Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) nuk i ka certifikuar të mërkurën kandidatët e Listës Serbe për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, vetëm një javë pasi dështoi t'ia ndalonte pjesëmarrjen në këto zgjedhje partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ky është tentimi më e fundit në një varg përpjekësh të dështuara të disa anëtarëve të komisionit për t’ia pamundësuar kësaj partie pjesëmarrjen në zgjedhje qoftë parlamentare apo lokale në vend.

Me dy vota kundër, gjashtë abstenime dhe tri për, 33 kandidatët e Listës Serbe nuk u certifikuan pavarësisht se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike kërkoi certifikimin e tyre duke thënë se emrat e tyre nuk bien ndesh me ligjin për zgjedhjet.

“Lista me kandidatë është verifikuar bazuar në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Nga të dhënat e pranuara nga institucionet e vendit, del se asnjë kandidat nuk bien ë kundërshtim me ligjin për zgjedhjet”, tha kryetari i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, Besnik Buzhala.

Anëtarët e partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.

Kurteshi nuk dha ndonjë arsye pse votoi kundër, por tha shkurtimisht se “jam kundër certifikimit të Listës Serbe bashkë me kandidatët e saj”.

Anëtarët e partive të tjera politike shqiptare në KQZ abstenuan nga votimi.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Votimi i së mërkurës vjen vetëm pak ditë pasi PZAP-ja e urdhëroi KQZ-së ta zhbëjë vendimin e 2 dhjetorit për moscertifikimin e Listës Serbe dhe urdhëroi pjesëmarrjen e saj në zgjedhje, duke thënë se komisioni nuk ka ofruar “asnjë arsyetim” për vendimin e marrë.

Paneli tha se Lista Serbe i kishte plotësuar kushtet e parapara me ligj për pjesëmarrje në zgjedhjet e këtij muaji.

Bashkësia ndërkombëtare e dënoi atë vendim të komisionit, siç ka bërë edhe në të kaluarën, pasi partia më e madhe e serbëve të Kosovës është përballur me përpjekje të vazhdueshme këtë vit për të mos ia lejuar pjesëmarrjen në zgjedhje qoftë parlamentare apo lokale.

Kjo është hera e katërt që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti apo kandidatët e saj, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në të gjitha rastet, PZAP-ja i ka rrëzuar vendimin e KQZ-së kundër saj.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëse të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, duke u rikthyer në pushtet pasi i kishte braktisur institucionet e Kosovës më 2022.

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme këtë muaj sepse partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti në dy përpjekje ta marrë mbështetjen e Kuvendit për një mandat të ri.

Ajo i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 ulëse në Kuvend ishin të pamjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe ajo nuk gjeti një partner për të formuar qoftë edhe një qeveri të pakicës prej 61 ulësesh në Kuvend./ REL