“Kosova ju thotë mirëdita” në Beograd

 "Kosova ju thotë mirëdita", titullohet veprimtaria kulturore, që do të zhvillohet gjatë kësaj jave në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Organizatorët bëjnë të ditur se, festivali "Mirëdita, Dobar dan!", i cili mbahet në Beograd nga data 18 deri më 21 shtator, ka për qëllim njohjen e publikut serb me skenën kulturore të Kosovës. Synimi i organizatorëve është që ky festival të vazhdojë të organizohet në mënyrë tradicionale, duke kontribuar në vazhdimësi në vendosjen e paqes së përhershme dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Bekim Fehmiu, aktor shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, është simbol i të kaluarës së përbashkët, përmes të cilës, me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet, ka shërbyer si frymëzim për themelimin dhe realizimin e këtij festivali", thekson njoftimi.

Vizitorët e këtij festivali do të kenë mundësinë që të njihen me skenën kulturore të Kosovës - teatër, film, muzikë dhe artet vizuele. Përveç paraqitjeve artistike, festivali do të organizojë debate publike, të cilat do të ekzaminojnë marrëdhëniet kritike midis Prishtinës dhe Beogradit, nga pikëpamja e të kaluarës, si dhe nga perspektiva e bashkëpunit në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, kulturës, sportit, sektorit civil dhe të gjitha segmenteve të tjera të shoqërisë.

Panelistë të këtyre debateve do të jenë: Natasa Kandic, Nora Ahmetaj, Shkëlzen Gashi, Lazar Stojanovic, Miljenko Dereta, Maja Stojanovic, Shpend Kursani, Rron Gjinovci, Vladan Arsenijevic, Dragan Popovic, Kushtrim Koliqi.

Rona Nishliu, jazz, këngëtarja nga Prishtina, e cila u bë e njohur për publikun Evropian në vitin 2012, ku pati një performancë dhe vlerësim të shkëlqyer në Festivalin e Këngës Europiane "Eurosong 2012?, do të bëjë hapjen ceremoniale të festivalit "Mirëdita, Dobardan!", në hapësirat Orkestrës Filharmonike të Beogradit. Ndërsa, skena filmike e Prishtinës do të prezentohet me filmat e regjisores Blera Zeqiri, fituese kryesore në festivalet e filmit "Sundance" dhe "Sarajevë", si dhe me filmat nga festivali i studentëve "SKENA UP", i cili do të sjellë autorë të rinj nga Kosova në Beograd. Skena Teatrore do të prezentohet nga regjisori i famshëm i teatrit, Bekim Lumi, me shfaqjen e tij "Dilerat", së bashku me regjisorin e ri Kaltërim Balaj, i cili vjen me shfaqjen e tij teatrore "Oh ditët e bukura". Gjithashtu, publiku në Beograd do të ketë mundësinë të shijojë poezi, letërsi dhe forma të tjera të artit nga Kosova.

Festivali do të mbahet në periudhën prej 18 deri më 21 shtator 2014, në lokacione të ndryshme nëpër Beograd, si: Qendra për Dekontaminim Kulturor, Qendra Kulturore "Grad", Qendra Kulturore "REX", Qendra Kulturore "Parobrod", ndërsa hyrja do të jetë pa pagesë.

Festivali organizohet nga: Integra (Kosovë), Iniciativa Qytetare (Serbi) dhe Qendra për Politika (Serbi), si dhe mbështetet nga forum ZFD për Ballkanin Perendimor, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur - Soros./ATSH/
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)