PRISHTINË, 14 Shkurt /ATSH/.- Ministri Kosovar i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka vizituar Komunën e Obiliqit, ku u prit nga kryetari Xhafer Gashi. Ministri Agani u njoftua për së afërmi me problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Obiliqit, me theks të veçantë problemet në fushën e mjedisit, por edhe planifikimit hapësinor.
Sipas njoftimit të dërguar sot, në këtë takim u bisedua rreth temave të ndryshme, duke u fokusuar konkretisht rreth objekteve banesore që janë të dedikuara për familjet e zhvendosura nga fshati Hade e që u kërkua të inicohet nga ministria dhe me miratim të qeverisë t'i kalohen në pronësi Komunës së Obiliqit.
Ministri Agani i dha mbështetje edhe projekteve që kanë të bëjnë me rregullimin e shtratit të lumenjëve dhe përmirësimin e mjedisit. Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që është i domosdoshëm inicimi dhe miratimi i Ligjit për Obiliqin në Kuvendin e Kosovës, ngase konsideruan se një ligj i tillë do të rregullonte problemet e shumta mjedisore në këtë rajon, përfundon njoftimi.
Obiliqi dhe rrethina për shumë vite i ekspozohen ndotjes së ambientit nga Termocentralet e Kosovës /b.j//a.ke/