PRISHTINË, 30 Qershor /ATSH-B.Jashari/ -Koalicioni LDK-AAK-NISMA dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në deklaratën e dalë nga takimi i liderëve, i mbajtur me 30 qershor 2014 shprehet se, nuk do t'u përgjigjen ftesës së PDK-së e as mandatarit të saj në çfarëdo konsultimi për krijimin e qeverisë së re.
"Ne, koalicioni LDK-AAK-NISMA dhe Lëvizja Vetëvendosje, as si koalicion e as si subjekte politike ndarazi nuk do t' i përgjigjemi ftesës së PDK-së e as pretendetit për mandatar të kësaj partie në çfarëdo konsultimi për krijimin e qeverisë së re", theksohet në deklaratë.
Komunikata e shkurtër u dha pas një takimi në Prishtinë, sot vonë pasdite, në selinë e AAK-së.
Më herët sot, Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri të ditur se ka shqyrtuar dhe ka vendosur për rastin e parashtruar nga Presidentja e Republikës.
"Të hënën, më 30 qershor 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka shqyrtuar dhe ka vendosur për rastin KO103/14, të parashtruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, përkitazi me vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafi 14, me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese do ta publikojë vendimin në ditët në vijim", bëhet e ditur në një njoftim për media.
Sipas medias, një burim ka thënë se Gjykata ka vendosur 1 me 1.
"Gjykata ka vendosur 1 me 1. Kjo i bie se Presidentja fillimisht mandaton Hashim Thaçin si drejtuesin e koalicionit që ka fituar në zgjedhje, dhe nëse ai brenda 15 ditësh nuk arrin ta krijojë Qeverinë, Presidentja nis konsultimet me partitë politike dhe kush ofron më shumë deputetë, i jepet mundësia. Që në këtë rast i bie se mandaton z. Ramush Haradinaj si kandidat për Kryeministër i koalicionit LDK-AAK-Nisma, e që përbën shumicën në Parlamentin e Kosovës", ka thënë burimi i brenda Gjykatës Kushtetuese, i cituar nga media kosovare.
Në Kosovë, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, janë ngritur debate se mandatari për formimin e qeverisë së re a do të jetë Hashim Thaçi, i nominuari nga subjekti politik fitues - Partia Demokratike e Kosovës në koalicion parazgjedhor me katër parti të tjera të vogla, apo Ramush Haradinaj, i nominuari nga koalicioni paszgjedhor i dy partive të opozitës - Lidhjes Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektit të ri politik Nisma për Kosovën. /gj.m/f.n/