PRISHTINË, 25 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Kosova thekson nevojën për intensifikim të angazhimit dhe punës së përbashkët të të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin e zbardhjes së fatit edhe të 1711 personave, që vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur të luftës së para mëse 15 viteve.
Në takim gjatë ditës së djeshme në Prishtinë me delegaiconin e Grupit të Punës të Kombeve të Bashkuara Kundër Zhdukjes me Forcë, kryetari i delegacionit të Kosovës, akademik Pajazit Nushi, ritheksoi "nevojën e vazhdimit të dialogut me palën serbe, si një mundësi e rëndësishme në sigurimin e informatave të reja mbi fatin dhe vendndodhjen edhe të 1711 personave të evidentuar si të zhdukur".
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj e përfaqësuesit e tjerë kosovarë kërkuan që "pala serbe të jetë më bashkëpunuese në hapjen edhe të lokacioneve tjera të dyshuara si varreza të mundshme masive, në veçanti tani pasi gjetjet e mbetjeve mortore në lokalitetin Rudnicë kanë konfirmuar ekzistimin e varrezave masive në territorin e Serbisë".
Anëtarët e Grupit të Punës të Kombeve të Bashkuara Kundër Zhdukjes me Forcë, vlerësuan takimin me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur si një mundësi në misionin e tyre për t'u njohur më afër me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur në Kosovë, si dhe në tërë rajonin e Ballkanit, duke theksuar të drejtën e familjarëve për të ditur sa më parë për fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur, si pasojë e konflikteve të armatosura.
Grupi i Punës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e Detyrueshme ose të Pavullnetshme vazhdon sot dhe nesër vizitën e filluar dje në Kosovë./k.s/./a.g/