/ATSH/.- Askush nuk do t'i kërkojë Serbisë të heqë dorë nga diçka që nuk është e saj, tha sot zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Arban Abrashi, i cili ka reaguar ndaj deklaratës për Trepçën të drejtorit të Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç.

"Duhet të theksojmë se askush nuk do t'i kërkojë Serbisë të heqë dorë nga diçka që nuk është e saj. Trepça dhe të gjitha pasuritë natyrore kanë qenë dhe janë të Kosovës dhe gjithashtu e kuptojmë Gjuriçin që ai duhet të flasë fjalë të mëdha", ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi për koha.net.

Ky portal, më parë ka njoftuar se Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, ka thënë se secili që mendon se Serbia nën çfarëdo rrethane do të heqë dorë nga lufta për Trepçën, pasurinë e vet, për të drejtat e popullit të vet në Kosovë, ka vetëm iluzione./