Kosova, portë e hapur për diplomacinë ruse

Kosova, portë e hapur për diplomacinë ruse

Në 16 vjetët e fundit Rusia ka pasur një prezencë të madhe diplomatike në Kosovë.

Hulumtuesit thonë se nga viti 2005 kur u hap Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, dhjetëra diplomatë rus kanë qenë me mision në Prishtinë.

Lulzim Peci, ish-diplomat kosovar, tani drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë se Zyra Ruse kohëve të fundit ka qenë ndër misionet më të mëdha diplomatike në Kosovë.

“Me sa di unë, në këtë zyre mbi dhjetë diplomatë kanë qenë në kohën e fundit që për numrin e diplomatëve, ndoshta pas SHBA-së, ndoshta ka qenë një mision me më së shumti diplomatë”, thotë Peci.

Kur u hap Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë?

Rusia formalizoi praninë e saj diplomatike në Kosovë në vitin 2005, kur asokohe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, mori pjesë në hapjen solemne të kësaj zyre në Prishtinë.

Asokohe Kosova administrohej nga Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe kryeadministrator ishte Soren Jessen-Petersen, i cili së bashku me kryeministrin Bajram Kosumi morën pjesë në ceremoninë e hapjes së zyrës ruse.

Pjesëmarrja e Kosumit në këtë aktivitet, të paktën publikisht, njihet si vizita e vetme e një zyrtari të Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

Në këto 16 vjet, sa funksionon Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, ka ushtruar aktivitete kryesisht të heshtura.

Edhe pse viteve të fundit, sipas organizatave të shoqërisë civile, ka pasur deri mbi dhjetë diplomatë, veprimtaria e kësaj zyre është shfaqur fare pak në publik.

Krejt çfarë gjendet në internet për aktivitetet e saj janë fotografi të takimeve me zyrtarë të misioneve ndërkombëtare si EULEX-i dhe UNMIK-u.

Vëmendja te Zyra Ndërlidhëse Ruse u kthye më 22 tetor kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi për shpalljen persona “non-grata” të dy diplomatëve rus që punonin për këtë zyre.

Për ta kishte informacione se kanë “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës”.

Pas dëbimit të dy diplomatëve rusë nga Kosova, Radio Evropa e Lirë ka shprehur interesim që të flasë me zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

Në një komunikim përmes telefonit, Radios Evropa e Lirë i është thënë që pyetjet eventuale të dërgohen përmes postës elektronike dhe është thënë se do të kthehet një përgjigje.

Por, pavarësisht kësaj, kjo zyre nuk është përgjigjur më në asnjë nga kërkesat e REL-it.

Si funksionon Zyra Ruse?

Nga viti 2005 Zyra Ndërlidhëse Ruse funksionon nën ombrellën e një akreditimi pranë misionit të UNMIK-ut që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pjesëtarët e zyrave ndërlidhëse nuk i nënshtrohen asnjë regjimi të vizave dhe kanë të drejtë të hyrjes dhe qëndrimit në Kosovë. Ata pajisen me dokumente speciale nga OKB-ja dhe kanë të drejtë të hyjnë dhe të dalin nga territori i Kosovës sa herë që duan.

Përpos imuniteteve të tjera të përcaktuara me këtë rregullore, stafi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë ka imunitet të plotë “nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ vendor”.

Përveç stafit që ka imunitet, edhe ambientet e Zyrave Ndërlidhëse janë të paprekshme.

Sipas rregullores, objekti dhe asetet e Zyrës Ndërlidhëse janë imune ndaj bastisjeve, urdhrave të institucioneve lokale, sekuestrimi dhe çdo formë ndërhyrjeje, qoftë me veprim ekzekutiv, administrativ, gjyqësor apo legjislativ.

Për mënyrën e funksionimit të kësaj zyre, Radio Evropa e Lirë ka provuar që të marrë disa përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë ministri nëse ka pasur ndonjë komunikim me këtë zyre dhe se çfarë aktivitetesh i lejohen në bazë të ligjeve të Kosovës.

Në MPJD nuk i janë përgjigjur interesimit të REL-it duke lënë pa përgjigje shumë pyetje, në mesin e të cilave edhe pyetjet rreth stafit diplomatik, mënyrës se si ata akreditohen për të operuar në Kosovë, si dhe aktivitetet, në të cilat është e përfshirë Zyra Ruse.

OKB-ja shmang komentet për Zyrën Ruse në Kosovë

Por, pavarësisht raporteve komplekse ndërmjet Kosovës dhe Rusisë, në misionin e UNMIK-ut në Kosovë nuk kanë komentuar sa i takon mënyrës se si funksion Zyra Ndërlidhëse Ruse dhe aktiviteteve që asaj i lejohen.

UNMIK e ka referuar REL-in që për këtë çështje të kontaktojë me zyrën për media të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Një zëdhënës nga kjo zyrë, përveç se tha se janë në dijeni për dëbimin e dy diplomatëve rusë dhe se janë në kontakt me të gjitha palët e përfshira nuk bëri asnjë koment tjetër.

Sa i takon Akreditimit të Zyrës Ruse në Prishtinë ai tha se atë çështje e rregullon rregulloja e UNMIK-ut për hapjen dhe funksionimin e zyrave ndërlidhëse në Kosovë.

Ish-diplomati Peci ka hulumtuar ndikimin e Rusisë në Kosovë dhe thotë se ndikimin më të madh Rusia e ka te popullata serbe.

“Brenda në Kosovë Rusia ka ndikim të jashtëzakonshëm te popullata serbe sidomos ajo në veri, e cila e sheh Vladimir Putinin një lloj shpëtimtari të tyre dhe nuk ka qenë e rastësishme ardhja e ambasadorit të Rusisë në Beograd, Aleksander Botsan-Kharçenko, gjatë krizës që ishte në muajin shtator në kufi me Kosovën që t’i inspektojë trupat ushtarake të Serbisë aty”, shprehet Peci.

Ndikimi i rus te serbët e Kosovës

Konstatimi i ish- diplomatit Peci se Rusia ka ndikim më të madh në qytetet e banuara më shumicë serbe në Kosovë e theksojnë edhe raporte të organizatave të tjera joqeveritare.

Në një nga raportet e publikuara në vitin 2020 nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë-(QKSS), me titull “Ndikimi rus në Kosovë nën hijet e mitit dhe realitetit”, mes tjerash flet për ndikimin që diplomatët rusë të Zyrës Ndërlidhëse në Kosovë kanë mbi partitë politike serbe si dhe popullatën serbe që jeton në Kosovë.

Ky raport, ndër tjerash, thotë se diplomatët e kësaj zyre marrin pjesë në takimet e komunitetit serb.

Një mënyrë tjetër e shtrirjes së ndikimit të Rusisë te serbët lokalë në Kosovë, sipas këtij raporti është edhe përmes shfrytëzimit të ndikimit që Beogradit zyrtar ka mbi ta.

Por, drejtoresha ekzekutive e Iniciativës së Re Sociale me bazë në Mitrovicë të Veriut, Jovana Radosavleviq, mendon se ndikimi rus në komunat veriore nuk është në nivelin që portretizohet.

“Direkt nuk ka asnjë ndikim të dukshëm. Do të thotë nuk mund të pretendoj se nuk ka fare, por nuk është i dukshëm dhe nuk është në formën që është portretizuar”, thotë Radosavleviq.

Duke folur për aktivitetin e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë, ajo thotë se në komunat me shumicë serbe nuk vërehet ndonjë ndërhyrje apo tendencë për ndikim të drejtpërdrejtë.

“Ata nuk kanë të njëjtën qasje në kuptimin si dhënia e fondeve për shoqërinë civile, për shembull. Ata mund të jenë të interesuar në ndoshta përkrahjen e rindërtimit apo diçka e tillë, por nuk jam në dijeni të ndonjë ndikimi apo aktiviteti të tillë në komunat serbe në Kosovë”, tha Radosavleviq.

Sikurse Radosavleviqi, ashtu edhe Peci, thonë se ndikimi i Rusisë te serbët e Kosovës varet gjithmonë nga ndikimi që Rusia ka në Beograd.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 Rusia është ndër kundërshtarët kryesorë të shtetit të Kosovës.

Rusia, përveç kundërshtimit të pavarësisë ka qenë aleati kryesor i Serbisë në bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Me gjithë raportet jo aq miqësore, në vitin 2018 në një ngjarje në Paris të Francës shumëkush u çudit kur pa një fotografi nga takim i asokohe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Në këtë takim u tha se Thaçi e Putin, folën për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë që prej vitesh zhvillohet në Bruksel.

Aty u tha se Rusia do të ishte e gatshme ta mbështesë çdo marrëveshje finale, për të cilën pajtohen të dyja palët./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë