Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe, sipas Ramush Haradinajt, kjo nuk është aspak surprizë. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mendon se skenari ishte i shkruar që në fillim nga Albin Kurti, që kur vendosi të formojë qeverinë pa një marrëveshje më të gjerë për presidentin.

“Kjo dihej. Kurti e ka vendosur që atëherë që të shkojë në zgjedhje”, u shpreh Haradinaj duke folur para mediave përpara se të futej në seancën e së martës në Kuvend.

Sipas tij të gjitha lëvizjet e fundit janë thjesht zvarritje kohe. Haradinaj  i cilëson ofertat politike si jo të sinqerta dhe pa synim për zgjidhje.

Sipas tij, gjithçka është bërë vetëm për “ta harxhuar kohën që ka mbetur pa kryer punën që duhet”.

“Nuk besoj që është ofertë së pari dhe nuk është qëllimi të oferta sa është vetëm te shfrytëzimi i kësaj kohe që ka mbetur për ta harxhuar pa kryer punën që i takon me krye. Pra, Kurti ka vendosur të shkojë në zgjedhje në kohën kur e ka bërë Qeverinë pa krijuar një koalicion edhe për presidentin ose në kohën kur e ka votuar buxhetin pa bërë marrëveshje me subjektet opozitare për ndonjë projekt, për ndonjë temë të caktuar dhe këto janë një lloj kamuflazhe e tij. Për fat të keq ai po tallet me të gjithë ne, me gjithë Kosovën, po shkon drejt zgjedhjeve, veç e ka përgatit një pako financiare që synon me e shkepë para zgjedhjeve disa ditë me një pension plus dhe disa shtesa të tjera. Ai e ka gjetur formulën mos me punu katër vjet, mos me zhvillu vendin, mos me i rrit pagat ” tha Haradinaj.

Deklarata vjen një ditë pas dështimit të bisedimeve mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës sa i përket çështjes së presidentit. Bisedimet mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut përfunduan pa rezultat, ndërsa më pas edhe Bedri Hamza i Partisë Demokratike e konsideroi të mbyllur kontributin e PDK-së në këtë proces.

Ndërkohë numërimi mbrapsht ka nisur. Nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.