PRISHTINË, 18 Shkurt /ATSH/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim presidenten e "Medica Mondiale", Monika Houser.
Presidentja Jahjaga e falënderoi Houser për mbështetjen e vazhdueshme që "Medica Mondiale" i ka dhënë, përmes projekteve të ndryshme, organizatave joqeveritare në Kosovë, të cilat e kanë prioritet trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe të llojeve të tjera të torturës.
Po ashtu, Jahjaga theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes të "Medica Mondiale" për Kosovën dhe angazhimin e saj në njohjen ndërkombëtare të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe për përballjen e autoreve të këtyre veprave me drejtësinë.
Presidentja e "Medica Mondiale", Monika Houser, shprehu përkushtimin e kësaj organizate për të vazhduar në çdo formë të mundshme mbështetjen për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës si dhe për viktimat e tjera të torturës./b.j/./i.v/ /a.ke/







