Kosova shumë krenare për përparimin që ka arritur Shqipëria
PRISHTINË, 25 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- "Projekti i Bashkimit Evropian do të vazhdojë të jetë i vetmi opsion i pazëvendësueshëm i cili do të ketë ndikimin më të madh dhe rolin më pozitiv transformativ në ekonomitë tona të ndërvarura dhe në zhvillimin e shoqërive tona", tha sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, cila i shprehu falënderimin Presidentit të Rumanisë dhe mikpritesit  të sivjetëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Basescu, për ftesën që Kosova të jetë mysafire dhe pjesëmarrësve e këtij forumi për pranimin e Kosovës si të barabartë.
"Dëshiroj që posaçërisht t'i falënderoj të gjitha vendet fqinje për mbështetjen e tyre të fortë, qe mundësoi prezencën tonë këtu. Po ashtu, edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Komisionerit Stefan Fule, jo vetëm për marrjen parasysh të rëndësisë së pjesëmarrjes së Kosovës në këtë forum, por po ashtu edhe për dhënien e kontekstit dhe kuptimshmërisë nëpërmes veprimeve konkrete - siç është nevoja për zgjerimin e marrëdhënieve ndër fqinjësore - politikës së zgjerimit gjatë mandatit të tij në Bruksel", tha Jahjaga në fjalën e saj në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Jam posaçërisht e lumtur, vijoi Presidentja e Kosovës, që sot mund t'i shpreh përgëzimet e mia Presidentit Nishani dhe vendeve të rajonit për vendimin e BE-së për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat dhe ta njohe vendosmërinë e qytetarëve dhe institucioneve të saj për të shtyrë përpara reformat dhe t'i përafrohet Bashkimit Evropian.
"President Nishani, jemi shumë krenarë për përparimin që keni arritur", u shpreh Presidentja Jahjaga. Ajo vijoi se, për ne të tjerët, të cilët ende jemi duke shtruar rrugën drejt Bashkimit Evropian, ky është një sinjal i qartë se dera mbetet e hapur për secilin vend që dëshiron të përqafojë vlerat dhe reformat dhe aspiron që të bëhet anëtare e BE-së.
"Rruga jonë për në BE është e kushtëzuar me aftësinë tonë që të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, të cilat nënkuptojnë respekt për vlerat e mbajtura nga shoqëritë tona dhe për integritetin e vendeve tona respektive. Marrëdhëniet e mira nuk ndërtohen vetëm me nënshkrime marrëveshjesh, por me implementimin e atyre marrëveshjeve. Jo nëpërmes barrikadave. Por nëpërmes dialogut kuptimplotë i cili do t'i largojë ato pengesa drejt bashkëpunimit", theksoi Presidentja e Kosovës.
Si vendi më i ri në rajon, vijoi Jahjaga, Republika e Kosovës i ka dhënë prioritet ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore."Për ne, ndërtimi i themeleve të qëndrueshme për partneritete nuk është vetëm vendosmëri politike por edhe e nevojshme nëse duam të lëvizim përpara drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë dhe të sigurojmë stabilitet në rajon", tha ajo. Ne, tha ajo, kemi dëshmuar këtë vendosmëri në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, një nga ndërmarrjet më të vështira politike, që ka kërkuar një kurajo të madhe, por ne e kemi bërë këtë sepse dëshirojmë të lëvizim përpara.
"Jam e inkurajuar me ndryshimin të cilin e kemi parë në rajon dhe me mbështetjen që e kemi marrë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka qëndruar pranë nesh duke na ofruar perspektiva të qarta, Kosovës dhe Serbisë, në rrugëtimet tona drejtë Bashkimit Evropian", u shpreh Jahjaga. Presidentja e Kosovës tha se procesi në të cilin jemi është i pakthyeshëm, do të vazhdojmë të jemi faktor i paqes dhe stabilitetit dhe promovues të marrëdhënieve të mira fqinjësore. "Nga këndvështrimi i këtij samiti, mirëpres faktin se kjo perspektivë është respektuar dhe edhe njëherë shpreh falënderimin tim për organizatorët dhe vendet pjesëmarrëse për ndihmën e tyre vendeve që aspirojnë përafrimin me BE-në, duke u bërë nëpërmes këtyre samiteve dhe natyrës së tyre përfshirëse, lehtësues të marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore. Kosova dhe institucionet e saj do t'i sjellin kësaj tavoline kontributin tonë, si të barabartë, drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe thellimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe lidhjeve ekonomike në mes të vendeve të rajonit", tha Jahjaga.
Në vijim të kësaj, shtoi ajo, është thelbësore që bashkëpunimi jonë të jetë i gjithanshëm dhe përfshirës. "Asnjë bashkëpunim në rajon nuk do të jetë i kompletuar pa pjesëmarrjen e Kosovës, asnjë politikë rajonale nuk do të jetë plotësisht e implementuar pa përfshirjen e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa anëtarësim të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor", theksoi Presidentja Jahjaga. /gj.m//a.ke/