TIRANE- Paketa antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë është miratuar dje në Komisionin e ligjeve, ku pjesë në votim ka marrë edhe deputeti i partisë së çamëve PDIU, Tahir Muhedini. I pranishëm në mbledhjen e djeshme ka qenë edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili nuk ka marrë pjesë në votim, ndërsa deputeti i vetëm demokrat Arben Ristani ka votuar kundër draftit të qeverisë.

Pas kthimit të dy prej projektligjeve për luftën kundër korrupsion, ai i Kodit të Procedurës Penale si dhe ai për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, pak kohë më parë nga ana e komisionit përgjegjës, drafti i ri i Ministrisë së Drejtësisë, i konsultuar me grupet e interesit si dhe me ekspertët ndërkombëtar vjen më i reduktuar.

Ndryshimet
Nga 21 kategori veprash penale korrupsioni, që Ministria e Drejtësisë kishte parashikuar të çonte për hetim e shqyrtim te Prokuroria, e Gjykata e Krimeve të Rënda, gama reduktohet në 4. Vetëm korrupsioni aktiv e pasiv i zyrtarëve të lartë, të zgjedhurve vendorë dhe njerëzve të drejtësisë do të kalojë tek këto organe. Ndërsa korrupsioni në nivele të ulta do të vazhdojë të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë.

"Nga zëvendës ministra, gurvenator, kryetarë të bashkisë, këto do të gjykohen në rastet e korrupsionit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjithashtu në Prokurori dhe Gjykatë do të hetohen edhe prokurorë dhe gjyqtarë të drejtësisë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda", tha Nasip Naço.

Korrupsioni, krim i rëndë
Ndërhyrja që propozohet nëpërmjet ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, ndër të tjera, synon ta konsiderojë korrupsionin, ndër krimet e rënda në vendin tonë dhe që duhet të gjykohet nga një gjykatë e specializuar dhe të hetohet nga një prokurori e specializuar. Në këtë kuadër, veprat penale në fushën e korrupsionit duhet të përfshihen në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, veçanërisht për shkak se korrupsioni është i lidhur ngushtësisht me veprat penale në fushën e pastrimit të parave, krimin e organizuar, si dhe trafikimin e shfrytëzimin e prostitucionit.

Familjarët në shënjestër
Qeveria nuk ndryshon as gamën e familjarëve të zyrtarëve, të lartë, të cilëve do t'u hetohet pasuria, duke lënë në fuqi rrethin e të afërmve që parashikohet në ligjin e vjetër. ''Të lindur, të pas lindur, vëllai, motra bashkëjetuesi, vjehrra, vjehrri apo kushdo që të jetë. Kjo maxhorancë ka vullnetin të luftojë korrupsionin.

Disa gjyqtarë ikin dhjetra herë jashtë shtetit, dhe po t’i shohim pasurinë e tyre e kanë minimale dhe të zakonshme, pavarësisht nga jeta që ata bëjnë. Dhe dikush që ka vëllanë në profesion xhenerik është më i pasur se ata që janë biznesmen dhe kjo tregon që pasuria e tyre është një pastrim parash në rastin konkret”, tha ministri Naço.

Çfarë përmban paketa antikorrupsion?
Paketa antikorrupsion parashikon që në nenin 3 të ligjit nr.10192/2009, ku parashikohen veprat penale që përfshihen në fushën e veprimit të ligjit, të shtohen edhe veprat penale të korrupsionit. Sipas draftit dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj pasurive të: a) personave të afërm (bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka) të subjekteve të veprave penale të korrupsionit;   

  b) personave fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat subjekte të këtij ligji. Masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes.

Shkrimi u publikua sot (01.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)