PRISHTINË - Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, mendon se përveç programit qeverisës 4-vjeçar, Qeveria e Kosovës duhet të hartojë edhe një program social për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.
Sipas KosovaPress, këto komente ai i ka bërë në tryezën kombëtare me temë "Sistemi dhe politikat tatimore, ekonomia jo formale dhe korrupsioni në Kosovë", duke shtuar se më shumë se 50 për qind e popullsisë janë të papunë, por që nuk regjistrohen në institucionet përkatëse dhe shumica e tyre janë të rinj.
Të pranishëm në tryezë për këtë temë kishte edhe ekspertë nga rajoni dhe Bashkimi Evropian. Eksperti i BE-së, Martin Hutsbeaut, për të kthyer shpresën tek të rinjtë thotë se, duhet një qasje më ndryshe.
"Hapni biznese sepse shumica e studentëve mërziten me shkollën, por nuk do të thotë se ata nuk janë të mirë për të bërë punë të tjera", shprehet ai.
Hutsbeaut thotë se me një numër prej 45 për qind të papunëve nuk është e mundshme të bëhet një shoqëri funksionale dhe të mbështeten familjet e 2 milionë njerëzve në vend dhe se "nëse janë 45 për qind të papunë i bie që 55 për qind të tjerë nuk bëjnë asgjë."/ATSH/