TIRANE- Lirohet nga qelia Xhanluka Tabaku, djali i ish-drejtoreshës së Arsimit në Lushnjë Liza Tabaku. Vendimi për lirimin e 20-vjeçarit është marrë nga gjykata e Apelit Vlorë, e cila ka vendosur t’i caktojë masën e “detyrimit për paraqitje” për të riun.

Trupi gjykues e ka argumentuar vendimin për lirimin e 20-vjeçarit se i riu është shtyrë në krim nga nëna e tij Liza Tabaku, e cila kundrejt shumave të parave kryente transferimin e mësuesve nga një shkollë në tjetrën ose punësonte mësues të rinj. Më tej gjykata e Apelit ka argumentuar se i riu është duke zhvilluar studimet në universitet dhe për këtë arsye sipas gjykatës, nevojitet që ai të mos ndërpresë studimin, duke arritur që brenda këtij ambienti të edukohet dhe jo të kriminalizohet.

Këto argumenta në fakt u parashtruan dhe nga avokati mbrojtës i Tabakut, ndërsa përfaqësuesi i prokurorisë së Apelit Vlorë, kërkoi që gjykata të caktonte masën e “arrestit në burg” për 20-vjeçarin. Gjykata rrëzoi këtë kërkesë, duke liruar nga qelia të riun. Gjatë seancës së djeshme, gjykata mbylli në burg nënën e tij Liza Tabaku dhe mësuesin Rigert Zeneli, të akuzuar për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Mbaj 50 euro vetë
Mbi informacionin dhe kërkesën e oficerëve është autorizuar kryerja e përgjimit të fshehtë audio dhe video në vende publike, si dhe komunikimeve në këto vende, midis shtetasve Rigert Zeneli dhe Xhanluka Tabaku. Në këtë informacion thuhet ndër të tjera se nga komunikimet verbale të oficerit të policisë gjyqësore me qendrën e përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme rezulton se shtetasi Xhanluka Tabaku, ka kryer një bisedë me shtetasin Rigert Zeneli, mësues në shkollën e fshatit Allkaj, për të mos hequr nga puna shtetasin Gentjan Shtëmbari.

Gjithashtu nga një sms i dërguar në datë 19.11.2014 nga numri i telefonit 0697815XXX i shtetasit Xhanluka Tabaku drejt numrit të telefonit 0696185XXX që i përket shtetasit Rigert Zeneli rezulton kjo bisedë: "Merri 1300 euro. 50 euro mbaj vetë të tjerat merja nesër ti e po vi ti marr unë. Të ngelet mes nesh ok?". Më pas Xhanluka ka folur edhe me nënën e tij Liza Tabaku, e cila e ka siguruar djalin se këtë problem do t'ia mbyllte ajo.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)