Kosovë, qeveria miraton pr/buxhetin 1 miliardë e 598 milionë euro për 2016

Edhe pse pati shumë diskutime dhe pakënaqësi, Qeveria e Kosovës ka miratuar sot pasdite projektbuxhetin për vitin 2016 në vlerë prej 1 miliardë e 598 milionë euro, që është një rritje prej 4.1 për qind më shumë se ky i vitit paraprak, kurse shpenzimet janë paraparë të jenë 1 miliardë e 680 milionë euro.

Ky projektbuxhet reflekton vlerësimin e objektivave zhvillimore si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies për qytetarë, theksuan drejtues të Qeverisë. Në bazë të këtij buxheti, shkurtime buxhetore ka Ministria e Bujqësisë 3 milionë euro më pak.

Kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij ta votojnë këtë projektligj, edhe pse sipas tij, ky buxhet nuk është një zgjidhje ideale për të gjitha Ministritë dhe nevojat e vendit. Ai theksoi se gjatë diskutimeve në Kuvend dhe rishikimit mund të bëhen ndryshime dhe plotësime për ndonjë kërkesë.

Kurse, ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë prezantimit të projektligjit për buxhetin 2016, theksoi se reflekton vlerësimin e objektivave zhvillimore si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies për qytetarët. Sipas tij, buxheti i vitit 2016 është plotësisht në harmoni me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Ai tha se në vitin 2016, kjo Qeveri parashikon të shpenzojë 1 miliardë e 680 milionë euro. Sipas tij, nga diskutimet jo të lehta me FMN-në, Qeveria ka arritur të ketë pajtueshmërinë e plotë dhe përkrahjen për politikat që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e barazisë sociale.

Hoti theksoi se si rezultat i besimit të ndërsjellë mes FMN-së dhe Qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë dhe disiplinën fiskale kanë arritur të krijojnë hapësirë shtesë mbi deficitin sipas rregullit fiskal për investime kapitale me karakter strategjik zhvillimor.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi i bëri thirrje opozitës kosovare që të jetë konstruktive. Ai i bëri ftesë opozitës kosovare, duke theksuar se "sa më tepër gaz lotsjellës që të ketë në Kuvendin e Kosovës dhe dhunë, aq më e zbehtë do të jetë edhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës nga partnerët tanë në UNESCO".

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Morali fake i gazetarëve inkuizitorë që janë opozitarë në Tiranë dhe qeveritarë në Prishtinë