Kosovë, Thaçi bën homazhe
te Jasharajt, Pajaziti dhe Rugova

Kosovë, Thaçi bën homazhe<br />te Jasharajt, Pajaziti dhe Rugova
PRISHTINË - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Festës së 28 Nëntorit ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, dhe para shtatoreve të Komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe ish-presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë.
 
Pasi ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, kryeministri Thaçi ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbarë viseve shqiptare për festën e 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit Kombëtar, ditëlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe njëkohësisht ditës së daljes publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës.
 
“Sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari dhe e familjes heroike Jashari, si dhe e gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës anë e kënd Kosovës, ia solli lirinë dhe pavarësinë Kosovës. Sot, në këtë festë të madhe ndihemi krenarë me këtë sakrificë sublime, por edhe të përgjegjshëm për të vazhduar përkushtimin dhe suksesin tonë institucional për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike”, tha Thaçi.
 
Në Prishtinë, Thaçi ka bërë nderime dhe ka vendosur lule para shtatores së Komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe para shtatores së ish-presidentit Rugova, shkruan Expres.
 
Para shtatores së Komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, kryeministri tha se lufta, heroizmi, kontributi i jashtëzakonshëm i komandant Zahir Pajazitit dhe i gjithë komandantëve të UÇK-së, ka bërë që sot Kosova të jetë e lirë, e pavarur, sovrane dhe kombi të afirmohet jashtëzakonisht në botë.
 
“Kosova si shtet të konsolidohet dhe forcohet gjithnjë e më tepër, në këto momente kur do të shënojmë edhe 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, 101 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë ditë të flamurit kombëtar, jemi duke bërë nderime shtetërore te njëri prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te njëri prej komandantëve të parë të UÇK-së, prandaj nderime dhe lavdi, komandant Zahirit dhe gjithë komandantëve, luftëtarëve e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë njerëzve që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi.
 
Pasi bëri homazhe dhe vendosi lule te shtatorja e ish-presidentit Rugova, kryeministri Thaçi tha bashkë me kabinetin qeveritar, po shprehin nderimin shtetëror për ish - presidentin Rugova, për kontributin e tij, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
“Në këtë ditë të madhe për kombin shqiptar, në ditën e flamurit kombëtar, por edhe të festës së 101 vjetorit të shtetit shqiptar”, tha Thaçi, duke shtuar se prandaj edhe sot në emër të Qeverisë së Kosovës, të gjithë qytetarëve të Kosovës, urojmë shtetin shqiptar për 101 vjetorin dhe në të njëjtën kohë urojmë gjithë kombin shqiptar për Festën e Flamurit.
 
“Le të mbetet kjo festë gjithmonë festë e unitetit, e bashkimit, e afrimit, e solidaritetit, e marrjes së përgjegjësive të reja për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe për afirmimin e kombit shqiptar”, tha Thaçi.
 
Gjatë nderimeve në Prekaz dhe Prishtinë, Thaçi ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, nga ministrat Enver Hoxhaj dhe Bajram Rexhepi.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje