Kosova vazhdon të mbetet një vend “pjesërisht i lirë”, edhe pse ka shënuar vetëm një përmirësim të lehtë në raportin më të fundit të Freedom House që analizon të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore të ndryshme,gjatë gjithë vitit 2025.
Në raportin “Liria në Botë 2026”, Kosova është vlerësuar me 61 pikë nga 100, vetëm një pikë më shumë krahasuar me një vit më parë. Sipas raportit, gjykatat në vend kanë dhënë vendime që tregojnë një farë pavarësie, edhe pse kanë qenë nën presion politik.
Megjithatë, zhvillimet politike gjatë vitit të kaluar kanë ndikuar negativisht. Vendi u përball me një bllokadë të gjatë institucionale, pasi për një kohë të gjatë nuk u arrit të formohej qeveria dhe vendi u drejtua nga një kabinet në detyrë.
“Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.
Ndër të tjera, në raport, përmenden edhe problemet e vazhdueshme si korrupsioni në institucione dhe presionet ndaj gazetarëve.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria renditet më lart me 69 pikë, gjithashtu një pikë më shumë se një vit më parë. Serbia ka rezultatin më të ulët me 53 pikë, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 54. Ndërkohë, Mali i Zi vlerësohet me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67.
Komente








