Kosovë/ Dhjetë të vaksinuara kundër kancerit të qafës së mitrës

Kosovë/ Dhjetë të vaksinuara kundër kancerit të qafës së mitrës

Dhjetë vajza në Kosovë janë vaksinuar me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), e cila i mbron ato nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës. Aplikimi i vaksinës është realizuar pasi në Kosovë, në tetor të vitit të kaluar, arritën 300 doza të kësaj vaksine, thanë përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore. Fetije Fetaj, shefe për imunizim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, thotë se vaksinimi është bërë në mënyrë vullnetare.

Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës te gratë. Në Ministrinë e Shëndetësisë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se kanë siguruar 300 doza të vaksinës, ndërsa nga vitin tjetër thanë se numri i këtyre vaksinave do të rritet ndjeshëm.

Nga viti 2024, sipas MSH-së, planifikohet që vaksina HPV të përfshihet në kalendarin e rregullt të vaksinimit. Kjo vaksinë, sipas autoriteteve shëndetësore, do t’u jepet vajzave të moshës 12 deri në 16 vjeçe dhe vaksinimi do të jetë i rekomandueshëm, por jo i detyrueshëm. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Andaj, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual. Drejtori i Klinikës Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Zef Ndrejaj, tregon se gjatë vitit 2022, në këtë klinikë, 72 paciente janë trajtuar me kancer të qafës së mitrës. Ndrejaj thotë se viteve të fundit vërehet një rritje e numrit të rasteve me këtë sëmundje dhe për këtë ai thotë se është i domosdoshëm vaksinimi. Sipas tij, dozat e para të vaksinave që kanë arritur në Kosovë, fillimisht duhet t’iu jepen vajzave, anëtaret e familjeve të të cilave janë të diagnostikuar me kancer në qafën e mitrës.

“Pasi kanë ardhur vetëm 300 doza, duhet të përzgjidhen rastet, pasi trashëgimia është një nga faktorët. Duhet të gjenden ato vajza që kanë pasur një nga anëtarët e familjes të sëmurë, siç është nëna, tezja apo daja, ose kanë pasur raste të vdekjes të anëtarëve të familjes... këtu duhet të fokusohen këto 300 doza të vaksinave”, thekson ai.

Edhe gjinekologu Blerim Syla, i cili punon në sektorin publik dhe privat të shëndetësisë në Kosovë, thotë se rastet me kancerin e qafës së mitrës janë të shpeshta, por sipas tij, në Kosovë zbulohen vonë. Zbulimi i vonshëm, sipas tij, është i pashërueshëm dhe parandalimi është mundësia më e fortë që mund të ekzistojë. Megjithatë, futja e kësaj vaksine në kalendarin e rregullt të vaksinimit, sipas Sylës, duhet të bëhet me rekomandim të Shoqatës së Gjinekologëve dhe jo për këtë të vendosë Ministria e Shëndetësisë.

“Duhet të kemi shumë kujdes, edhe njëherë po them, të marrim shembujt e shteteve që kanë aplikuar... është e mirë, është preventive, por ka shumë pikëpyetje para se të vendoset në kalendarin e imunizimit. Për momentin [vaksinimi] mund të jetë i rekomandueshëm, por në asnjë mënyrë i obligueshëm”, thotë Syla për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se profesionistët shëndetësorë duhet të shikojnë për efektet negative apo pozitive të kësaj vaksine në shtetet që tashmë e aplikojnë atë, para se të vendoset nëse duhet të futet në kalendarin e rregullt të vaksinimit.

Shoqata e Gjinekologëve: Kalendarit të vaksinimit sa më shpejtë duhet t’i shtohet vaksina HPV

Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës është e interesuar që sa më shpejt kjo vaksinë të futet në kalendar të rregullt të vaksinimit, thotë Naser Rafuna, kryetar i kësaj shoqate, duke shtuar se këtë rekomandim e kanë paraqitur edhe tek institucionet shtetërore. Ai shprehet se kjo vaksinë tashmë është testuar në vende të ndryshme të botës dhe të rajonit dhe ka rezultuar efikase në mbrojtjen ndaj kancerit të qafës së mitrës.

Ndërkaq, sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare, Arben Bislimi, Kosova është vonuar që ta fusë në kalendarin e rregullt të vaksinimit vaksinën kundër kancerit në qafën e mitrës. Ai thotë se Kosova është shteti i vetëm në rajon që këtë vaksinë nuk e ka në kalendarin e rregullt.

“Në bazë të të dhënave, në Klinikën e Onkologjisë numri i pacientëve me kancer të qafës së mitrës brenda vitit sillet nga 50 deri në 60. Dhe ky numër ka tendencë të rritjes në Kosovë, ndoshta pikërisht për shkak të mungesës së vaksinës”, thotë Bislimi.

“Kurse në nivel global, në tri dekadat e fundit, sa i përket vdekshmërisë nga kanceri i qafës së mitrës, ka rënie pikërisht për shkak të përdorimit të këtyre metodave parandaluese, sidomos me vaksinim”, shton ai.

Kanceri i qafës së mitrës, sipas OBSH-së, është lloji i katërt më i zakonshëm i kancerit te gratë, dhe më shumë se 95 për qind e rasteve shkaktohen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Në bazë të studimeve të bëra së voni nga organizata “Cancer Research”, me seli në Britani, vaksina HPV zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.

HPV në kalendarin e vaksinimit të disa vendeve të rajonit

Shqipëria është shteti i fundit nga rajoni që ka futur vaksinën HPV në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. Nga muaji nëntor i vitit 2022, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka thënë se vaksina kundër HPV është shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore. Edhe në Mal të Zi, në muajin shtator të vitit të kaluar ka nisur aplikimi i kësaj vaksine. Në Maqedoninë e Veriut, kjo vaksinë është në kalendar, ndërsa nga viti 2013 është obligative për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.

Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV, por vaksina nuk është e obligueshme, por rekomandohet. Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat