Kosova me MSA shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm

/ATSH-Behlul Jashari/.-Kosova shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm, tha kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp sot pasdite në Prishtinë, pas kthimit nga Strasburgu, ku ka nënshkruar dje Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
"Ky proces do të realizohet duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së", u shpreh kryeministri Mustafa.
Ai shtoi se elementet më të rëndësishme të MSA-së kanë të bëjnë me relacionet kontraktuale, relacionet tregtare, me asistencën financiare, me bashkëpunim rajonal dhe relacionet e mira fqinjësore. "Të gjitha këto janë të përmbajtura në Marrëveshje dhe se në ditët në vijim do të shpjegohen dhe sqarohen para qytetarëve ku edhe do të shpalosen përfitimet që Kosova do t'i ketë me këtë Marrëveshje, në rrugën e saj të pandalshme të integrimit në BE", tha Mustafa.
Kryeministri Mustafa  ritheksoi se nënshkrimi i MSA-së të martën në Strasburg, është ndër ditët më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë."Kjo Marrëveshje është rezultat i punës dhe angazhimit të qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Kosovës. Por, më meritorët për këtë të arritur, janë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë dëshmuar përkushtim dhe mbështetje të pa rezervë për rrugën integruese evropiane, duke përqafuar dhe promovuar vlerat evropiane", u shpreh ai.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, tha se kjo është Marrëveshja e parë e rëndësishme mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. "Është kontrata e parë formale mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por është edhe hapi më i rëndësishëm, krucial, mund të themi lirisht, në raportet e Bashkimit Evropian me Kosovën", u shpreh ai.
Sot, vijoi Thaçi, "Kosova ka arritur në nivel, mund të them të barabartë, me vendet tjera të rajonit, qoftë me Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë, me Malin e Zi,  apo edhe me Serbinë, sepse jemi futur në rrugë zyrtare të integrimit në Bashkim Evropian dhe ajo që është më e rëndësishme është se edhe Bashkimi Evropian e mbështet Kosovën në mënyrë unike, pra, të gjitha vendet që janë pjesë e Bashkimit Evropian".
Ndërsa, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, është një e arritur e madhe historike. "Kjo Marrëveshje, ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është nënshkruar në një moment delikat, në një moment të vështirë.  Duke ditur se Kosova ende nuk është njohur  nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, kemi arritur të nënshkruajmë Marrëveshjen e  Stabilizim Asocimit, me ç'rast Kosova është futur në marrëdhënie kontraktuale me BE-në". 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet në Dubai Elson Reçi, organizator i atentatit ndaj Preng Gjinit