PRISHTINË, 23 Shkurt/ATSH/.- Rreth 50 ish punonjës të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, (MUP) në veri të Mitrovicës, të cilët nuk po punojnë më pas pas marrëveshjes së Brukselit për policinë, kanë protestuar sot, duke bllokuar stacionin e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, si dhe selinë e EULEX-it në këtë pjesë të qytetit.
Ata kanë qëndruar rreth 20 minuta para hyrjes së stacionit policor në veri, ndërsa kanë kërkuar sqarime pse një pjesë e tyre nuk janë integruar në Policinë e Kosovës.
Sipas tyre, ata që nuk i plotësojnë kushtet për t'u bërë pjesë e policisë së Kosovës, duhet të vazhdojnë të punojnë në kuadër të MUP-it serb.
Disa prej pjesëmarrësve në protestë i kanë thënë Kosovapress-it se do të presin nga organet përgjegjëse (Zyra për Kosovën e qeverisë së Serbisë dhe MUP-i serb) përgjigje ndaj kërkesave të tyre deri më 1 mars dhe në rast të mos zgjidhjes së problemit, do të vazhdojnë me protesta në forma të tjera.
Protesta është zhvilluar e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. /KosovaPress/k.s/