PRIZREN - Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë goditur një tjetër tentativë për trafik narkotikësh në hyrje të Kosovës. Në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të Prizrenit, doganierët kanë ndaluar një autobus që ishte nisur nga Shqipëria dhe që lëvizte pa asnjë pasagjer.
Pas dyshimeve të para, mjeti është shoqëruar drejt objektit të Doganës në Prishtinë për një kontroll të imtësishëm, ku u gjetën 120 kg marijuanë. Në proces janë përdorur skaneri si dhe njësia K9 e Policisë së Kosovës. Gjatë kontrollit, në pjesë të fshehura të autobusit, zyrtarët zbuluan rreth 120 kg kanabis, të ndarë në pako të shumta dhe të cilat dyshohet se ishin të destinuara për tregun e jashtëm. Droga u gjet poshtë sediljeve të autobusit në një hapësirë të krijuar për fshehjen e saj.
Shoferi i autobusit, shtetas kosovar, është arrestuar menjëherë dhe i gjithë materiali i sekuestruar i është dorëzuar Njësisë Antidrogë për procedime të mëtejshme penale. Sipas shefit të Njësisë Antikontrabandë, Bekim Shala, dyshimet fillestare lindën gjatë një kontrolli rutinë në magjistralen Vërmicë–Prishtinë, në afërsi të Prizrenit.
“Ne, si Njësi Antikontrabandë, gjatë kontrollit të rregullt në magjistralen Vërmicë–Prishtinë, në afërsi të Prizrenit, kemi ndalur këtë autobus. Gjatë kontrollit rutinë kemi dyshuar, pasi autobusi nuk kishte udhëtarë dhe gjithashtu kemi dyshuar edhe te shasija e automjetit që mund të ishte e falsifikuar,” deklaroi Shala.
Përveç drogës, janë konfiskuar edhe dy telefona, 750 franga zvicerane, 200 dollarë amerikanë, vetë autobusi si dhe dy makina të lidhura me rastin. Shoferi u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale nën akuzën për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”. I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për përfshirjen e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës po vazhdojnë nën drejtimin e Hetuesve të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe Prokurorisë Speciale.
Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrjetin e mundshëm të transportit dhe destinacionin final të lëndës narkotike. Ky operacion vjen vetëm pak javë pas një tjetër rasti të ngjashëm, ku dogana dhe policia sekuestruan një sasi të madhe droge në një aksion të koordinuar me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, duke ngritur shqetësimet për një rritje të tentativave për trafikim përgjatë kësaj rruge.
Droga që u gjet e fshehur në autobusin të ndaluar në Prizren ishte fshehur poshtë sediljeve. Poshtë ishin krijuar “xhepa” për të fshehur drogën që ishte futur në pako. Në total, në autobusin që ishte nisur nga Shqipëria u gjeën 120 kg kanabis. Në pranga ra shoferi, i cili udhëtonte pa asnjë pasagjer.
Komente










Sigurisht që shoferi "nuk di gjë"....
Përgjigju