Kosova e gatshme të fillojë me dozën e tretë të vaksinës

Kosova e gatshme të fillojë me dozën e tretë të vaksinës

Qytetarët në një qendër vaksinimi në Gjilan

Vendimi për aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19 në Kosovë do të merret në kohën e duhur dhe bazuar në situatën epidemiologjike, thonë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Se qytetarët e Kosovës duhet të marrin edhe dozën shtesë kundër koronavirusit e pohojnë edhe profesori në Fakultetin e Mjekësisë, Sali Ahmeti dhe Hana Xhemaili, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore. Doza përforcuese e vaksinës është rekomanduar edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Vendimi për aplikimin e dozës së tretë do të merret në kohën e duhur dhe në përputhje edhe në rekomandimet e organizatave kredibile ndërkombëtare të fushës së shëndetësisë, parashikimet rreth situatës epidemiologjike dhe ecurisë së vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dërguar Radios Evropa e Lirë.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha më 23 shtator se në fillim të muajit tetor do të vendosë nëse do të miratojë dhënien e dozës shtesë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit e moshës mbi 16 vjeç.

Pavarësisht se rregullatori evropian ende nuk e ka miratuar dozën e tretë të vaksinës, disa vende të Bashkimit Evropian po u ofrojnë qytetarëve të tyre një mundësi të tillë. Një proces të tillë tashme kanë filluar edhe disa shtete të rajonit. Serbia më herët ka paralajmëruar se është e gatshme për dozën e tretë, kurse nga e hëna, më 27 shtator, edhe qytetarët mbi moshën 65-vjeçare të Maqedonisë se Veriut po marrin dozën përforcuese.

Kjo dozë e vaksinës duhet të aplikohet edhe në Kosovë, sikurse në shumë vende të Evropës dhe botës, thotë infektologu, Sali Ahmeti.

“Ne duhet të përcjellim trendet e vendeve evropiane, padiskutim, meqenëse kemi të bëjmë me kërcënime të përbashkëta dhe doza e tretë duhet të vijë në shprehje edhe te ne, por personalisht mendoj se prioritet duhet të jetë marrja e dozës së dytë. Ndërsa, do të ishte e preferuar edhe gjetja e mundësive për marrjen e dozës së tretë”, thotë infektologu Ahmeti.

Hana Xhemaili, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, thekson se dhënia e dozës së tretë të vakinës në Kosovë është e nevojshme, por kur të përfundon vaksinimi kundër koronavirusit edhe në vende të varfra që nuk e kanë marrë as dozën e parë. Megjithatë, ajo shprehet se kur merren parasysh praktika e vendeve të rajonit, edhe Kosova duhet të diskutojë për këtë çështje.

“Kur e shohim rajonin, Kosova procesin e vaksinimit e ka nisur më vonë se të tjerët. Vaksinimi ka filluar në muajin mars me doza të pakta, ndërkaq deri më tani janë vaksinuar mbi 500,000 persona me dozën e dytë. Kështu që ne duhet të presim nga 6-9 muaj për të marrë dozën e tretë. Në këtë aspekt nuk jemi vonë, por nuk është herët që të diskutohet për mundësinë e dhënies së dozës përforcuese”, thotë Xhemaili.

Shtetet të cilat kanë filluar dhënien e dozës së tretë të vaksinës e kanë filluar më herët fushatën e vaksinimit dhe doza e tretë është duke iu administruar kategorive të caktuara të shoqërisë, siç janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike, ata që janë në qendrat e kujdesit për të moshuar, punëtorët shëndetësorë dhe një kategori e fëmijëve me imunitet të komprometuar.

Infektologu Ahmeti shprehet se nëse autoritetet kompetente miratojnë dhënien e dozës së tretë, prioritet duhet të kenë personat me sistem të dobët imunitar.

“Në këtë proces, me prioritet duhet të jenë personat e moshuar me sëmundje kronike dhe të rinjtë me imunitet të dobët. Patjetër, mendoj se edhe punëtorët shëndetësorë duhet të jenë prioritet sepse janë kategori e rrezikuar. Doza përforcuese duhet të jepet 6-9 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thekson ai.

Në Kosovë nga muaji mars, kur ka filluar procesi i imunizimit, deri më tani janë administruar afër 1.3 milion doza, nga to mbi 513,000 qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat kundër koronavirusit./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare