KOSOVË - Një ngjarje e pazakontë dhe e rëndë ndodhi në shkollën e fshatit Shirok, në Suharekë, ku një qen hyri në ambientet e shkollës dhe sulmoi katër nxënës.

Policia e Kosovës konfirmoi se, përveç nxënësve, qeni sulmoi edhe zyrtarët policorë që ndërhynë për të menaxhuar situatën. Si rezultat, qeni u asgjësua nga njëri prej policëve të pranishëm.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur qeni hyn në korridoret e shkollës, duke shkaktuar panik mes nxënësve, të cilët shihen duke u larguar me nxitim. Në pamje shfaqen edhe të rritur, të cilët mendohet se janë mësimdhënës. Nxënëset e lënduara u dërguan në urgjencë për trajtim mjekësor.

Policia identifikoi dhe arrestoi pronarin e qenit. Sipas njoftimit, një vajzë e lindur në vitin 2017 ka marrë lëndime serioze në kokë nga kafshimi, ndërsa tre nxënës të tjerë pësuan lëndime më të lehta. Vajza e lënduar rëndë po trajtohet në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

 

Hetimet mbi këtë rast të rëndë po vazhdojnë nga njësitë rajonale dhe ekipet e tjera hetimore.