PRISHTINË, 16 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.-Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përmbyllja e suksesshme e dialogut për liberalizimin e vizave me BE-në, janë dy prioritetet kryesore të Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës për këtë vit.
Ministri Bekim Çollaku në raportimin e tij sot para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Kosovës foli për zhvillimet e fundit në axhendën evropiane. Gjatë takimit, ministri Çollaku informoi Komisionin Parlamentar lidhur me proceset si në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Ascoiimit (MSA), ashtu edhe për zbatimin e Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave.
"Ministria për Integrim Evropian ka orientuar punën në dy prioritetet kryesore për këtë vit, nënshkrimi i MSA-së dhë përmbyllja e suksesshme e dialogut për liberalizimin e vizave me BE-në", tha ministri Çollaku.
Më tej, ministri shtoi se në kuadër të MSA-së procesi është duke ecur sipas planifikimit, ku aktualisht draft-marrëveshja është në procedurë të përkthimit në gjuhët zyrtare të BE-së. "Ky proces pritet që të përfundojë brenda 6 mujorit të parë të 2015. Pas kësaj, MSA do të miratohet në takimin e rregullt të Kolegjit të Komisionit Evropian. Plani është që në verë të vitit 2015 Këshilli për Çështje të Përgjithshme të miratojë MSA-në. Këshilli pastaj do të autorizojë Përfaqësuesen e Jashtme për nënshkrim", theksoi ai. Pas nënshkrimit, vijioi ministri Çollaku, MSA do të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës dhe Parlamentin Evropian.
"Ndërsa, lidhur me liberalizimin e vizave përkundër faktit se kemi përmbushur shumicën e kritereve teknike qoftë në miratimin e kornizës ligjore dhe strategjike, apo në konsolidimin e mekanizmave institucionalë dhe arritjen e rezultateve të tjera të prekshme në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit, jemi të vetëdijshëm se kanë mbetur edhe disa kritere/rekomandime të cilat duhet të adresohen nga institucionet përgjegjëse në javët dhe muajt e ardhshëm", tha ministri Çollaku.
Po ashtu, ai informoi anëtarët e Komisionit Parlamentar lidhur me masat e ndërmarra nga ana e institucioneve të vendit për parandalimin e migrimit të parregullt, si dhe me aspekte tjera të koordinimit të axhendës evropiane si përafrmi dhe përkthimi e legjislacionit, koordinimi i asistencës në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit IPA, koordinimit të donatorëve, si dhe zbatimit të strategjisë për komunitetin./a.gjonaj//a.ke/