Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka liruar Besim Kelmendin nga posti i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të hënën, pas kërkesës së tij me shkrim, një javë pasi gjykata e lartë e anuloi shkarkimin e tij që kishte nxitur polemika e kritika.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial, kërkesa e Kelmendit për t'u liruar nga detyra u miratua me 6 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Atë do ta pasojë Agron Qalaj, i cili u ricaktua ushtrues detyre po në të njëjtën mbledhje të hënën.
Me 5 vota për dhe 1 kundër, Qalaj u riemërua deri në një vendim të radhës të Këshillit Prokurorial.
Në një shkresë të dorëzuar në Këshillin Prokurorial, Kelmendi kishte theksuar se kërkesa për t’u liruar nga detyra ishte “pasqyrim i vullnetit tim për ta mbështetur reformën në Sistemin Prokurorial dhe për të kontribuar në përmirësimin e gjendjes së krijuar në Këshill”, raportoi Betimi për Drejtësi të hënën.
Kelmendi theksoi se dëshironte të largohej nga kjo detyrë - të cilën e kishte mbajtur nga prilli i vitit 2022 - pas vendimeve gjyqësore për rastin e tij dhe gjendjes së krijuar në Këshillin Prokurorial.
Kërkesa e tij vjen vetëm pesë ditë pasi Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Këshillit Prokurorial për shkarkimin e tij, duke e quajtur të kundërligjshëm.
Supremja anulon vendimin për shkarkimin e Kelmendit nga ushtruesi i detyrës së kryeprokuror të shtetit
Kelmendi ishte shkarkuar muajin e kaluar pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar. Ai i ka mohuar këto pretendime.
Shkarkimi i tij nxiti reagime nga bashkësia ndërkombëtare dhe shkaktoi polemika për ligjshmërinë e vendimit, pasi ai u votua nga vetëm pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial. Pjesa tjetër e anëtarëve vlerësuan se s’kishte kuorum, dhe e quajtën vendimin "puç institucional".
Kelmendi u ankua në Supreme pasi Gjykata Themelore nuk ia pranoi ankesën kundër shkarkimit. Supremja gjeti se vendimi i Këshillit Prokurorial ishte “i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë”.
Në shkresë, Kelmendi tha se dëshiron ta vazhdojë karrierën si prokuror dhe u zotua se do të punojë “me përkushtim për të mirën e sistemit prokurorial”.
“Dhe krejt në fund, unë, si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, do të punoj më përkushtimin tim më të madh për të mirën e Sistemit Prokurorial, i pavarur, i pa anshëm dhe me profesionalizëm, ashtu siç më ka vlerësuar Këshilli Prokurorial”, përfundoi ai./REL
Komente
