PRISHTINË, 18 Shkurt /ATSH-B.jashari/.-Gazetari Shefki Popova është ndër të dekoruarit me "Urdhrin e Lirisë", i cili u jepet personave për kontributin e tyre të lartë për liri të Kosovës.
Me rastin e shtatëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga ka dekoruar një numër personalitetesh, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën, në periudha të ndryshme dhe në fusha të ndryshme.
Gazetari i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, Shefki Popova, është vrarë në një atentat ende të pazbardhur në 10 shtator 2000 para shtëpisë së tij në Vushtrri, qytet ku për shumë vite ishte korrespondent.
Në komunikatën e gazetës me atë rast theksohej se, Shefki Popova, gjatë punës shumëvjeçare në Rilindje, u dëshmua si gazetar i dalluar dhe i përkushtuar në profesion, në misionin e informimit të drejtë dhe të shpejtë.
Ai, ndër të parët depërtoi dhe raportoi nga zonat e luftës, prej nga ka shkruar shumë raporte për luftën heroike të luftëtarëve të lirisë, duke filluar që nga Epopeja e Prekazit dhe deri në mbarimin e luftës. Edhe pas luftës ai vazhdoi të jetë ndër gazetarët më të angazhuar, duke raportuar për realitetin e ri të krijuar në komunën e Vushtrrisë, për rindërtimin e pasluftës, për zbulimin e varrezave masive, për identifikimin e kriminelëve të luftës, etj.
"Vrasja e gazetarit tonë është një humbje e madhe për Rilindjen dhe për informimin në Kosovë, është sulm dhe atentat mbi gjithë gazetarinë shqiptare", theksonte komunikata e gazetes tradicionale kosovare.
I biri i Shefkiut, Dijar Popova, në një mesazh dërguar sot thotë se familja është njoftuar për dekorimin e babait të tij me "Urdhrin e Lirisë".
"Ky çmim na nderon të gjithë ne dhe është një vlerësim për babin tonë të ndjerë dhe gjithë kolegët e gazetarët të cilët në kushte të vështira qëndruan dhe punuar së bashku për të mirën e atdheut tonë Kosovës", shprehet Dijar Popova.
/f.n/









