/ATSH/.- Në Prishtinë u mbajt sot takimi i tetëdhjetegjashtë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh Kryetarit i Këshillit, Sylë Hoxha.

Në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si pikë e vetme e rendit të ditës ishte "diskutimi për mandatin e dy anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës".

Anëtarët e Këshillit Prokurorial, pasi diskutuan lidhur me mandatin e dy anëtarëve të Këshillit, me vendim unanim u pajtuan që për këtë çështje, të dërgojnë një kërkesë tek Presidenti i Republikës së Kosovës, me qëllim të sqarimit të kësaj çështje.

Arsyeja e vendosjes në këtë mënyrë nga ana e KPK-së lidhet me faktin që Presidenti i Republikës së Kosovës është autoriteti Kushtetues, i cili ka emëruar këta anëtarë të KPK-së në vitin 2010, prandaj duke shfrytëzuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore, Presidentja e Republikës së Kosovës mund të propozojë një zgjidhje për mandatin e dy anëtarëve të KPK-së.