.
 
Duke pranuar se korrupsioni është i pranishëm në vendin tonë, kryeprokurori Llalla tha se vendi ynë do të ndjekë praktikat më të mira evropiane në luftën ndaj këtij fenomeni.
 
“Është fakt që korrupsioni është i pranishëm në Shqipëri, dhe dihet se nuk është problem vetëm i shoqërisë shqiptare, por ne duhet të marrin përvojat më të mira nga vendet evropiane, për të luftuar korrupsionin. Përvoja më e mirë është bashkëpunimi me qytetarët, e veçanërisht me ata që pësojnë nga veprimet korruptive të zyrtarëve. Synojmë forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet publike. Të gjithë ne duhet t’i përgjigjemi kërkesës së këtyre të rinjve për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Vizioni i tyre për luftën ndaj korrupsionit do të jetë në projektin tonë për të ardhmen”, u shpreh kryeprokurori Llalla.
 
FUSHATA “KUNDËRSHTOJ KORRUPSIONIN”, NIKOLLA: DUHET TË VEPROJMË TANI
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, në përmbyllje të fushatës “Kundërshtoj korrupsionin”, tha se lufta ndaj këtij fenomeni duhet të vijojë në çdo moment. Ndërkaq, Nikolla theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të denoncuar këtë fenomen, ndërsa tha se sensibilizimi duhet të fillojë nga shkollat.
 
“Për të luftuar korrupsionin duhet të veprojmë tani. Kjo ekspozitë do të jetë e pranishme në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në mënyrë që njerëzit të ndërgjegjësohen për të denoncuar korrupsionin, duke filluar nga shkollat për të treguar se nota nuk blihet, diploma nuk shitet, se profesioni i mësuesit, duhet të veprojë përmes kornizës që është etika e profesionit, dhe t’i mësojmë fëmijëve tanë se si duhet të rriten me vlera”, tha Nikolla.

Redaksia Online
(e.s/Gre.M/Shqiptarja.com)