Pas një mbledhjeje të qeverisë disa qytetarë kanë gjuajtur me bojë makinën e Minsitrit të Brendshëm të Kosovës, Skender Hyseni. Ishin aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje ata që në mënyrë simbolikë kanë gjuajtur me bojë makinën e ministrit.

Sipas tyre ky veprim ka ardhur pas urdhërave që ndalojnë lirinë e lëvizjes që qytetarëve të Shqipërisë në Republikën e Kosovës si pasojë e një vendimi të padrejtë me prapavijë politike. Në deklaratën e tyre Vetëvendosje shprehet: ‘’Për këto arsye, sot ne kemi gjuajtur me ngjyrë veturën e tij gjatë një aksioni simbolik nga aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndalimin e hyrjes në Kosovë për Dejona Mihalin, e më herët deportimet e aktivistëve Boiken Abazi, Arbër Zaimi, Dejona Mihali dhe Bashkim Rodoni, kjo qeveri po i bën në kohën kur strukturat kriminale të Serbisë enden të lirë nëpër Kosovë, madje me përcjellje të policisë.
Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të urdhrit të ndalimit për Dejona Mihalin, Bashkim Rodonin e Boiken Abazin, si dhe ndaljen e persekutimit të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Republika e Shqipërisë. Përndryshe aksionet tona nuk do të ndalen me kaq
!''