-Ministri Hoti: Qeveria e Kosovës po punon në rritjen e transparencës dhe menaxhimin efikas të parasë publike-
PRISHTINË, 18 Tetor /ATSH-Behlul Jashari/.-Qeveria e Kosovës në Buxhetin e Shtetit për vitin 2016 pret të ketë 27 milionë euro për shpronësimet, që kryesisht i dedikohen trasesë së autostradës nga Prishtina në Han të Elezit-kufiri me Maqedoninë drejt Shkupit, bëri të ditur sot ministri i Financave, Avdullah Hoti, i pyetur nga ATSH në një konferencë për shtyp.
"Ne këtë vit kemi pasur 27 milionë euro për shpronësime. Edhe vitin e arshshëm i kemi 27 milionë euro, kryesisht janë të lidhura me shpronësimet e ndërtimit të autostradës për në Shkup dhe me kontrata nëpër ministri të ndryshme për rrugë, shkolla dhe projekteve tjera publike", theksoi ai.
Në një mbledhje të qeverisë muajin e kaluar, ministri i Financave, Hoti, ka informuar për situatën në buxhetin e planifikuar për shpronësimet për interes publik, i cili për këtë vit është shpenzuar dhe, siç u theksua, "vendimet e ardhshme duhet të vlerësohen dhe shqyrtohen me vëmendje".
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
 "Sa i përket shpronësimit të Pallatit të Rilindjes është çështje e dakordimit të veprimit me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, sepse në atë rast ne paguajme vetëm 20 përqindëshin që u takon punëtorëve", tha ministri i Financave, Avdullah Hoti, i pyetur nga ATSH, duke shtuar se nuk kishte edhe detaje të tjera.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 70 vitesh, në 12 shkurt 1945, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, dhe është mbyllur para 13 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.
Në konferencën e sotme për shtyp, ministri Avdullah Hoti theksoi se, qeveria e Kosovës po punon në rritjen e transparencës dhe menaxhimin efikas të parasë publike.
Ai bëri të ditur se, Ministria Financave, së bashku me të gjithë akterët relevantë, ka hartuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.
 "Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik avancon prokurimin publik, duke e bërë procesin më efikas përmes freskimit të procedurave ekzistuese dhe inkuadrimit të mekanizmave dhe procedurave të reja. Këto modifikime janë bazuar në nevojat e identifikuara gjatë zbatimit të ligjit ekzistues, si dhe në legjislacionin përkatës të Bashkësisë Evropiane", theksoi ai.
Ndryshimet që do t'i sjell ky Projektligj, vijoi Hoti, do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit, transparencës, cilësisë së punëve dhe materiale që prokurohen, në shmangien e procedurave të komplikuara dhe në shtimin e vlerës së parasë.
 "Krahasuar me ligjin aktual, Projektligji rregullon më në detaje prokurimin në fushën e sigurimit dhe mbrojtjes, duke siguruar që vetëm për mallrat që janë specifike mund të evitohen procedurat e prokurimit standard, dhe kjo në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Dhe gjithashtu  mundëson ndarjen e kontratave publike në llote homogjene dhe heterogjene, me qëllim të përfshirjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në tregun kombëtar të prokurimit publik", ka thënë ministri Hoti.
 Ministri i Financave, Hoti gjithashtu bëri të ditur se në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Financave implementimi i këtij Projektligji nuk do të sjell kosto shtesë financiare për institucionet e zbatimit të ligjit. "Përkundrazi,  do të krijojë kursime", shtoi ai.
 Në konferencën për shtyp, ministri Avdullah Hoti prezantoi gjithashtu të hyrat dhe shpenzimet e qeverisë për periudhën Janar - Shtator 2015. "Ka pasur një performancë të jashtëzakonshme të të hyrave tatimore, në mesatare kemi një rritje prej 7.8% të të hyrave, prej të cilave 11.1 % ka rritje të të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe 7.3% ka rritje të të hyrave në Dogana. Në një situatë ku ekonomia e Kosovës po rritet me një normë mesatare rreth 3%, pra kemi trefish më shumë të hyra se sa rritja nominale vjetore e aktivitetit ekonomik në vend, që është shenjë e luftimit të informalitetit dhe rritje së ekonomisë formale", theksoi ai.
 "Po vazhdojmë me disiplinimin e kursimeve, si rezultat kemi pas kursime prej 4.8% në shpenzimet për mallra dhe shërbime, në kategoritë e tjera  shpenzimet po shkojnë sipas trendit dhe ne besojmë se do ta përmbyllim vitin ashtu siç e kemi planifikuar me rishikimin e Buxhetit në muajin korrik", u shpreh në konferencën për shtyp ministri Hoti.