PRISHTINË, 23 Shkurt /ATSH/ - Kryeministri Isa Mustafa, shprehu sot gatishmërinë e Kosovës për të ndarë eksperiencat me vendet e rajonit me qëllim përmirësimin e menaxhimit të ujërave dhe për të vazhduar reformat e nevojshme.
Në takimin rajonal të Rregullatorëve të Ujit, që po zhvillon punimet në Prishtinë, kryeministri Mustafa tha se, Kosova ka trashëguar një situatë shumë sfiduese në vitin 1999, por konsideroj se ne kemi arritur një përparim të madh në vitet e pasluftës në këtë sektor.
Ai bëri të ditur se së shpejti do të investohet në liqenin e Batllavës dhe të Badovcit, me qëllim evitimin e ujërave të zeza dhe ujërave ndotëse, dhe se përveç marrëveshjeve për financim të fabrikave për trajtim të ujërave të zeza në Skenderaj, Prizren e Gjakovë, do të sigurohet financim për fabrikën e trajtimit të ujërave në Pejë, për ta mbuluar pellgun e Drinit të Bardhë si dhe për Prishtinën, Ferizajn, Gjilanin dhe Mitrovicën.
"Kosova ka arritur reforma të suksesshme në kompanitë të cilat merren me menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve për ujëra.  Qeveria e Kosovës do të punojë që të sigurojë nga donatorët financim të një studimi gjithëpërfshirës për menaxhimin e ujërave për një periudhë afatgjate. Duhet të shohim mundësitë më të volitshme të krijimit liqeneve të nevojshme për t'u ballafaquar me kërkesat e qytetarëve dhe për të ofruar ujë të pijshëm 24 orë", tha kryeministri Mustafa./b.j//k.m/f.n/