Për gati gjashtë dekada, Kosova ishte një brengë, një mall dhe pjesë e pandashme e botës shpirtërore të Ismail Kadaresë. Një lidhje që u përkthye edhe në letërsi, në zë proteste dhe në një dëshmi të fuqishme të dashurisë për kombin.

Në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, ekspozita “Kosova e Kadaresë” u çel në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, duke sjellë për publikun dorëshkrime, letra, botime të rralla dhe dokumente nga fondi personal i Kadaresë. Një rrugëtim mes historisë dhe kujtesës, që pas Prishtinës mbërrin në Tiranë, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Shqipëri-Kosovë. Por përtej dokumenteve, janë kujtimet ato që i japin kësaj ekspozite një emocion të veçantë.

“Për herë të parë që unë mbaj mend, ai ndërpreu punën e tij krijuese kur ishin ngjarjet e Kosovës. E la punën dhe u mor kaq shumë me këtë histori. I shkruante presidentëve, Papës Gjon Pali II, presidentit Bush, duke dhënë alarmin për atë që po përgatitej për Kosovën.”, tha e veja e Ismail Kadaresë, Elena Kadare.

Elena Kadare sjell edhe një kujtim të veçantë nga vizita e tyre e parë pas luftës, kur mbërritja e shkrimtarit në Kosovë u shndërrua në një pritje të jashtëzakonshme popullore.

 “Për mendimin tim, Kosova ka treguar shumë më tepër dashuri për Ismailin sesa Shqipëria vetë.”

Ndërsa vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare, e rrëfeu këtë lidhje përmes një historie që nis në vitin 1966, kur babai i saj kalonte me avion mbi Kosovë, pa pasur mundësi të zbriste.

“Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë, midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua. Ai poet i ri ishte babai im. Kështu nisi lidhja e tij me Kosovën, nga qielli, nga larg, si një mall që s'kishte ku të ulej.”, tha e bija e shkrimtarit, Besiana Kadare.

Kjo lidhje më pas u shndërrua në krijimtari dhe angazhim publik: nga “Krushq janë të ngrirë”, kushtuar protestave të studentëve të Kosovës, te letrat drejtuar udhëheqësve botërorë në vitin 1991 dhe ditari “Ra ky mort e u pamë”, ku shkrimtari dokumentoi dramën e luftës së Kosovës. Duke iu referuar dorëshkrimeve të ekspozuara, ajo i cilësoi ato si gurët e një drame, të cilët tashmë i takon lexuesit t'i bashkojë për të kuptuar përmasën e vuajtjes.

“Në vitin 2023, Kosova i dha nënshtetësinë babait tim. Ai që dikur e kishte parë vetëm nga qielli u bë qytetar i saj. Kur babai u largua nga kjo botë, Kosova mbajti zi.”, tha Besiana Kadare.

Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte edhe lajmi për dhurimin e dorëshkrimeve dhe dokumenteve të çmuara në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ndërsa piktori Faton Kryeziu i dhuroi Shtëpisë Studio Kadare portretin e shkrimtarit.

Sot, dorëshkrimet e Kadaresë qëndrojnë në dy bibliotekat kombëtare, në Tiranë dhe Prishtinë. Sepse, siç u shpreh Besiana Kadare, dikur shqiptarët i bashkoi një mort, sot i bashkon vepra e tij.