Kosova zbaton sanksionet e SHBA-së ndaj grupit rus 'Wanger'

Kosova zbaton sanksionet e SHBA-së ndaj grupit rus 'Wanger'

Ndërtesa e qeverisë së Kosovës

Kosova ka përditësuar vendimin e saj për sanksione ndaj grupit rus të mercenarëve Wagner, duke i përshtatur ato me vendimin e Shteteve të Bashkuara, që në janar e shpallën Wagner-in “organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale”.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky grup mercenarësh, po “kërcënon dhe minon” sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Qeveria miratoi plotësimin e vendimit të 16 majit të vitit 2022, që parashihte sanksione ndaj Wagner-it bazuar në një vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pushtimi i Rusisë kundër Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022, “ka hasur në rezistencën e shtetit dhe popullit të Ukrainës", por është dënuar nga shtetet demokratike.

“Departamenti amerikan i Thesarit më 26 janar të këtij viti ndërmori masa kufizuese ndaj grupit Wagner si një organizatë kriminale transnacionale, duke përfshirë edhe rrjetin global të Wagner-it, sektorin ushtarak të Rusisë dhe miqtë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit. Këto sanksione u ndërmorën për të degraduar kapacitetet e Federatës Ruse për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës, duke sanksionuar edhe tetë individë, 16 subjekte dhe katër avionë", tha Bislimi.

"Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës propozon plotësim-ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës [të 16 majit 2022] për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga SHBA-ja, e që zbatohen nga ana e Republikës sonë në raport me obligimet ndërkombëtare kundër grupit Wagner si dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tyre dhe kompanive të tjera që mbështesin fushatën ushtarake ruse”, shtoi ai.

Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, Kosova ka vendosur sanksione ndaj Moskës, duke ndjekur vendimet e marra nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Grupi Wagner është i përfshirë aktivisht në luftën në Ukrainë dhe së fundmi mercenarët e tij po konsiderohen si një forcë e rëndësishme në përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.

Përveç se ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Kosova ka ofruar mbështetje për Ukrainën, duke strehuar përkohësisht disa gazetarë ukrainas. REL

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen