Kosovë- Kryeministri Mustafa në konferencën “Balkans 6” në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën e radhës të "Western Balkans 6", e cila zhvilloi punimet në Bruksel.
Në këtë takim, ku po marrin pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit si dhe ministra të punëve të jashtme dhe të sektorëve të ekonomisë, kryeministri Mustafa u shoqërua nga zëvendëskryeministri i parë, ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministrat Lutfi Zharku, Hykmete Bajrami dhe Blerand Stavileci.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim të nivelit të lartë, kryeministri kosovar Mustafa ka vlerësuar lartë rezultat e Konferencës "Western Balkans" duke filluar nga takimi i mbajtur në Berlin deri te takimi i mbajtur në Prishtinë, më 25 mars të këtij viti.
"Kosova i gëzohet mundësisë që të jemi pjesë e projektit të rrjetit bazë dhe mirëpresim mundësinë që të gjithë të shfrytëzojmë benefitet që sjell ky projekt", tha kryeministri i Kosovës. Më tej, kryeministri Mustafa ka thënë se infrastruktura rrugore është kusht për bashkëpunim të qëndrueshëm ekonomik të vendeve të Ballkanit.
Njoftimi dërguar nga Brukseli i Kryeministrisë kosovare bën të ditur edhe se, në hapje të këtij takimi të rëndësishëm, liderëve të Ballkanit iu janë drejtuar edhe Johannes Hahn, komisioner për Politika Fqinjësore Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit si dhe komisionerja evropiane për Transport, Violeta Bulc.
Në këtë takim u miratua edhe një deklaratë e përbashkët ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor riafirmojnë përkushtimin e tyre për ndërlidhje, marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim rajonal si dhe integrime evropiane. /atsh/
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë