Kosovë- Historiografia ende nuk e ka zbardhur veprën e Shaban Polluzhës


 
PRISHTINË, 21 Shkurt/ATSH/.-"Shaban Polluzha, mbetet personazhi më i rëndësishëm i historisë shqiptare, kurse, lufta e tij mbetet si përpjekja më serioze për shkëputjen e popullit shqiptar nga okupimi serb", u theksua sot në akademinë përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të rënies së Shaban Polluzhës.
Historiani Ibrahim Gashi tha se "historiografia bashkëkohore shqiptare ende nuk ka arritur ta nxjerrë në dritë të plotë veprën patriotit të madh të kombit tonë. Sipas tij, në këtë gjë ka ndikuar historiografia e mëparshme komuniste".
"Kjo është një ndër akademitë përkujtimore më të qëlluara kushtuar madhështisë dhe pavdekësisë së komandantit dhe tribunit të popullit, Shaban Polluzha", tha historiani Mehmet Rukiqi.
Sot, vijoi ai, u mbushen 70 vjet nga dita e rënies së Shaban Polluzhës në altarin e lirisë. Ishte komandant i përgjithshëm i luftës së armatosur të popullit shqiptar e më gjerë kundër okupatorit serb.
"Polluzha mbetet përherë njëri nga personalitetet më të shquara në historinë kombëtare. Sali Berisha, ish president dhe ish kryeministër i Shqipërisë, Shaban Polluzhën e nderoi me urdhrin e bashkimit kombëtar. Veçanërisht beteja e fundit e brigadës së Drenicës në krye me Shaban Polluzhën, me 21 e 22 shkurt 1945 përherë do të mbetet një prej epopeve më të lavdishme të heroizmit shqiptar kundër okupatorit barbar serb", tha Rukiqi.
Gjatë akademisë përkujtimore u çel edhe një ekspozitë me fotografi të luftëtarëve të Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtarë të viteve 1941-1945, që ishte nën udhëheqjen e Polluzhës.
Zahir Kastrati, nipi i Shaban Polluzhës tha se "sot jemi në 70 vjetorin e rënies heroike të heroit kombëtar, Shaban Polluzha. Në këtë përvjetor apo vit jubilar jam munduar qëtë organizoj edhe një ekspozitë me fotografitë e bashkëluftëtarëve të Shaban Polluzhës. Qëllimi dhe arsyeja e organizimit të kësaj akademie përkujtimore dhe e ekspozitës me fotografi është për t'i treguar opinionit mbar shqiptarë që lufta e Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar 1941-45, nuk është luftë siç njihet Lufta e Drenicës, por, është luftë mbarë shqiptare, e cila ka përfshirë pjesën veriore të Shqipërisë, të cilën ne e njohim si Republika e Kosovës. Ato fotografi e dëshmojnë këtë ku ka pasur luftëtarë prej të gjitha krahinave në pjesën veriore të Shqipërisë, po Kosovë".
Shaban Polluzha së bashku me Mehmet Gradicën, u vra nga forcat komuniste serbe në Kullat e Dvoranëve në Tërstenikë të Drenasit. Me vrasjen e tyre u shua edhe kryengritja e Drenicës në atë kohë./KosovaPress/k.s/

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë