Të hënën me 5 dhjetor, gjyqtarja e pezulluar Majlinda Andrea del para Gjykatës së Lartë dhe ish-kolegëve të saj.
 
Andrea është nën akuzë për korrupsion ndërsa ende në arrati ndodhet bashkëshorti i saj, Odhise Andrea.
 
Ajo që shorti i Kolegjit Penal ka përcaktuar është se kryesuesi i trupës së gjyqtarëve do të jetë një grua gjyqtare dhe pikërisht Evelina Qirjako e cila në vitin 2008-të ka filluar karrierën sëbashku me Majlinda Andrean në Gjykatën e Lartë.
 
Majlinda Andrea ndodhet në hetim nga drejtësia për veprën e korrupsionit. Ajo akuzohet se ka dhënë një vendim për njohje pronësie kundrejt një shume parash prej 50 mijë euro.

Korrupsioni
Bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, ka komunikuar me sekserin e pajtuar nga pala e përfshirë në procesin gjyqësor për pronën në Sarandë, Petraq Dashi dhe i ka kërkuar atij 50 mijë euro për marrjen e vendimit në favor. Trualli pretendohej nga Ilia Çabiri (në arrest me burg) dhe Eleni Lino (në arrest shtëpie), të cilin kishin nisur edhe procesin gjyqësor ku gjyqare ishte Majlinda Andrea. Ashtu si Çabiri, edhe Petraq Dashi ndodhet në arrest me burg.
 
Në kërkim bashkëshorti
Odhise Andrea, bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, akuzohet se përmes sekserit Petraq Dashi ka marrë 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të Ilia Çabirit dhe Eleni Linos për njohjen e pronësisë mbi një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë në zonën e Butrintit. Odhise Andrea së bashku me gruan, Majlinda Andrea u larguan nga Shqipëria një ditë para vendimit për arrestimin e tyre. E ndërsa gjyqtarja e pezulluar Majlinda Andrea u rikthye në Shqipëri, burri i saj është në kërkim ndërkombëtar.

Evelina Qirjako
(Gjyqtarja Evelina Qirjako)

ceshtjet per gjykim
(Seanca të hënën në orën 10:00)

Redaksia Online
l.q/Shqiptajra.com