PRISHTINË, 9 Tetor/ATSH-B.Jashari/.-Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me delegacionin e National Democratic Institute (NDI) të SHBA-së.
Në takim u trajtua vlerësimi i pjesëmarrjes së femrave në procesin zgjedhor dhe përfaqësimin politik të saj në vendimmarrje në të gjitha nivelet, thuhet në njoftimin e dërguar nga PDK.
Veseli foli edhe për suksesin e procesit zgjedhor të 8 qershorit si dhe përfshirjen e shtuar të femrave në vendimmarrje, jo vetëm si pjesë të Forumit të Gruas Demokratike por edhe më gjerë.
"Për subjektin tonë politik, pjesëmarrja e femrës në instancat vendimmarrëse nuk është çështje e përqindjes por rezultat i vlerësimit të vazhdueshëm të punës së saj profesionale, që femrat të jenë pjesë aktive e jetës politike në vend, pjesë e pandashme e zhvillimit të shtetndërtimit tonë", theksoi Veseli./m.m/